2012-09-13 15:13:12

Papa nesër në Liban, një udhëtim në favor të paqes në respektim të ndryshimeve. Flet Patriku Raji e kardinali Turan


Përgatitjet e fundit në Bejrut, kryeqyteti i Libanit, ku Papa Benedikti XVI do të shkojë nesër, në udhëtimin e tij të 24-t apostolik ndërkombëtar. Vizita në vendin e kedrave, 15 vjet pas asaj të Gjon Palit II, bëhet me rastin e nënshkrimit dhe të publikimit të Nxitjes Apostolike “Kisha në Lindjen e Mesme”, pas sinodit për këtë rajon, mbajtur në Vatikan në tetor 2010. Të shumta, përmasat e kësaj vizite triditore, që nga inkurajimi i besimtarëve të rajonit, tek gjallërimi i shpresës së rinisë; nga dialogu ekumenik tek ai islamo-kristian. E mbi të gjitha, përmasa e paqes, siç dëshmon motoja e zgjedhur nga Benedikti XVI: “Paqja qoftë me ju!”
Fotografitë gjigante të Papës e flamujt e Vatikanit kanë mbushur rrugët e sheshet e Bejrutit, përfshirë edhe ato ku shumica e banorëve është myslimane. Paqja është fjala, që libanezët përdorin për vizitën e Benediktit XVI. Paqja është urgjente në këto troje. Ta kujtojnë këtë pallatet e kryeqytetit, plot me vrima plumbash, lënë aty nga lufta civile, pallate, që ngrihen përkrah rrokaqiejve, të cilët ia ndryshojnë vazhdimisht fytyrën Bejrutit. Ta kujtojnë edhe distancat gjeografike: Siria, e përgjakur nga lufta, është vetëm pak kilometra larg.
Libani, mozaik fesh e kulturash, pret me padurim Papën, por edhe me lutje. Mbrëmë, në lutjen për t’i uruar mirëseardhjen Atit të Shenjtë, morën pjesë të rinj të krishterë e myslimanë. Janë ata, që e presin me emocion takimin me Benediktin XVI, i cili do t’u flasë para Patriarkatit maronit të Bkèrkè-s. Gjithashtu, Papa do të nënshkruajë Nxitjen Apostolike për Lindjen e Mesme në bazilikën greko-melkite të Shën Palit dhe do t’jua dorëzojë ipeshkvijve në Meshën e së dielës, në përfundim të udhëtimit. “Libani – pati thënë i Lumi Gjon Pali II, 15 vjet më parë – është shumë më tepër se vend, është mesazh, lajm”. E sot, pret Benediktin XVI, lajmëtar i paqes dhe i shpresës.
Por çfarë përfaqëson ky udhëtim në Liban për krejt Lindjen e Mesme? Të dëgjojmë Patrikun maronit Bekara Butros Raji:
Përsa i përket Libanit, vizita e Atit të Shenjtë do ta tregojë këtë tokë ashtu siç është, tokë takimi e jo lufte. Sepse shpesh, mas mediat flasin për Libanin si të ishte i përgjakur nga dhuna. Ky është vend paqeje dhe takimi. Pastaj, Papa do t’u japë guxim të gjitha popullsive të Lindjes së Mesme, si atyre të krishtera, ashtu edhe atyre myslimane, do të verë në dukje historinë, praninë dymijëvjeçare të krishterë në këto troje. Të krishterët kanë luajtur një rol të rëndësishëm, kanë sjellë kulturën e Ungjillit në kulturat lokale… Kjo Lindje e Mesme, që jeton kohë të vështira, kërkon demokraci, liri, të drejtat e njeriut. Papa do të japë një kontribut të madh në këtë drejtim, thjesht me praninë e tij, me fjalimet e homelitë që do të mbajë, por edhe me nënshkrimin e Nxitjes Apostolike post-sinodale. Për ne, të krishterët e Lindjes së Mesme, do të hapet udha drejt një pranvere të krishterë, sepse Papa do të sjellë risimin e jetës kishtare e kristiane. Gjithashtu, mendoj se Pranvera arabe, kaq e dëshiruar, për të cilën flitet kaq shumë edhe në Liban, do të arrijë si fryt i kontributit të pranverës së krishterë.
Të dëgjojmë edhe komentin e kryetarit të Këshillit Papnor për Dialogun ndërfetar, kardinalit Zhan-Lui Turan:
Do të thosha se Papa, duke shkuar në Liban, do të kujtojë se shumëllojshmëria, pluraliteti nuk janë sinonime të rrezikut, përkundrazi, janë pasuri. Kjo shihet mirë në dialogun ekumenik e në dialogun ndërfetar, dy realitete mjaft të gjalla në Liban. Nxitja Apostolike synon të japë mesazhin se bashkëjetesa nuk është utopi, por thirrje. Vërtet, tema e Sinodit për Lindjen e Mesme ishte “Bashkim e dëshmi” dhe i referohej modelit të bashkësisë së parë të krishterë. Libani është bashkim. Myslimanë, të krishterë, druzë shkojnë bashkë në shkollë, studiojnë mbi të njëjtat libra, kanë po ata profesorë e, për sa kam parë aty, kur kam qenë vetë për katër vjet e gjysëm, gjatë luftës civile, është shkolla, që e ka ngritur në këmbë Libanin, është arsimi. Ky është modeli i vetëm në atë rajon e duhet ruajtur.







All the contents on this site are copyrighted ©.