2012-09-13 13:40:49

Benedikti XVI: Shën Gjon Krizostomi, pararendës i doktrinës shoqërore të Kishës


Shën Gjon Krizostomi, në fjalët e Papës Benedikti XVI, gjatë audiencës së përgjithshme të 26 shtatorit 2007 në Vatikani,duke folur për “Qytetin me shpirt e me fytyrë të krishterë, solidar me të varfrit”.
“Me Shën Gjon Krizostomin nis vizioni i qytetit të ndërtuar nga ndërgjegjja e krishterë, në të cilin njeriu, edhe ai më i varfëri, ka vendin e vet e dinjitetin e vet”. Është ky një prej mendimeve të shprehura nga Ati i Shenjtë në audiencën e përgjithshme të së mërkurës, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan.
Më 26 shtator 2007, duke ia kushtuar për herë të dytë katekizmin figurës së Shën Gjon Gojartit, Papa vuri theksin mbi vlerën aktuale të mësimeve të tij, që e bënë Shenjtin një nga pararendësit e Doktrinës shoqërore të Kishës.
Njeri tepër i thjeshtë, në mes të salltanetit të oborrit perandorak bizantin. I mahnitur nga modeli i bashkësisë së parë të krishterë, të bashkuar nga ndjenjat e vëllazërisë së vërtetë, që nuk i vlerësonte njerëzit sipas pozitës shoqërore, por sipas fesë. Kështu ia paraqiti Papa 20 mijë besimtarëve, mbledhur më 26 shtator 2007 në Sheshin e Shën Pjetrit, figurën e një shenjti revolucionar, që jetoi 1600 vjet më parë, aktual edhe për ditët e sotme.
Njeri me zemër të mirë, të ëmbël e atërore me të gjithë, nuk mundi të krijonte një strehë të sigurtë, për t’u mbrojtur nga kundërshtimet, persekutimet dhe internimet. U internua dy herë e ndërroi jetë pikërisht gjatë internimit të dytë, në vitin 407. Në sa jetonte në Kostandinopojën e pallateve perandorake, ndërmjet intrigave të oborrit, Krizostomi – shpjegoi Papa – nuk u fsheh pas njerëzve të kamur, por zgjodhi thjeshtësinë, duke nisur nga pallati arqipeshkvnor – e jashtë tij, zgjodhi të varfërit e familjet, që qenë gjithnjë në qendër të vëmendjes së veprimtarisë së tij baritore. U frymëzua përherë nga modeli i Kishës së të krishterëve të parë, prej nga i lindi vizioni i ‘qytetit ideal’:
“Krizostomi, ashtu si Shën Pali, mbronte përparësinë e të krishterit, parë si individ, si njeri i veçantë, edhe të skllavit e të të varfërit. Projekti i tij korrigjon kështu vizionin grek të ‘polisit’, të qytetit, në të cilin masat e gjëra të popullsisë përjashtoheshin nga e drejta e qytetarisë, ndërsa në qytetin e krishterë të gjithë janë vëllezër e motra, me të drejta të barabarta”.
Shën Gjon Gojarti – vijoi Papa – e kishte kuptuar se ideja e vjetër e polisit grek duhej zevendësuar me atë të qytetit të frymëzuar nga feja, për të cilin flet Ungjilli. Ja sepse me të – shpjegoi Benedikti XVI – filloi vizioni i një qyteti të ndërtuar nga ndërgjegjja e krishterë, që i bën të gjithë të barabartë, i bën vëllezër e motra e i edukon me frymën e solidaritetit.
I duhej dhënë një shpirt e një fytyrë e krishterë qytetit. Me fjalë të tjera, Krizostomi e kuptoi se nuk mjaftonte dhënia e lëmoshës, as ndihma e herë pas hershme e të varfërve, por ishte e nevojshme të krijohej një strukturë e re, një model i ri i shoqërisë; një model i bazuar mbi perspektivën e Besëlidhjes së Re. Është shoqëria e re që nis të shfaqet në Kishën e posalindur”.
I famshëm për gojtarinë e tij, edhe në Romën e re, dmth në Kostandinopojë, Krizostomi u bë i njohur nga të gjithë si mësues i fesë e dëshmitar i dashurisë së krishterë – tha Papa dhe në vijim theksoi katër karakteristika kryesore të kësaj figure madhore të Kishës: së pari, nënvizoi ndjeshmërinë e Shenjtit antiokian ndaj Krijimit, parë si akti më i lartë i dashurisë së Zotit; së dyti, vëmendjen që i kushtoi shpjegimit të Shkrimit Shenjt i cili, sipas Atit të Kishës, së treti krijon mundësinë për ta deshifruar vetë Krijimin. Së katërti, Papa Ratcinger vuri në dukje veprimin e Shpirtit Shenjt në zemrën e njeriut, por duhet theksuar – vijoi Shenjtëria e Tij - se është karakteristika e tretë ajo që zbulon gjithë humanizmin dhe fenë e ipeshkvit të lashtë të Kostandinopojës, bindjen e patundur se:
“Hyji… zbret vetë, mishërohet, bëhet vërtetë ‘Hyji me ne’, vëllai ynë deri në vdekje në Kryq”.







All the contents on this site are copyrighted ©.