2012-09-12 16:19:15

Thirrja nga Sarajeva: urrejtja nuk vjen prej Zotit. Imzot Palja: të bëhet shembull bashkëjetese ndërmjet popujve


Me premtimin për t’u takuar në Romë në vitin 2013, përfundoi mbrëmë në Sarajevë të Bosnjë-Hercegovinës, takimi “Njerëz dhe fe”, organizuar nga Bashkësia kishtare e Shën Egjidit. Gjatë tri ditëve, përfaqësues të të gjitha feve, personalitete politike e intelektualë nga anekënd botës diskutuan mbi tematikat dhe sfidat më të rëndësishme të shoqërisë, në epokën e sotme. Nga tribuna, në qendrën historike të kryeqytetit boshnjak, u ngrit zëri në thirrjen për paqe.
Nga kjo tokë e martirizuar gjatë luftrave të fundit në Ballkan, e përgjakur nga urrejtja për fqinjin, nëse me fe dhe etni të ndryshme, u theksua se urrejtja, ndarja, dhuna, masakrat e genocidet nuk vijnë prej Zotit. Në thirrjen, që mbylli takimin, kërkohet që në asnjë vend tjetër, të mos bëhet luftë në emër të ndryshimeve, pasi bashkëjetesa ndërmjet njerëzve të ndryshëm është madje, shumë e frytshme.
Në mesazh, i bëhen homazhe vetë Sarajevës, dikur simbol i bashkëjetesës, por pas luftës, akoma në udhën drejt pajtimit, siç kujtuan fjalët emocionuese të kardinalit Roxher Eçegaraj, i cili tregoi si hyri në qytetin e rrethuar nga serbët, si i dërguar i Papës së Lum Gjon Pali II. Banorëve të tij, kardinali u kërkoi guxim për të jetuar sërish së bashku, pa paragjykime e pa intolerancë.
Ndër pjesëmarrësit, në takimin me temë “Bashkëjetesa është e ardhmja”, edhe kryetari i Këshillit Papnor për Familjen, imzot Vinçenc Palja, këshilltar shpirtëror i Bashkësisë së Shën Egjidit. Në mikrofonin e Radio Vatikanit, ai nënvizon rëndësinë e rikthimit të Sarajevës në simbol bashkëjetese ndërmjet popujve:
Nuk ka dyshim që Bosnja e, në veçanti, Sarajeva, është një nga zonat më delikate të Evropës. Prandaj, është urgjente t’i jepet Sarajevës një mesazh i ndryshëm. Të shohësh serbët ortodoksë, në veçanti Patrikun, të kalojnë portat e qytetit për herë të parë e jo vetëm të tij, por edhe ato të kishës katolike, e pastaj, të shohësh metropolitë, kardinaj, ipeshkvij e besimtarë katolikë e ortodoksë të mbushin plot katedralen ortodokse… këto janë pamje të paharrueshme paqeje. S’ka dyshim se vetëm kështu mund të krijohet bashkëjetesa për të ardhmen. Ja përse, ndoshta, thesari më i çmuar i këtij takimi është pikërisht ky imazh i katolikëve dhe ortodoksëve, që përqafohen e vendosin të vazhdojnë të jetojnë këtu, duke rënë dakord me myslimanët e me hebrenjtë, për t’i dhënë Sarajevës atë perspektivë, që ka pasur gjithnjë në shekujt e kaluar, por edhe për të sjellë fryte të reja për krejt rajonin ballkanik.
Kontradiktat nuk duken aq ndërmjet personave, sa në nivelin politik. Në këtë fushë duhet punuar, apo jo?
Po, unë besoj se kemi nevojë për politikën, ose më mirë të themi, kemi nevojë që politikanët të kenë horizonte më të gjera e më të thella. Në këtë rast, të qëndrosh në sipërfaqen e gjërave është dramatike; një politikë e mbyllur në tokën e kufijtë e secilit është, edhe ajo, problematike. Politika duhet të jetë e vetëdijshme se ka nevojë t’u bjerë shumë telave për të prekur kordat e zemrës së këtyre popujve. Mendoj se këtu është vënë vetëm kapaku mbi një situatë, që ka rrezik të shpërthejë sërish. Në fushën politike, Evropa mund ta ulë tensionin. Por, sipas meje, duhen bërë hapa të tjera përpara: bashkëjetesa ndërmjet popujve nuk mund të ngushtohet vetëm brenda kufijve të caktuar.







All the contents on this site are copyrighted ©.