2012-09-12 16:42:36

Atë Lombardi: respekti për besimet e simbolet fetare parakusht për bashkëjetesën paqësore.


Për zëdhënësin e Vatikanit, atë Federiko Lombardin, “fyerjet e pajustifikueshme e provokimet” edhe një herë kanë shkaktuar ngjarje të “dhunshme të papranueshme” me sulme ndaj ambasadave të SHBA-së në Egjipt e në Libi. Nga këto sulme janë vrarë tre funksionarë dhe ambasadori amerikan në Bengazi, Kris Stivens. Sulmet nisen dje në mbrëmje, kur qindra persona të armatosur u mblodhën përpara konsullatës amerikane për të protestuar kundër filmit amerikan “Pafajësia e myslimanëve”, që konsiderohet ofendues ndaj Islamit e profetit Muhamed. Protesta të dhunshme pat edhe para ambasadës amerikane në Kajro.
Në deklaratën e tij zëdhënësi i Selisë së Shenjtë atë Lombardi thotë:
“Respekti i thellë për besimet, tekstet, personalitetet e mëdha dhe simbolet e feve të ndryshme janë parakusht me rëndësi themelore për bashkëjetesën paqësore të popujve. Pasojat teje të rënda të fyerjeve e të provokimeve të pajustifikueshme ndaj sensibilitetit të besimtarëve myslimanë edhe një herë janë akoma të dukshme këtyre ditëve, si reagimet e nxitura, edhe me rezultate tragjike, që thellojnë tensionet e urrejtjet, duke shkaktuar shpërthimin e një dhune të papranueshme.
Mesazhi i dialogut dhe i respektit për të gjithë besimtarët e feve të ndryshme që Ati i Shenjtë po bëhet gati ta sjell në udhëtimin e tij të ardhshëm në Liban, tregon udhën që të gjithë do të duhej ta përshkonim për të ndërtuar së bashku bashkëjetesën e përbashkët të feve e të popujve në paqe!"







All the contents on this site are copyrighted ©.