2012-09-11 14:13:08

Në Vatikan, luftë kundër riciklimit të parave, me emërimin e një eksperti të ri


Pas Asamblesë dhe raportit të Moneyval për Vatikanin, për të cilat është folur gjerësisht në korrik, Selia e Shenjtë jo vetëm që nuk e ka pakësuar impenjimin në luftën kundër riciklimit të parave, por po përpiqet të zbatojë rekomandimet e raportit, duke e vazhduar rrugën e filluar prej kohësh.

Një sinjal i fortë në këtë drejtim, siç informon zëdhënësi, atë Federiko Lombardi, është caktimi i një eksperti ndërkombëtar, i cili do të ndihmojë IOR-in (Institutin e Veprave Fetare) dhe organizmat e tjera të Vatikanit në luftën kundër riciklimit të parave dhe kundër financimit të terrorizmit.

Fjala është për Rene Bruelhart, 40 vjeç, jurist nga Friburgu i Zvicrës, që ka qenë për tetë vjet me radhë drejtor i Njësisë së Sigurimit Financiar të Lihtenshtajnit. Në vitin 2010, është emëruar edhe zv.president i Grupit Egmont, rrjeti global i Njësisë së Sigurimit Financiar. Me fillimin e shtatorit, Bruelhart ka filluar edhe shërbimin e tij si këshilltar i Selisë së Shenjtë në luftën kundër krimeve financiare.







All the contents on this site are copyrighted ©.