2012-09-10 13:47:02

Papa në Lutjen e Engjëllit të Tënzot: “effatà” është fjala, që ia hap zemrën Zotit e të tjerëve


Gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot dje në Kastel Gandolfo, Papa Benedikti XVI shpjegoi kuptimin më të thellë të shërimit të shurdhmemecit nga Jezusi, episod, që tregohej në Ungjillin e djeshëm. Për të shëruar shurdhmemecin, kujtoi, Jezusi përdor fjalën “effatà”, që do të thotë “hapu”. Më parë, ai ishte “i mbyllur, i izoluar, nuk kishte mundësi të komunikonte”. Për të, shërimi nuk ishte vetëm mundësia për të folur e për të dëgjuar, por edhe për të përqafuar botën e të tjerët. Pra, shpjegoi Benedikti XVI, mbyllja e njeriut në vetvete nuk varet vetëm nga funksionimi i shqisave:
“Ekziston mbyllja brenda vetes, që ka të bëjë me thelbin me të thellë të njeriut, me atë, që Bibla e quan zemër”.
Pikërisht atë vjen të hapë Jezusi, në mënyrë që secili prej nesh të jetë në gjendje t’i jetojë plotësisht marrëdhëniet me Zotin e me të tjerët:
“Ai[Jezusi] u bë njeri, që njeriu, i bërë shurdhmemec nga mëkati, të jetë sërish në gjendje të dëgjojë zërin e Hyjit, zërin e Dashurisë, që i flet zemrës së tij e, kështu, të mësojë të flasë, edhe ai, gjuhën e dashurisë, të komunikojë me Zotin e me të tjerët”.
Prandaj, kujtoi Papa në fund, kjo është arsyeja për të cilën, fjala e gjesti i “effatà” bëjnë pjesë në Ritin e Pagëzimit.







All the contents on this site are copyrighted ©.