2012-09-10 18:14:51

GND shpall përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës


Grupi Drejtues Ndërkombëtar shpalli përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës. "Pas vlerësimit të tij më datë 2 korrik 2012 se Propozimi Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës (PGJS) është zbatuar në mënyrë substanciale dhe duke vënë re se në përputhshmëri me zotimet e tyre, institucionet e Kosovës tani i kanë miratuar pakot e ndryshimeve të Kushtetutës dhe të legjislacionit primar duke i përfshirë në mënyrë të kënaqshme elementet e mbetura të PGJS-së brenda kornizës kushtetuese dhe juridike të Kosovës, Grupi Drejtues Ndërkombëtar shpall sot përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës dhe përfundimin e mandatit të Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar", thuhet në deklaratën e grupit.
"Pas përfundimit të detyrave të nevojshme administrative të brendshme, Zyra Civile Ndërkombëtare do të mbyllet në fund të vitit 2012. Me efekt të menjëhershëm, PGJS-ja nuk ekziston më si fuqia juridike e veçantë dhe më e lartë, dhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës tani përbën bazën e vetme të kornizës juridike të vendit", thuhet ne deklarate.
"Po qëndroj sot këtu për të festuar fundin e një rrugëtimi të gjatë. Por, gjithashtu po e shënoj fillimin e një rrugëtimi tjetër", ka nisur fjalimin e tij, Presidentit Martti Ahtisaari, në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës, me rastin e përfundimit të mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës .
Ai tha se ky projekt - Propozimi Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës, të cilin historia e quajti Plani i Ahtisaarit, ishte rezultat i shumë muajve të punës së durueshme dhe të menduar të një ekipi diplomatësh dhe ekspertësh teknikë, në diskutim me përfaqësuesit e Kosovës dhe të Serbisë.
Duke porositur gjeneratën e re të diplomatëve të Kosovës, Ahtisaari u shpreh se "ju lutem mos mendoni se ka rrugë të shkurtra për t'i gjetur. Ju lutem mos mendoni se ka truqe të reja kushtetuese për t'i provuar. Ju lutem mos i sakrifikoni nevojat e miliona njerëzve, që jetojnë në më shumë se një vend, e të cilët u janë nënshtruar aq shumë frustrimeve dhe pasigurive për një kohë shumë të gjatë".
Ai nënvizoi se suksesi në Kosovë dhe në Serbi, nuk do të gjendet në një shtrëngim duarsh dhe në një kryetitull lajmesh por në zbatimin e vazhdueshëm dhe me përkushtim të një plani i cili ka demonstruar rezultate të prekshme në terren në Kosovë.
"Nëse në letrën time të fillestare që ia kam dërguar Sekretarit të Përgjithshëm unë e kisha ofruar jo vetëm një projekt, por një përshkrim të policëve të Kosovës, shqiptarë e serbë, vendet e rojës për Kishën Ortodokse Serbe; nëse e kisha ofruar përshkrimin sesi Qeveria në Prishtinë i ofron shërbimet administrative të cilat tani i ofron në veri të Lumit Ibër; nëse e kisha ofruar përshkrimin e asaj çfarë shohim sot në komunat me shumicë serbe që funksionojnë në kuadër të Kosovës së pavarur - atëherë Plani i Ahtisaarit do të shihej si një fantazi. Por kjo fantazi është bërë e vërtetë kjo arritje është suksesi ynë i përbashkët", u shpreh ai.
Kryenegociatori e kryendërmjetësi ndërkombëtar drejt pavarësisë së kosovës, Ahtisaari përfundoi duke theksuar se "propozimi Gjithëpërfshirës i ofron Kosovës mundësinë për stabilitet, prosperitet dhe qeverisje të mirë. Se a do të bëhet kjo mundësi realitet, kjo varet nga populli i Kosovës, dhe në veçanti nga ju, përfaqësuesit e tyre demokratik. Është në duart tuaja, dhe vetëm në duart tuaja, se a do ta bëni Kosovën me paragjykime apo tolerante, se a do ta bëni Kosovën të korruptuar apo të drejtë, se a do ta bëni Kosovën të dështuar apo të suksesshme".
Ndërsa ambasadori Wolfgang Ischinger tha se "propozimi i Ahtisaarit dhe kushtetuta e Kosovës e vitit 2008 përmbajnë të gjitha parimet dhe garancitë e nevojshme për të siguruar se kushdo në Kosovë - shqiptarët, serbët e Kosovës si dhe pakicat e tjera njëlloj - mund të jetojnë në mënyrë paqësore dhe në siguri, si dhe të gëzojnë të drejta të njëjta sikurse bashkëqytetarët e tyre".
Ai shprehu bindjen se një ditë përfaqësuesi i Kosovës do të ulet në tavolinë në Bruksel krah për krah me përfaqësuesin e Serbisë dhe do të diskutojnë për të ardhmen e Bashkimit Evropian, së bashku me shtetet tjera anëtare të BE-së.
"Për ta shndërruar këtë vizion në realitet nevojiten të bëhen hapa substancialë përpara: Së pari, Kosova dhe Serbia duhet t'i normalizojnë marrëdhëniet e tyre, dhe së dyti, Bashkimi Evropian duhet t'i forcojë lidhjet e veta me Kosovën. Ecja përpara në këto fronte mund të duket sikur të zgjidhësh dy nyja Gordiane përnjëherësh", nënvizoi ai.
Duke vlerësuar se hovi në rrugën e Kosovës drejt Evropës është rritur gjatë muajve të fundit, ambasadori tha se "hapja e dialogut për liberalizim të vizave dhe studimi i fizibilitetit nga Komisioni, i cili do të përmbyllet së shpejti paraqesin arritje të rëndësishme".
"Jam i bindur se shtetet anëtare të BE-së të mbledhura sot këtu do të vazhdojnë të japin shtytje për përparim të mëtejmë. I mbetet Kosovës të tregojë përkushtimin e saj në rrugën drejt Evropës duke iu përmbajtur agjendës së saj të reformave", përfundoi ambasadorit Wolfgang Ischinger.







All the contents on this site are copyrighted ©.