2012-09-08 15:21:06

"Fluturimi i paqes" nga Republika e San Marinos tek Papa


Nesër, Papa Benedikti XVI do të presë Kapitenët Regjentë të Republikës së San Marinos dhe ekuipazhin e të ashtuquajturit “fluturim i paqes”. Fjala është për një veprimtari, që filloi sot në San Marino, ku u përurua vepra e piktores Kiara Del Vekio, mbi historinë e fluturimit me avion. Piktura pasqyron avionin e pilotit romanjol Françesko Baraka dhe është riprodhuar në 301 serigrafi të firmosura nga artistja. Ato do t’i dhurohen miqve dhe autoriteteve, por dy prej tyre ishin pjesë e “fluturimit të paqes”. N. 301 i serigrafive iu dhurua autoriteteve të San Marinos për të kujtuar themelimin e republikës, në vitin 301 pas Krishtit, ndërsa n.1 është riprodhimi i pikturës, që do të mbërrijë në Kastel Gandolfo, tek Papa, pas udhëtimit me avion për të sensibilizuar popujt për paqen në botë. Nga një republikë e themeluar prej një shenjti tek Ati i Shenjtë, të cilit do t’i dorëzohet edhe një mesazh urimi nga ana e Kapitenëve Regjentë të San Marinos, që Papa e pati vizituar në qershor 2011.







All the contents on this site are copyrighted ©.