2012-09-07 14:38:06

Kostandini i Madh, viktimë e mitit.


Një Kostandin njëkohësisht pagan e kristian; ipeshkëv ‘i atyre të jashtëmve’ (episkopos ton ektòs), sipas Euzebit të Çezaresë; perandor, që nënshkruan aktin e lindjes së lirisë fetare (shumë më e ndryshme se toleranca fetare), me ediktin e famshëm të vitit 313, pa hequr dorë nga asnjë prej pushteteve të tij, duke përfshirë edhe titullin papë.
I lindur në Nish, në zemër të provincës romake, që njihej me emrin Mesia, ai ishte ilir, e njëkohësisht romak, e jo vetëm për kulturë, por edhe e kryesisht, për politikën, që ndoqi gjatë sundimit. E dëshmon fakti se shumë nga aktet e tij u frymëzuan nga mendimi i lashtë romak. Mjafton të kujtojmë, për shembull, pushimin e së dielës, vendosur në vitin 321, duke ecur kështu në hullinë e traditës së lashtë të dies fasti e nefasti. E pikërisht duke vijuar ecjen në këtë hulli, themeloi edhe Romën e Re mbi Helespont, me rite të krishtera, por pa hequr dorë nga formulat tradicionale të fesë së lashtë të shtetit.
Figurë komplekese kjo e Kostandinit, që doli në takimin kushtuar 1700 vjetorit të Ediktit të Milanos, në Mitingun e sapopërfunduar të Riminit, jehona e të cilit vijon.
Pas ikuadrimit të Ediktit në kornizën historike, portretet e Kostandinit dhe të perandorëve të tjerë të pagëzuar, si Kostanci II, Valentiniani II e Teodosi, u pikturuan duke u mbështetur tek vepra e Shën Ambrozit. Guvernator e pastaj ipeshkëv i milanezëve, Shën Ambrozi përdor argumente nga përvoja e tij si jurist, por edhe qortime të krishtera. I kundërvihet shfrenimit të pushtetit civil, duke nënvizuar me forcë se perandori nuk mund të dalë përmbi Kishën, se është subjekt, që duhet të përgjigjet para ligjit e se, mbi të gjitha, është njeri si gjithë të tjerët, para syve të Zotit. Kështu krijohet mundësia e shëlbimit edhe për pushtetin që, duke qenë gjithnjë i veshur me autoritet të madh, ka nevojë të përhershme që dikush t’i kujtojë se jeta nuk zgjat pambarim, ashtu edhe pushteti. Vjen një ditë e merr fund. Sepse edhe perandori është krijuar për amshim e asgjë njerëzore nuk mund ta ndihmojë në shtegtimin drejt këtij caku.
Por hapi më i diskutueshëm në politikën e Kostandinit, është pa dyshim ai i lirisë së fesë së krishterë. Nuk është hap i bërë për të përfituar, siç vijon të pohojë ndokush, por vendim absolutisht i paparashikuar. “Kostandini është viktimë e historisë, ose më mirë të themi, e njohjes së pamjaftueshme të figurës së tij ”- kështu u shpreh gjatë takimit kushtuar 1700 vjetorit të Ediktit të Milanos, në Mitingun e Riminit, drejtori i gazetës vatikanase ‘L’Osservatore Romano”, duke ecur në gjurmët e parafolësve. Historia është një lëndë, që shpesh nuk trajtohet si duhet, edhe në mjediset katolike. Kostandini duhet parë si figurë revolucionare, viktimë e miteve historiografike, që kundërshtuan njëri-tjetrin, që më të gjallë të tij.
U përbuz nga paganët e u shikua me mosbesim nga të krishterët, nësa nuk mund të mohohet se gjesti i tij ia hapi portat e krishterimit masave popullore. Kujtojmë se me njërën nga gozhdat e Kryqit, që ia solli e ëma, Helena, nënvizon Ambrozi, ai bëri mëgojëzen (morso) e kalit të tij: e këtë, jo për mungesë respekti, përkundrazi. Ishte një simbol jashtëzakonisht shprehës, gati-gati si të donte të dëshmonte se krishterimi i vë fre pushtetit tokësor.
E kjo temë mbetet jashtëzakonisht aktuale edhe sot e kësaj dite, ndonëse kanë kaluar më se 17 shekuj, sepse “liria e fesë” është ‘Nëna e të gjitha lirive” e “freri i të gjitha pushteteve tokësore”.
Liria e fesë shpallet nga Karta e të drejtave të njeriut, botuar më 1948 nga OKB-ja. Por, në realitet, në shumë vende të botës, e jo vetëm në vendet e prapambetura, nuk njihet.
Në vendet demokratike të botës perëndimore, mungesa e lirisë fetare depërton gjithnjë më shumë në shoqëri me masa, që synojnë ta kufizojnë fenë në jetën private. Tepër shprehëse ishte, ndonjë vit më parë, shlyerja e festës së Krishtlindjes nga bllok-kalendari realizuar si dhuratë nga Bashkimi evropian.
Gjithsesi, ka një mënyrë të pakundërshtueshme, për ta mbrojtur lirinë fetare. E është edhe më e thjeshta: ta dëshmosh haptas në shoqëri fenë tënde!Por, në këtë 1700-vjetor simbolik të Ediktit të Milanos, do të kemi përsëri rastin të flasim për ndikimin e perandorit ilir, Kostandinit, kësaj figure vërtet simbolike e mitike, me të cilën lidhet shprehja e famshme: “In hoc signo vinces!”. Nën këtë shenjë, do të fitosh! Është fjala për shenjën e Kryqit!







All the contents on this site are copyrighted ©.