2012-09-06 15:54:58

Të jesh shenjt në kohën e sotme


Çelësi i fjalëve të Kishës: të jesh shenjt në kohën e sotme, sipas kardinalit Karlo Maria Martini. “Të rinj të të gjitha kontinenteve, mos kini frikë të jeni shenjtorët e Mijëvjeçarit të Ri!” Kjo thirrje është e Papës Gjon Pali II, i cili u fliste kështu të rinjve, me stilin e tij të njohur, në Jubileun e vitit 2000. Duke u bazuar në të, kardinali i ndjerë Karlo Maria Martini, pati bërë një katekizëm për rininë në Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran, ku shpjegonte ç’do të thotë “të jesh shenjt në kohën e sotme”. Ky është edhe argumenti i emisionit tonë të sotëm, gjatë të cilit, do të përdorim pikërisht fjalët e kardinalit, që u nda nga kjo jetë më 31 gusht, duke lënë gjurmën e vet në mendimin e botës katolike.
Shën Pali Apostull, në kapitullin e pestë të Letrës drejtuar Efezianëve, flet për Kishën e thotë se Krishti e ka dashur shumë atë, ka dhënë jetën për të, për ta bërë të shenjtë e për ta pastruar përmes larjes me ujë e përmes Fjalës së Zotit, në mënyrë që të na e linte pa njolla, pa rudha, por të shenjtë e të papërlyer. Qëllimi i Jezu Krishtit është që të gjithë të jemi një gjë e vetme me Të, të na bëjë hyjnorë, të na pastrojë nga njollat e egoizmit, të urrejtjes, të vetëkënaqësisë, të na bëjë bij të vërtetë të Hyjit, sipas vullnetit të Zotit, siç thuhet në vargun e pestë të kapitullit të parë: “Ai na parashënoi për vete të jemi bij në shpirt në saje të Jezu Krishtit me pëlqimin e vullnetit të vet”(Ef 1,5).
Atëherë, të jesh shenjt, qenka shumë e vështirë, duhen bërë shumë përpjekje e nuk dihet se me ç’rezultate?! Në të vërtetë, shën Pali Apostull na thotë vetëm ta lejojmë Zotin të na dojë, ta lemë të na shohë, ashtu siç sheh Jezusin, të jemi bij të Tij në Jezusin, i cili na do, na pastron nga mëkatet e na fal. I Lumi Gjon Pali II i përshkruante mirë karakteristikat e kësaj shenjtërie, që janë pesë. “Të jeni – thoshte ai – kundrues e ta doni lutjen; të jeni koherent me fenë tuaj; të jeni bujarë në shërbimin për vëllezërit; të jeni anëtarë aktivë të Kishës dhe; protagonistë të paqes”.
Të jesh kundrues do të thotë ta vendosësh Jezusin në qendër të jetës e të zemrës. T’i kushtosh së paku dhjetë minuta në ditë heshtjes, me Ungjillin në dorë, e ta lësh atë të veprojë në shpirt. Të jesh koherent me fenë, do të thotë, thjesht, të kesh shpresë, t’i buzëqeshësh jetës, t’i përballosh sakrificat me qetësi e besim në Zotin. Të jesh bujar me vëllezërit, do të thotë të jesh solidar. Të jesh anëtar aktiv i Kishës, do të thotë të jesh i gjallë brenda saj, të jesh i gatshëm, të duash e të falësh. Të jesh protagonist i paqes, do të thotë të çosh në familje, në famulli, në grupin ku bën pjesë, fjalë mirësie, mirëkuptimi e mikpritjeje.
Gjon Pali II thoshte edhe si i bëhet, që këto karakteristika të mbeten të tilla gjithmonë, në jetën e përditshme: “Për të realizuar këtë plan impenjativ jete – thoshte Papa i Lum – dëgjoni Fjalën e Zotit, merrni fuqi nga Sakramentet, sidomos nga Eukaristia e nga Rrëfimi e Pendesa”. Dy veprime, që ushqejnë shenjtërinë e secilit. Por shërben edhe shembulli i shenjtorëve të mëparshëm e sidomos, ai i martirëve – shton në katekizmin e vet kardinali Karlo Maria Martini. E këtu, pati përmendur, ndër të tjerë, popullin shqiptar. Mendoj për Shqipërinë pati thënë për njerëzit që me dhjetëvjeçarë jetuan në kampet e punës së detyruar, ose në burgje, mendoj për dëshmitarët e fesë, viktima të nazizmit e të fashizmit, për ata, që kanë dhënë jetën për Ungjillin në Azi, në Oqeani, për besimtarët e persekutuar në Spanjë e në Meksikë, në Madagaskar e në Afrikë, për besimtarët e Amerikës Latine. Ja, prania e shenjtorëve, sot! Forcën e Jezusit, që është brenda secilit prej nesh, askush nuk mund të pretendojë se e zotëron, por Zoti ia ka dhënë me bollëk këtij shekullit tonë, i cili duket kaq pagan, por është kaq i pasur me martirë e shenjtorë, shumë më tepër se kohë të tjera të historisë”.
Kardinali Martini e pati përfunduar shpjegimin se ç’do të thotë të jesh shenjt në kohën e sotme, me një shembull, që po jua propozojmë edhe ne. Është një letër e shkruar më 1 dhjetor 1994 nga eprori i një kuvendi algjerian, që më pas u vra së bashku me gjashtë murgjër të tjerë trapistë. E ndjente se ç’do t’i ndodhte e, megjithatë, duke na lënë një margaritar për të kuptuar martirizimin, shkruan kështu: “Nëse një ditë do të më qëllonte, e mund të jetë edhe sot, të jem viktimë e terrorizmit… do të doja që bashkësia, Kisha, familja ime të kujtojnë se ia kam dhuruar jetën Hyjit. Do të doja të pranonin se i vetmi Zot i çdo jete nuk mund të jetë i huaj për këtë brutalitet. Do të doja të luteshin për mua. Si të jem i denjë për një ofertë të tillë! Do të doja ta bashkojnë vdekjen time me shumë të tjera, të dhunshme edhe ato, të lëna në indiferencë e në anonimat. Jeta ime nuk ka më vlerë se të tjerat, por as më pak e, gjithsesi, nuk e ka më pafajësinë e fëmijërisë. Kam jetuar aq, sa ta di se jam bashkëfajtor i së keqes… Kur të vijë momenti, dua të jem aq i kthjellët, sa të mund t’i kërkoj Zotit e vëllezërve falje, duke e falur me gjithë zemër atë që më ka bërë keq, e duke të falur edhe ty, mik i orës së fundit, që nuk do të dish ç’po bën…po, edhe për ty, dua ta falenderoj Zotin, fytyrën e të cilit e shoh edhe tek ti. Shpresojmë të takohemi përsëri, si dy hajdutë në gëzimin e Parajsës, nëse kështu do t’i pëlqejë Zotit, Atit tonë, Atit të të dyve”.
Përfundon kardinali Martini: “Shkoi kështu, së bashku me shokët, drejt vdekjes me dhunë, duke mbajtur në zemër fjalët e faljes. Ja shenjtëria e sotme, ajo që Jezusi përmbush, ajo që Shpirti i Shenjtë shpreh me dobësinë tonë. Askush nuk mund ta dijë nëse e ka këtë forcë, por mund t’ia besojmë veten Zotit e Jezusit, që vepron në ne”.







All the contents on this site are copyrighted ©.