2012-09-05 17:22:14

Papa në audiencën e përgjithshme: Jezusi mban në duart e veta, Kishën e të gjitha kohërave


Është Krishti, që ka në dorë fatet e Kishës e për t’i kuptuar orientimet e tij, i krishteri ka një mënyrë të vetme: të lutet. Në audiencën e përgjithshme, që sot, për herë të parë pas pushimeve verore, u kremtua në Sallën Pali VI në Vatikan, Papa Benedikti XVI vazhdoi katekizmin e tij mbi lutjen, duke komentuar Librin e Zbulesës.
Mund të jesh njeriu më i vetmuar i kësaj bote, më i trishtuari, por nëse lutesh Zoti të ngushëllon pikërisht në çastet më të errta. Do të mësosh ta duash Zotin, ta ndjesh miqësinë e Krishtit. Kështu, do të vazhdosh të lutesh, sepse nuk mund të bësh tjetër, pasi e ndjen dashurinë, që ta ndryshon jetën. Fjalët e Papës i folën sot zemrës së të pranishmëve, që kishin mbushur plot Sallën Pali VI. Benedikti XVI e quajti “të vështirë” Librin e Zbulesës së Shën Gjonit dhe paraqiti sintetikisht tri fazat, që përbëjnë pjesën e parë të tij. Faza e parë: asambleja dhe lexuesi, që i paraqet asaj mesazhin, të cilin Jezusi ia ka besuar ungjilltarit. Asambleja dëgjon Zotin, që flet, tha Papa:
“Lutja jonë duhet të jetë, para së gjithash, dëgjim i Zotit, që na flet. Të mbytur nga kaq shumë fjalë, nuk e kemi zakon të dëgjojmë, sidomos të jemi gati brenda e jashtë vetvetes për heshtjen, që të jemi të vëmendshëm ndaj asaj, që dëshiron të na thotë Zoti. Ato rreshta [të Zbulesës] na mësojnë gjithashtu, se lutja jonë, shpesh vetëm me kërkesa, duhet t’i thurë së pari, lavde Hyjit për dashurinë e Tij, për dhuratën e Jezu Krishtit, që na solli forcë, shpresë e shëlbim”.
Kur e dëgjon Zotin, asambleja e pranon Atë. Hyji i paraqitet si fillim e mbarim i historisë, i pranishëm në ngjarjet njerëzore me dashurinë e Vet, deri në fundin e botës. Edhe në këtë rast, vërejti Benedikti XVI:
“Lutja e vazhdueshme zgjon brenda nesh ndjenjën e pranisë së Zotit në jetë e në histori e, kjo prani na mban, na udhëheq e na dhuron shpresë të madhe, edhe në mesin e errësirës të disa ngjarjeve njerëzore; përveç kësaj, çdo lutje, edhe ajo që bëhet në vetminë më të thellë, nuk është izolim, nuk është kurrë e shterpët, por është linfa jetësore që ushqen jetën e krishterë, gjithnjë e më e impenjuar e më koherente”.
Në fazën e dytë, Krishti është më afër asamblesë, lejon që bashkësia e njerëzve ta shohë, i flet asaj dhe vepron në të. Është një çast kundrues i gjatë, që në Librin e Zbulesës paraqitet me dritë e zjarr, simbole – tha Papa – të dashurisë xheloze të Zotit, të përjetësisë së Tij, të fitores së Tij mbi të keqen. Shën Gjoni e quan “provë e mrekullueshme e të Ringjallurit”, pikën kur i ra të fikët:
“Diçka e bukur, ky Zot, para të cilit [shën Gjonit] i ra të fikët, bie si të ishte i vdekur. Është miku i jetës e i vendos dorën mbi krye. E kështu do të jetë edhe për ne: jemi miq të Jezusit. Prandaj, zbulesa e Zotit të Ringjallur, e Krishtit të Ringjallur, nuk do të jetë e tmerrshme, por do të jetë takim me një mik”.
Në fazën e tretë, Jezusi flet vetë. U drejton një mesazh shtatë kishave të Azisë së Vogël, por duhet kuptuar si mesazh për Kishat e të gjitha kohërave, theksoi Papa:
“Të gjitha Kishat duhet ta dëgjojnë me vëmendje Zotin, t’ia hapin zemrat Shpirtit Shenjt, ashtu siç kërkon me këmbëngulje Jezusi, duke e përsëritur këtë urdhërim, shtatë herë: “Kush ka veshë, të dëgjojë ç’u thotë Shpirti Kishave”. Asambleja e dëgjon mesazhin e nxitet të pendohet, të kthejë zemrën kah Hyji, të ngulmojë, të rritet në dashuri, merr orientimin për udhën e vet”.
Në fund, Papa përshëndeti të pranishmit në gjuhë të ndryshme, sidomos të rinjtë fokolarinë, që vinin nga “Genfest” i Hungarisë, dhe u dha të gjithëve Bekimin e tij Apostolik.







All the contents on this site are copyrighted ©.