Sipas Artistes së Popullit Marie Kraja, mike e familjes se Gonxhe Bojaxhiut, dita
më e bukur e jetës së Nënë Terezës, pas asaj kur iu dhurua plotësisht Krishtit, ka
qenë hera e parë, kur pas 50 vjetësh, vizitoi Shqipërinë, në vitin 1989. Fqinjët e
shtëpisë së prindërve të saj, që vonë ia kishin mësuar emrin, çuditeshin kur shihnin
gruan e vogël, me famë të madhe, të shkelte në rrugicën e tyre me këmbët e zbathura,
tregonte Marie Kraja. Nënë Tereza haste vështirësi me shqipen, pas 70 vjetësh,
që ishte larguar nga trojet shqiptare, por kurrë nuk e ka mohuar origjinën e saj.
Shkrimet e saj në shqip janë letrat e rinisë dhe më pas ato me familjen; është përshëndetja
në shqip drejtuar popullit shqiptar pas fitimit të çmimit Nobel, më 1979 dhe lutja
në shqip, transmetuar nga Radioja Zëri i Amerikës, më 17 qershor 1978. Jo të gjithë
e dinë se për të ardhur në Shqipëri, Nënë Terezës iu desh të dërgonte tri letra. Ajo,
që i pati dërguar Komitetit Shqiptar për Marrëdhëniet me Jashtë, nuk mori kurrë përgjigje.
Një letër tjetër ia kishte nisur Ramiz Alisë, President i Republikës në vitin 1989,
të cilit i theksonte se “për 60 vjet kam vizituar shumë e shumë vende, por jo atdheun
tim”. Kurse letrën e tretë ia kishte drejtuar kryetares së Frontit Demokratik, Nexhmije
Hoxhës, se cilës i lutej që ta ndihmonte për të shkuar në Shqipëri, pasi donte të
shihte varrin e nënës së saj. Më në fund, e para pasaportë për nënshtetas të huaj
me origjinë shqiptare (për këtë rast ishte diplomatike), iu dha pikërisht Nënë Terezës,
e cila vizitoi Shqipërinë më 1989. Nënë Tereza kishte gjithashtu pasaportë nga India,
Vatikani, Britania e Madhe dhe Italia. Kur i thanë për pasaportën shqiptare, ajo u
përgjigj: E pranoj me kënaqësi, sepse është pasaporta e vendit tim; atje kam nënën
dhe motrën, atje kam miq e të njohur, atje shumë shpejt do të hapim misionin tonë
e unë do të jem vetë aty. Kur mori çmimin Nobel në vitin 1979, amerikanët i ofruan
nënshtetësinë amerikane dhe pasaportën, por ajo nuk pranoi. Kur erdhi për herë
të dytë në Shqipëri, në gusht 1992, ajo i shkruan një letër të shkurtër Ramiz Alisë,
i cili në atë kohë ishte futur në burg: “…Ju falenderoj që dhatë leje për hapjen
e misionit tonë në Shqipëri…Le të lutemi së bashku për popullin tonë. Lutu edhe ti!
…” E shkoi edhe në varrin e Enver Hoxhës për të çuar një tufë lule, në mesin e
habisë e të kundërshtisë së përgjithshme. Atëherë, pak e kuptonin ç’do të thotë të
jesh shenjt. Kush ka akoma dyshime për faktin se Nënë Tereza shkoi të lutet mbi varrin
e Enver Hoxhës jo për diktatorin, por për shpirtin e njeriut, që të mos humbiste në
flakët e ferrit, mund ta ndihmojë, ky pasazh i fjalimit të saj në selinë e OKB-së,
në Nju Jork, ku qe ftuar më 25 tetor 1985: “Herën e fundit kur isha në Kinë
më pyetën: “Nënë Tereza, ç’është komunisti për ju?” Unë iu përgjigja: “Komunisti është
bir i Zotit, vëllai im, motra ime”. Kështu jemi absolutisht, ju dhe unë: motra dhe
vëllezër. E njëjta dorë e dashur e Zotit na ka krijuar ju dhe mua, por edhe njeriun
në rrugë, të gërbulurin, të uriturin, dhe të pasurin, njësoj për të njëjtin qëllim:
për dashuri të dyanshme. Dhe kështu unë e ju së bashku kemi ardhur sot për të gjetur
mjetet e paqes”. E pikërisht për paqen, pati folur në OKB, e Lumja shqiptare,
e cila u paraqit kështu nga Sekretari i Përgjithshëm, Havier Peres De Kuelar: “Nënë
Tereza është OKB-ja. Ajo është paqja në botë. Nuk kërkon fjalë, por vepra. Kjo është
e madhe, më e madhe se të gjithë ne sot. Kjo është forca e botës, sepse jetën e saj
e lidhi me dashurinë për njerëzit, me të varfërit, me të uriturit, që ata të mos vdesin,
me më të braktisurit e më të harruarit e botës, edhe me ata buzë varrit”. E çfarë
tha Nënë Tereza për paqen? “Si vjen paqja? Nëpërmjet punës, që e bëjmë me dashuri.
Ku fillon? Në shtëpi. Si fillon? Duke u lutur së bashku. Një familje, që lutet së
bashku, jeton së bashku. Dhe në qoftë se jetoni bashkë, do ta doni njëri-tjetrin,
ashtu siç e do Zoti secilin prej jush. Lutjet e bëjnë zemrën të pastër dhe zemra e
pastër e sheh Zotin te tjetri dhe, në qoftë se e shohim Zotin te njëri-tjetri, atëherë
do të duhemi. Dhe t’i shmangim ndarjet racore, fetare, ose etnike. Jemi të gjithë
njësoj bijtë e së njëjtës dorë të dashur të Zotit, të krijuar për gjëra të mëdha.
Ta ndjejmë kënaqësinë e dashurisë”. Në vitin 1991, pas rënies së komunizmit,
presidenca shqiptare krijoi dekoratat “Urdhëri Nënë Tereza e Artë” dhe “Nënë Tereza
e Argjendtë”. Ky urdhër do t’u jepej veprimtarëve, që do të shquheshin në shërbimin
për njerëzit. Ramiz Alia e dekretoi një urdhër të tillë, por nuk e dha ndonjëherë,
ndoshta me pretekstin se në Shqipëri nuk kish të varfër e nuk kish vend për shërbime
bamirësie. Sali Berisha, që zuri vendin e tij, e dha aq shumë këtë urdhër sa e shpërdoroi.
Rexhep Meidani gati e harroi. Sot nuk ndihet më, a thua se aftësia e shqiptarëve për
t’i shërbyer e për t’i bërë mirë njëri-tjetrit është shuar krejtësisht. Nënë Tereza
ndërroi jetë në Kalkutë të Indisë, më 5 Shtator 1997. Lumnimi i bamirëses shqiptare
u kremtua më 19 tetor 2003, në Sheshin e Shën Pjetrit ne Vatikan, nga Papa Gjon Pali
II. U ndoq nga 250 mijë njerëz dhe u filmua nga të gjitha televizionet e botës. Shtatore
të saj ngrihen sot në Tiranë, Prishtinë, Bratislavë (Sllovaki), Strasburg (Francë),
Tenenerife (Madagaskar), Johanesburg (Afrika e Jugut), etj. Bota nuk e harron shqiptaren,
që e bëri të njohur Shqipërinë, pavarësisht se bashkëkombasit e saj, nganjëherë, e
përdorin emrin e së Lumes pa e merituar atë. Presidenti i atëhershëm amerikan, Bill
Klinton, në qershor 2002, pati deklaruar botërisht: “Nënë Tereza, ishte ajo, e para,
që më bëri ta dua kombin shqiptar. Dhe tani ndihem shumë krenar që plotësova një detyrë
morale ndaj saj dhe ndaj vlerave të lirisë” (fjala ishte për ndihmën amerikane në
luftën e Kosovës). E të mendosh se kur e Lumja shqiptare fliste në OKB, me fjalë që
u transmetuan drejtpërdrejt nga shumë televizione e radio në të gjithë botën, përfaqësuesit
e Shqipërisë u ngritën në këmbë dhe e braktisën Asamblenë, në shenjë proteste. Po
çfarë i lanë historisë diplomatucët e regjimit komunist? Vetëm karriget bosh, nga
të cilat ktheheshin të gjitha telekamerat e çuditura të botës, se sa për Nënë Terezën,
mjafton të kthesh kokën në qoshen e parë të rrugës, ku shtrihet përtokë një i pastrehë
e i braktisur e do të shohësh sarin e bardhë me vija blu, përkulur mbi mjerimin e
njerëzimit. Puhizë e lehtë parfumi shenjtërie, që vazhdon të ndihet!
(Bazuar
pjesërisht në librin "Nënë Tereza në sytë e botës" të Mehmet Gëzhillit dhe në artikullin
"Gonxhe Bojaxhiu - Nënë Tereza - Shqiptarja e shenjtëruar" e Saimir Lolja)