2012-09-04 14:56:10

Kongresi dytë panafrikan i laikëve katolikë.


Filloi sot në Jaundé të Kamerunit e do të përfundojë më 9 shtator, Kongresi i dytë panafrikan i laikëve katolikë, me temë “Të jesh dëshmitar i Jezu Krishtit në Afrikën e sotme. ‘Kripa e Tokës… drita e botës’(Mt 5,13-14)”. Kongresi, i organizuar nga Këshilli Papnor për Laikët, zhvillohet pas vizitës së Papës Benedikti XVI në Kamerun e Angola në vitin 2009 e, në Benin, në vitin 2011. Mbi objektivat e Kongresit, flet në mikrofonin tonë, kardinali Stanislau Rilko, kryetar i Këshillit Papnor për Laikët:
Kongresi dëshiron të rizgjojë në laikët katolikë frymën e përgjegjësisë së përbashkët e të impenjimit të domosdoshëm në misionin e kumtimit të Krishtit në kontinentin afrikan. Të jemi misionarë e ta dëshmojmë fenë është pjesë e identitetit tonë të krishterë. E gjithë Kisha është misionare, është në natyrën e saj. E në kohët tona, misioni ungjillëzues i Kishës në Afrikë duhet të përballojë sfida të vështira, ka përpara skenarë të rinj në fushën fetare, shoqërore, kulturore, ekonomike dhe politike. Një nga objektivat kryesore të Kongresit është reflektimi i kujdesshëm mbi përgjigjet që mund t’u japë atyre laikati afrikan.







All the contents on this site are copyrighted ©.