Gjon Pali II në ceremoninë e Lumturimit të Nënë Terezës
Homelia e Atit të Shenjtë Gjon Palit II, mbajtur gjatë kremtimit të Eukaristisë
në Lumnimin e Nënë Terezës 1."Kush dëshiron të jetë i pari ndërmjet
jush do të jetë shërbëtori i të gjithëve" (Mc. 10, 44) . Këto fjalë
të Jezusit drejtuar nxënësve, që jehuan rishtas pak më parë në këtë Shesh, tregojnë
cila është rruga që çon në "madhështinë" ungjillore. Eshtë e njëjta rrugë që përshkoi
vetë Krishti, deri në Kryq; një udhë dashurie e shërbimi, që përmbys çdo logjikë njerëzore.
"Të jesh shërbëtor i të gjithëve!". Nga kjo logjikë është udhëhequr Nënë Tereza
e Kalkutës, Themeluese e Misionareve e Misinarëve të Bamirësisë, të cilën sot
kam gëzimin ta shkruaj në Librin e të Lumturve. I jam mirënjohës personalisht kësaj
gruaje guximtare, të cilën e kam ndjerë gjithnjë pranë meje. Ikonë e Samaritanit
të mirë, ajo shkonte gjithandej për t’i shërbyer Krishtit ndër më të varfrit.
S’kishte luftë as konflikt që ta ndalonte. Herë pas here vinte të më fliste për
përvojën e saj në shërbim të vlerave ungjillore. Kujtoj, për shembull kur,duke marrë
Çmimin Nobel, pati thënë: “Në se dëgjoni se ndonjë grua nuk do ta mbajë fëmijën e
saj e dëshiron ta abortojë, përpiquni ta bindni të ma sjellë mua atë fëmijë. Unë do
ta dua, duke parë në të shënjën e dashurisë së Hyjit” (Oslo, 10 dhjetor 1979).
2.
A s’është domethënës fakti që Lumnimi i saj ngjet pikërisht në ditën kur Kisha kremton
Ditën Misionare Botërore. Me dëshminë e jetës së saj Nënë Tereza na kujton
se misioni ungjillëzues i Kishës kalon përmes dashurisë e bamirësisë së krishterë,
të ushqyer nga lutja e nga dëgjimi i Fjalës së Zotit. Simbol i këtij stili misionar
është figura që e paraqet të Lumen e re duke shtrënguar, me njërën dorë, atë të një
fëmije e, me tjetrën, Rruzaren Shenjte. Kundrim e veprim, ungjillëzim e përparim njerëzor:
Nënë Tereza e kumtoi Ungjillin me jetën e saj të cilën ua dhuroi plotësisht të
varfërve, e njëkohësisht, lutjes.
3. “Kush dëshiron të jetë
i madh ndërmjet jush, duhet të bëhet shërbëtori juaj" (Mk. 10. 43). Me emocion
të posaçëm po kujtojmë sot Nënë Terezën, shërbëtoren e madhe të të varfërve, të Kishës
e të botës. Jeta e saj është dëshmi e dinjitetit dhe e privilegjit të shërbimit të
përvuajtur. Ajo nuk pati vendosur të ishte thjeshtë e fundmja, por shërbëtorja e njerëzve
më të fundmë. Si Nënë e vërtetë e të varfërve, ajo vendosi t’i provojë vetë format
e ndryshme të varfërisë. Madhështia e saj qëndron në aftësinë për të dhënë pa pritur
shpërblim, për të dhënë “deri në dhëmbje”. Jeta e saj radikale, ishte Ungjill i gjallë.
Britma e Krishtit në kryq "Kam etje!" (Gjn. 19: 28), që shpreh dëshirën e thellë të
Zotit për njeriun, hyri në thelb të shpirtit të Nënë Terezës dhe gjeti një tokë pjellore
në zemrën e saj. Të shuash etjen e Jezusit për dashuri dhe për shpirtra njerëzore,
në bashkim me Shën Marinë, Nënën e Krishtit, u bë qëllimi i vetëm i jetës së Nënë
Terezës; u bë forcë e brëndshme, që e shtynte atë të mos kujdesej për vetveten dhe
të vraponte papushim rreth e përqark globit për të punuar për shpëtimin dhe shenjtërimin
e më të varfërve ndër të varfër.
4. “Atë që bëni për më të voglin e
këtyre vëllezëve të mi, ma keni bërë mua”. (Mt. 25: 40) Kjo pjesë e Ungjillit
kaq e rëndësishme për të kuptuar shërbimin e Nënë Terezës ndaj të varfërve, ishte
baza e bindjes së saj, e besimit se duke prekur trupat e shkatërruar të të varfërve,
prekte Korpin e Krishtit. Ajo i shërbente vetë Jezusit, të fshehur pas pamjes
së mjerë të të varfërve më të varfër. Nënë Tereza zbuloi kuptimin më të thellë të
shërbimit si vepër dashurie që, duke u bërë për të uriturit, të eturit, të huajtë,
të zhveshurit, të sëmurët, të burgosurit, (cf. Mt. 25: 34- 36), bëhet për vetë Jezusin.
Duke e parë atë tek të varfërit, ajo i shërbeu me devocion të thellë, dhe
shprehu kështu delikatesën e dashurisë për Dhëndrrin e saj. Prandaj në dhurimin e
plotë të vetvetes për Zotin dhe për të afërmin, Nënë Tereza e realizoi plotësisht
vetveten dhe zbuloi cilësitë më fisnike të femërsisë së saj. Ajo donte të
ishte një shenjë e dashurisë së Zotit, e pranisë së Zotit, e mëshirës së Zotit, dhe
kështu na kujton të gjithëve vlerën dhe dinjitetin e secilit prej bijve të Zotit,
që janë krijuar për t'u dashur dhe për të dashur. Prandaj Nënë Tereza ishte ajo që
i çonte shpirtrat tek Zoti e Zotin tek shpirtrat dhe shuante etjen e Krishtit, sidomos
për ata që kishin më shumë nevojë, për ata që e shikonin vagëllimthi fytyrën e Zotit,
me sytë e mjegulluar nga vuajtja e dhimbja.
5. "Biri i njeriut
ka ardhur për të dhënë jetën e vet në shpërblim të shumkujt" (Mc 10, 45).
Nënë Tereza jetoi mundimet e Tij të dhimbshme posaçërisht në vitet e gjata "të errësirës
së brëndshme". Kjo provë, të cilën ajo e pranoi si "dhuratë e privilegj", i shkaktoi
dhimbje të thekshme. Në orët më të errta, ajo lutej edhe më fort para të Shenjtnueshmit
Sakrament. Kjo tronditje e rëndë shpirtërore e bëri të njësohej gjithnjë më shumë
me ata, të cilëve u shërbente çdo ditë, duke provuar dhimbjen e nganjëherë,
dhe braktisjen. I pëlqente të përsëriste se varfëria më e madhe është të jesh i
padëshirueshëm, të mos kesh njeri që kujdeset për ty.
6. “Na e jep
o Zot hirin tënd, në ty shpresojmë!" Sa herë, ashtu si Psalmisti, edhe Nënë
Tereza, në çastet e përhumbjes shpirtërore i përsëriti Zotit të vet. "Në Ty, në Ty
shpresoj, Zoti im!" Ta lavdërojmë këtë grua të vogël, të dashuruar me Zotin, këtë
lajmëtare të përvuajtur të Ungjillit e bamirëse të palodhur e njerëzimit. Nderojmë
në të një nga personalitetet më të rëndësishme të epokës sonë. Ta pranojmë mesazhin
ta ndjekim shembullin e saj. Virgjër Mari, Mbretëreshë e të gjithë shenjtërve,
na ndihmo të jemi zemërbutë e të përvujtë, si kjo lajmëtare sypatrembur e dashurisë. Na
ndihmo t’i shërbejmë me gëzim e buzëqeshje çdo njeriu që takojmë. Na ndihmo të jemi
misionarë të Krishtit, paqja jonë e shpresa jonë. Amen! Vatikan, 19 tetor
2003