2012-09-04 12:14:17

Dritarja Evropiane – "Kisha dhe Evropa"


Fillon këtë javë një nismë e re e Radio Vatikanit, që hap një dritare mbi Evropën, problemet e dëshirat e saj. Çdo dy javë, redaksitë e programeve evropiane do të bëjnë një reflektim të përbashkët për temat e sfidat e Kishës e të shoqërisë në Kontinentin e Vjetër. Në konceptimin e Radio Vatikanit, Evropë nuk është vetëm Bashkimi Evropian, por të gjitha vendet, që përfshihen “nga Atlantiku në Urale”, siç i pëlqente të thoshte Gjon Palit II. I pari nga këto këndvështrime është i drejtorit tonë të programeve, atë Andrezj Koprowski, S.I., të cilin po jua propozojmë më poshtë:

Bibla përshkruan historinë e lashtë të ndërtimit të Kullës së Babelit. Ndërsa njerëzit punonin së bashku për të ndërtuar kullën, papritmas kuptuan se po viheshin njëri kundër tjetrit. Ndërsa përpiqeshin të ishin si Zoti, kishte rrezik të mos ishin më as njerëz, sepse kishin humbur elementin themelor të qenies njerëzore: aftësinë për t’u marrë vesh, për t’u kuptuar, për të punuar së bashku.
Kriza ekonomike e ka mbërthyer Evropën si me darë. Shkaqet nuk janë vetëm evropiane e as vetëm ekonomike, por kanë tjetër zanafillë, si kriza financiare në SHBA-të; zhvillimi dinamik i Azisë; pasojat e rënda të rritjes së papunësisë, me ndikim më të përgjithshëm në mungesën e perspektivës për brezat e rinj; mungesa e këndvështrimit mbi edukimin sipas nevojave të indit shoqëror e kulturor të së ardhmes; vështirësitë e formulimit të një politike shoqërore, që mbështet familjen; kriza demografike, në kuadrin e rritjes së emigracionit drejt Evropës, me të gjitha pasojat kulturore e shoqërore të saj; efektet afatgjata të ideologjive e të grupeve – që nuk reflektojnë për bashkësinë, për të ardhmen e shoqërisë civile – mbi liritë themelore të individit, etj..
Edhe kuadri i zhvillimit është policentrik. Protagonistët e shkaqet, si të nënzhvillimit, ashtu edhe të zhvillimit, janë të shumta; fajet e meritat ndryshojnë nga njëri tek tjetri. Ideologjitë e thjeshtojnë artificialisht realitetin, ndërsa duhet shqyrtuar rëndësia e problemeve për njerëzit: çështja shoqërore e kthyer radikalisht në çështje antropologjike, fekondimi me epruvetë, puna kërkimore mbi embrionet, mundësia e klonimit dhe e hibridizimit të njeriut, absolutizmi i teknikës krijojnë skenarë të mundshëm shqetësues për të ardhmen e njeriut, edhe përmes mjeteve të reja, që ka në dispozicion “kultura e vdekjes”.
E dobësuar nga pikpamja demografike e kulturore, e pasuruar nga miliona qytetarë të rinj, që vijnë nga kontinente, kultura e fe të ndryshme, Evropa bën hapa vendimtare përpara për të ardhmen e vet. Që në vitin 1997, pas takimit të Gnieznos, ndërmjet shtatë presidentëve të vendeve evropiane dhe Gjon Palit II, presidenti i Republikës Federale Gjermane, Herzog pati thënë: “Sot, ndryshimet janë shumë të shpejta. Nëse pas 25 vjetësh, Evropa do të mbetet kontinent autonom, apo vetëm një shtojcë e mas mediave amerikane, ose e industrisë aziatike, do të varet nga fakti nëse ajo, në çastin e duhur, do ta gjejë sërish dinamizmin e vet, atë që ka trashëguar nga krishterimi për shekuj”.
Benedikti XVI shton: “Në situatën shumëkulturore, në të cilën jemi të gjithë, shihet se një kulturë evropiane vetëm racionaliste e pa përmasën fetare transhendentale, nuk do të jetë në gjendje të hyjë në dialog me kulturat e mëdha të njerëzimit, të cilat e kanë këtë përmasë fetare transhendentale, që është përmasë e qënies njerëzore… Prandaj, mendoj se detyra dhe misioni i Evropës është pikërisht ta rifillojë këtë dialog, ta integrojë fenë me racionalitetin modern në një këndvështrim të vetëm antropologjik, që e plotëson njeriun dhe i bën kështu, të komunikueshme, kulturat njerëzore” (Konferenca e shtypit në udhëtim drejt Portugalisë, 11 maj 2010).
Në këtë kontekst, çfarë bën Kisha? Ajo nuk ka zgjidhje teknike për të ofruar, nuk pretendon të ndërhyjë në politikat shtetërore, por mund të thotë diçka për një shoqëri më njerëzore, për dinjitetin e saj, për cilësinë dhe zhvillimin e saj kulturor e civil.
Që prej mëse dy vjetësh, Radio Vatikani, falë shkëmbimit ndërmjet gazetarëve që vijnë nga Afrika, ofron Editorialin Afrikan në gjashtë gjuhë e kështu, jep kontributin e vet në një reflektim më të gjerë për një situatë shumë të ndërlikuar. Që sot, shtohet edhe Editoriali Evropian, shprehje e mendimeve të bazuara në magjisterin kishtar e në përvojën e vendeve të ndryshme të Kontinentit të Vjetër, parë në perspektivën e Kishës universale “romake”.

Atë Andrzej Koprowski S.I.
Drejtor i programeve të Radio Vatikanit







All the contents on this site are copyrighted ©.