2012-09-03 16:04:01

Papa në Engjëllin e Tënzot: Zoti është dashuri, por shumë të krishterë e duan si të ishin farisej. Jam i lumtur për udhëtimin në Liban


Zbatimi i përditshëm i ligjit të Ungjillit e çliron të krishterin nga rreziku i besimit të rremë. Këtë theksoi Papa Benedikti XVI para Lutjes së djeshme të Engjëllit të Tënzot, në Pallatin Apostolik të Kastel Gandolfos. Gjatë përshëndetjes në gjuhën frënge, Papa shprehu gëzimin e tij për vizitën e ardhshme, që do të kryejë në Liban, nga 14 deri më 16 shtator.
Ati i Shenjtë kritikoi ata që kujtojnë se janë në rregull me ndërgjegjen, kur flasin për Zotin me fjalë devocioni të sipërfaqshëm, por nga ana tjetër, vazhdojnë të vënë në plan të parë të jetës, interesat e tyre personale, “hyjni” të vërteta edhe për disa të krisherë. Ky është tundim i lashtë sa njeriu, shpjegoi Papa, duke komentuar liturgjinë e djeshme, që i kushtohej Ligjit të Zotit. Ai, theksoi Benedikti XVI, përkon me vetë Fjalën e Zotit, e cila e çliron njeriun nga egoizmi dhe e bën të hyjë në “tokën” e lirisë e të jetës së vërtetë:
“Prandaj, në Bibël, Ligji nuk shihet si peshë e rëndë, si kufizim ndrydhës, por si dhurata më e çmuar e Zotit, dëshmia e dashurisë së Tij atërore, e vullnetit të Tij për t’i qëndruar afër popullit të vet, për të qenë Aleati i tij e për të shkruar së bashku me të një histori dashurie”.
Por shpesh, nënvizoi më tej Papa, zemra e njeriut nuk është kaq në sintoni me Hyjin. Ati i Shenjtë dha shembullin e popullit hebraik të Besëlidhjes së Vjetër, i cili, megjithëse kishte Ligjin hyjnor dhënë Moisiut, fillon të adhurojë zotat e rremë:
“Ja problemi: kur populli vendoset në tokën e vet e është depozituesi i Ligjit, tundohet t’ia besojë sigurinë dhe gëzimin diçkaje, që nuk është më Fjala e Zotit: pasurisë, pushtetit, “hyjnive” të tjera, që në të vërtetë janë të kota, janë idhuj”.
Natyrisht, vërejti më pas Benedikti XVI, Zoti nuk fshihet nga faqja e dheut. Ligji i Tij mbetet, por nuk është më i rëndësishëm, nuk është më norma e jetës. Ashtu siç vë në dukje Krishti në Ungjill para farisejve, për të cilët Ligji hyjnor është bërë diçka tjetër, pavarësisht se flasin gjithë ditën për të:
“Është bërë më shumë një lloj veshjeje, një lloj mbulese, ndërsa jeta ecën në rrugë të tjera, ndjek norma të tjera, interesa shpesh egoiste, individuale, ose kolektive. E kështu, feja e humb kuptimin e saj të vërtetë, që është të jetosh duke dëgjuar Zotin, për të zbatuar vullnetin e Tij – kjo është e vërteta e qenies sonë… (Feja) reduktohet në praktikë dytësore zakoni, që kënaq vetëm nevojën njerëzore për të qenë në rregull me Zotin. Ky është rrezik i madh për çdo fe, rrezik, që Jezusi e preku me dorë në kohën e vet, por që, fatkeqësisht, mund të verifikohet edhe në krishterimin e sotëm”.
Pas Lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa Racinger përshëndeti në pesë gjuhë të ndryshme, besimtarët e mbledhur në oborrin e Pallatit Apostolik të Kastel Gandolfos. Në frëngjisht, iu drejtua libanezëve të pranishëm, duke i siguruar se e pret me gëzim të madh vizitën në vendin e tyre e, se lutet vazhdimisht për ta. Gjithashtu, Ati i Shenjtë përshëndeti veçanërisht çiftet, që festonin 25-vjetorin e martesës.







All the contents on this site are copyrighted ©.