2012-09-03 16:55:02

Kremtohet funerali i kardinalit Karlo Maria Martini. Papa: “u mësoi besimtarëve se e vetmja Fjalë e denjë, është ajo e Zotit”


Besimtarë e jo besimtarë nga Italia e krejt bota i dhanë lamtumirën e fundit kardinalit Karlo Maria Martini, kryeipeshkëv nderi i dioqezës menegine, sot, në orën 16.00 në Milano. Sipas traditës, varri i tij do të jetë brenda Katedrales, pranë elterit të të Kryqëzuarit, në vendin e zgjedhur nga vetë kardinali jezuit. Funerali u kremtua nga kryeipeshkvi aktual i Milanos, kardinali Anxhelo Skola në një atmosferë mallëngjimi të përgjithshëm, në një kishë të mbushur aq sa nuk nxinte më e me njerëz të shumtë, derdhur në sheshin para Duomos së Milanos. Papa Benedikti XVI përfaqësohej nga Mëkëmbësi i tij për Qytet-Shtetin e Vatikanit, kardinali Anxhelo Komastri, i cili lexoi edhe mesazhin e Atit të Shenjtë për këtë rast të dhimbshëm.
Pasi u shpreh afërsinë shpirtërore të afërmve, popullit të kryedioqezës së Milanos, Shoqërisë së Jezusit e të gjithë atyre, që e vlerësuan dhe e deshën kardinalin Martini, Papa merr fjalët e psalmistit, për të komentuar jetën e këtij bariu bujar e besnik ndaj Ungjillit e Kishës Katolike. “Fjala jote është dritëz për këmbët e mia, dritë për udhët e mia” (Ps 119(118), 105): psalmi 119 përshkruan më së miri kardinalin Martini, njeri i Zotit, thekson Benedikti XVI, që jo vetëm e ka studiuar Shkrimin Shenjt, por ishte edhe i dashuruar me të, e ktheu në dritën e jetës së vet, që gjithçka të ishte “ad maiorem Dei gloriam”, për lavdinë më të madhe të Hyjit.
“Pikërisht për këtë – lexoi mesazhin e Papës Racinger, kardinali Komastri – qe në gjendje t’u mësojë besimtarëve dhe atyre, që janë në kërkim të së vërtetës, se e vetmja Fjalë, e denjë për t’u dëgjuar, për t’u pranuar e për t’u ndjekur, është ajo e Zotit, sepse u tregon të gjithëve udhën e së vërtetës e të dashurisë”.
E shpalljen e kësaj Fjale, kardinali Martini e bëri me zellin shpirtëror, që kërkonte shën Pjetri, kur u thoshte të krishterëve të jenë gjithnjë gati t’i përgjigjen kujtdo, që u kërkon arsyet e shpresës brenda tyre (1 Pjt 4,13). Motoja e tij ipeshkvnore “Pro veritate adversa diligere” (Për hir të së vërtetës të parapëlqesh [atë, që mendon] të kundërtën) tregonte që në fillim kujdesin e kryeipeshkvit të Milanos për të gjitha situatat, sidomos për ato më të vështirat, për ata që e kanë humbur rrugën e drejtë, për kë jeton në varfëri e në vuajtje. Papa kujtoi në mesazh, njërën nga homelitë e kardinalit Martini, i cili lutej kështu:
“Të lutemi, o Zot, të na bësh ujë burimi për të tjerët, bukë të ndarë për vëllezërit, dritë për ata, që ecin në errësirë; jetë për ata, që lëkunden verbtazi mes hijeve të vdekjes. O Zot, qofsh jeta e botës; o Hyj, na udhëhiq drejt Pashkëve të tua; së bashku do të ecim drejt Teje, do të mbajmë Kryqin tënd, do të shijojmë bashkimin me Ngjalljen tënde. Së bashku me Ty do të shkojmë drejt Jeruzalemit Qiellor, drejt Atit” (Homelia e 29 marsit 1980).
Testament i një njeriu të madh, i vlefshëm për të gjithë të krishterët. Pikërisht me këtë citim, Papa Benedikti XVI e përfundon mesazhin e tij dhe u jep të gjithëve Bekimin Apostolik.







All the contents on this site are copyrighted ©.