2012-09-03 12:54:31

Atë Pal Dodaj, ofm në përvjetorin e lindjes


Atë Pal Dodaj, ofm në përvjetorin e lindjes, mbrojtës i vlerave ungjillore, kultivues idealeve të lirisë e të pavarësisë, martirizuar nga komunistët. Duke shfletuar kalendarin historik, sot më 3 shtator përkujtojmë përvjetorin e lindjes së françeskanit shqiptar Atë Pal Dodajt OFM, të parit provincial shqiptar të Provincës Françeskane të Zojës Nunciatë, mbrojtës i vlerave ungjillore, kultivues idealeve të lirisë e të pavarësisë, martirizuar nga komunistët.
Atë Pal Dodaj lindi në Janjevë afër Prishtinës, në Kosovë, më 3 shtator të vitit 1889. Ende i vogël, shkoi në Shkodër për t’u shkolluar ndër Etërit Françeskanë, me synimin që të vishte zhgunin e Shën Françeskut të Asizit. Nisi prandaj mësimet në Kolegjin e Troshanit, ndërsa noviciatin e jetës rregulltare si dhe studimet filozofike e teologjike i kreu në Firence të Italisë. Aty, më 19 korrik 1902 kremtoi edhe Meshën e Parë, për t’u kthyer menjëherë në Atdhe, i gatshëm për t’i shërbyer Kishës e Kombit.
Filloi punën si profesor i filozofisë, ndërsa u caktua edhe si epror Guardian e më pas, epror provincial i parë shqiptar i Provincës Françeskane Shqiptare, I dashur me të gjithë, Atë Pal Dodaj solli në provincë frymën e gëzimit të vërtetë françeskan, të paqes e të të mirave. Atë Pal Dodaj njihet edhe si mbrojtës e mbështetës së njerëzve që kultivonin kulturën e ndihmonin çështjen e Kombit Shqiptar. Kuvendin Françeskan të Rubikut e ktheu në strehë mbrojtjeje për të përndjekurit nga padrejtësitë e një kështjellë të idealeve të lirisë e të pavarësisë. Atë Pal Dodaj qe historian e publicist. Botoi në revistën “Hylli i Dritës” e në shumë revista të huaja. Ishte bashkëpunëtor i rregullt i gazetës vatikanase “L’Osservatore Romano”.
La pas vete edhe vepra të rëndësishme si kronika, “Shqipnia e kohës së mesme” (1913), “Dorëshkrimet e Atë Gjeçovit” (Romë 1936), Provinça misionare e Zojës Nunciatë në Shqipëni” (1923). Veprimtaria e françeskanëve në Shqipni (Milano 1940); së bashku me Atë Gjergj Fishtën e Zef Schiroin përktheu në italisht “Kanunin e Lekë Dukagjinit” që u botua nga Akademia Italiane në Romë më 1941.
Për të gjitha këto e veprimtari tjera në fusha të ndryshme në shërbim të popullit e Kishës, Atë Pal Dodaj ka merita të padiskutueshme sepse punoi dhe i shërbeu “Dritës së Vërtetë” e regjimi komunist e arrestoi dhe e dënoi duke e torturuar mizorisht sepse ishte errësirë e, derisa i afrohej vdekjes, për shkak të moshës së shtyrë, e dënoi edhe me pushkatim, dënim që iu kthye në burgim të përjetshëm, prej nga e liroi shumë shpejt motra vdekje, që erdhi dhe e mori për dore në një nga qelitë e burgut komunist më 5 shtator 1951, për ta sjell në Dritën e Vërtetë të Amshimit.







All the contents on this site are copyrighted ©.