2012-09-02 16:57:05

Mesha e Papës me ish studentët e vet: nuk e kemi të vërtetën, i përkasim së Vërtetës.


Seminari tradicional veror me ish-studentët e Benediktit XVI, i quajtur Ratzinger Shulerkreis, përfundoi sot paradite me kremtimin e Meshës nga Papa në Qendrën Mariapoli në Kastel Gandolfo. Seminari i këtij viti u përqendrua mbi temën “Rezultatet dhe pyetjet ekumenike në dialog me luteranizmin e anglikanizmin”. Kështu sot, në përfundim të punimeve të këtij takimi, Papa Ratcinger gjatë homelisë së Meshës kremtuar me ish studentët e tij, i komentoi leximet biblike të liturgjisë së dielës së sotme të 22-të gjatë vitit kishtar.
Benedikti XVI vuri në pah se “me kalimin e kohës doket e zakonet njerëzore i janë shtuar dhuratës së Zotit, duke fshehur urtinë dhuruar nga Hyji. Këto shtesa mund ta çojnë Kishën deri në të ashtuquajturin triumfalizëm, te lavdërimi i vetvetes. Kështu në këtë fazë shohim vetëm atë është bërë prej nesh, e nuk e gjemë më gëzimin e fesë. Kështu nuk kemi më guxim të themi se Zoti na ka mësuar të vërtetën e na ka mësuar çka është njeriu.
E sot – shpjegoi Papa – konceptet e së vërtetës e të intolerancës gati gati janë gërshetuar e shkri mes tyre; kështu që të thuash se e ke të vërtetën bëhet sinonim i intolerancës. E ne të krishterët nuk kemi më guximin të besojmë apo të flasim për të vërtetën. E realisht kjo është e vërtetë, vëren: askush nuk mund të thotë se e “Posedon të vërtetën”, sepse jemi ne që i përkasim së vërtetës që është diçka e gjallë! Nuk e posedojmë, ne nuk jemi pronar të saj, po është ajo që na kap, është ajo që na përvetëson ne; e ne qëndrojmë e jemi në të vërtetën, vetëm nëse lejojmë që të udhëhiqemi e të nxitemi prej saj. Besoj – pohoi Papa – që duhet të mësojmë përsëri, çka do të thotë “ mos ta kesh të vërtetën”. Askush nuk mund të pohoi se “Kam fëmijë”, sepse nuk janë pronë e jona, janë një dhuratë, e janë dhuratë e Zotit dhe një detyrë. Kështu nuk mund as të themi “E kam apo e posedoj të vërtetën”, por është e vërteta, që është Krishti vet, që ka ardhur drejt nesh e në Eukaristi ka ardhur madje brenda nesh për të na pastruar prej mjerimeve tona, prej egoizmit tonë që e bënë krishterimit të duket vetëm si një sistem dokesh. E kështu duhet të mësojmë sërish të udhëhiqemi nga e vërteta. E atëherë përmes nesh e vërteta do të mund të shkëlqejë përsëri për shpëtimin e botës”.







All the contents on this site are copyrighted ©.