2012-09-02 13:31:48

A. Çapaliku:Bibla e dom Simon Filipajt, sprovë e suksesshme e përkthimit


Shkrimi shqip dëshmohet në fillesën e tij në Formulën e Pagëzimit. U deshën 532 vjet që nga një frazë e shkurtër shqipe, përkthim nga latinishtja, përfshirë në tekstin e një qarkoreje latinisht që kryepeshkopi i Durrësit, Pal Ëngjelli (1417-1469) u dërgonte vartësve të tij, të vijmë tek 1806 faqet e Biblës në shqip, që famullitari i Bregut të Bunës, Simon Filipaj (1925-1999) u dha bashkatdhetrëve të tij. Sprova e guximshme e tij për të përkthyer Biblën nga një gjuhë antike në gjuhë moderme paraqitet e suksesshme dhe e frytshme jo vetëm për besimin katolik, por edhe më gjerë, në vlerat e mjeshtërisë së përkthimit.
Përballimi i një pune kaq voluminoze, si përkthimi i parë integral i Biblës shqip, është fryt i përkushtimit jetësor të Filipajt. Vetëm 15 vite mbas shpalljes “tipik” të botimit të Vulgatës së Re (Romë 1979), në Ferizaj, më 1994, dom Simon Filipaj e futi shqipen në rrethin e madh të 1110 gjuhëve të përkthimit të Biblës. Ajo paraqitet me dinjitet gjuhësor e letrar njëheresh ndaj teksteve (jo të plota) në ghuhën amtare dhe ndaj të njëjtit tekst (version i plotë) në gjuhë të huaja.
Mund të thuhet se Filipaj me këtë përkthim është në vazhdën e Buzukut, Matrengës, Bardhit, Bogdanit e sidomos të Grigorit dhe të Theodhor Haxhifilipit, për ta sjellë Biblën, librin themelor të krishterimit, në gjuhën e sotme letrare shqipe, në nivelin më të lartë, në plotshmëri, mbasi... të përkthesh, të botosh një përkthim nuk është vetëm të paraqesësh një veprim të rregullt gjuhësor. Është gjithashtu të marrësh një vendim që prek një ekvilibër kulturor dhe shoqëror (Chevrel Yves, La letteratura comparata, Romë 1993:22).
Jo rastësisht vetë ai do të shprehej se... historia e përkthimit të Biblës është edhe historia e shkrimit shqip (Intervistë, Fjala 25.11.1990, Prishtinë) dhe se ajo duhej të lexohej me atë dashuri me të cilën u përkthye.
Përtej vlerës së përkthimit të Simon Filipajt, Bibla në shqip integrohet në sistemin e pritjes, që mund ta forcojë apo ta lërë ashtu siç është, por nuk ka gjasa ta kundërshtojë. Kjo në sajë të gjuhës së sotme letrare në të cilën është paraqitur, gjë për të cilën dëshmon edhe monumenti tjetër kulturor mbarëbotëror, si Iliada, përkthyer nga helenisti i shquar Gjon Shllaku (Tiranë, 1979, ripunim).
Përkthyesi i Biblës në shqip rezulton të ketë tejkaluar vështirësitë e sjelljes së tekstit në shqip nga latinishtja biblike kristiane, jo vetëm në prozë por edhe në vargje ku i është dhënë arsye çdo fjale, përmes ndërrimit të teknikave ad litteram dhe ad sensum. Këtë odise të çdo përkthyesi serioz, para 70 vjetëve, poeti Ndre Mjeda e perifrazonte:... si të dote kush me i ndihmue me nji shkrepës të ndezun diellit që shkëlqen madhshtuer në pikë të mjesditës (Shënime bibliografike, Leka 9;1932:286-7, Shkodër).
Vështirësitë rriten mbasi Filipaj është ndeshur me: 73 libra të ndryshëm, të kush e di sa autorëve, emrat e të cilëve, të shumicës prej tyre, deri më sot mbeten të panjohur... (Parathënie, Bibla, Ferizaj 1994:12). Gjithsesi është ndeshur me shumicë stile dhe mënyra shkrimi, në hapësirën e 1300 viteve para dhe 100 viteve pas Krishtit. Kësisoje Simoni, në kishën e Shëngjergjit, afër Ulqinit, u ndodh në marrëdhënie të vazhdueshme mes dy poleve ekstreme: në mes përkthimit adekuat, të përputhshëm (që respekton në tepri karakterin e huaj të tekstit nistor) dhe atij dinamik, të gjallë, të shkathët, të shpejtë (që e përfshin krejt tekstin e përkthyer në sistemin e pritjes).
Përkthimi pasqyron erudicionin e poliglotit Filipaj, njohës i disa gjuhëve si kroatisht, gjermanisht, frëngjisht, italisht, gjuhët klasike. Njohje që kanë sjellë një shqipërim model të një libri me vlera të shumanshme siç është Bibla, ku shembëlltyrat, parabolat, Fjala Hyjnore, dekalogu, uratët, lutjet, profecitë janë.
Historia e përkthimit të Biblës në gjuhën shqipe

Përpjekjet e para për të përkthyer Shkrimet e Shenjta në gjuhën shqipe na kthejnë në vitin 1555 kur pjesë të Shkirmeve janë përkthyer nga Gjon Buzuku në librin e tij “Meshari”, që është konsideruar të jetë libri i parë i shkruar në gjuhën shqipe. Libri përmban liturgji të përdorura në Kishën Katolike. U zbulua në vitin 1740, dhe 16 faqet e para të tij mungojnë. Përpjekja e dytë për të përkthyer në shqip Fjalën e Zotit u bë nga studiuesi shqiptar i famshëm Kostandin Kristoforidhi, në vitin 1872 i cili arriti të përkthente Testamentin e Ri në të dy dialektet Geg (Veri) dhe Tosk (Jug). Ky i fundit u përdor nga Kisha gjer në fund të Luftës së Dytë Botërore. Kisha Shqiptare Ortodokse përdor versionin e përkthyer edhe sot.

Dom Simon Filipaj i Kishës Katolike ka përkthyer Testamentin e Ri në 1980 dhe ka përfunduar së përkthyeri të gjithë Biblën në vitin 1994. Të pasurit e shumtë në këtë përkthim i fjalëve dialektore, të popullsisë në Veri të Shqipërisë e ka mbajtur këtë version të përkthyer larg kishës Evangjeliste në Shqipëri. Pas rënies së sistemit komunist në Shqipëri shumë përpjekje janë bërë për të pasur një version të plotë të Biblës në gjuhën e normuar shqipe e cila do të ishte e pranueshme nga të gjithë shqiptarët kudo që ata jetojnë në veri a jug të vendit. Përpjekja e parë për të dalë në një version të përkthyer në gjuhën standarte shqipe është bërë në 1993 nga përkthyesi britanik Stephen Etches dhe publikuar nga Misioni Kristian Europian. Interpretimi jo i saktë dhe disa herë shmangia nga teksti original e ka shkurtuar shumë jetën e këtij versioni që për momentin nuk është në përdorim. Në këtë situatë sforcot për të dalë me një version të ri kanë qenë të shumta. Versioni në qarkullim “Lajmi i Mirë” është një përkthim nga gjuha italiane. Teksti bazë është Bibla italiane “Nuova Diodati” që është një përkthim nga Textus Receptus. “Lajmi i Mirë përdoret sot si një alternativë nga Kisha Evangjeliste në Shqipëri dhe në Kosovë.

Kisha Shqiptare dhe besimtarët e krishterë që jetojnë në Shqipëri e Kosovë akoma nuk kanë një version të Testamentit të Vjetër dhe të Ri të përkthyer nga gjuhët e tyre orgjinale. Versioni që do të dalë nga një projekt i tillë do të jetë një përkthim nga Bibla në Hebraisht, Aramic duke mbetur gjithmonë besnikë e tekstit origjinal.

prof. as. Dr. Alfred Çapaliku







All the contents on this site are copyrighted ©.