2012-08-31 18:38:59

Vdiq kardinali Carlo Maria Martini. Papa në lutje për shpirtin e të Ndjerit. Atë Lombardi: ishte ungjillëzues i madh


Sot pasdite ndërroi jetë kardinali Carlo Maria Martini: 85 vjeç, i sëmurë prej kohe nga Parkinsoni, ishte shtruar pranë infermierisë së Aloisianum, në provincën e Varezes. Gjendja e tij shëndetësore u keqësua papritmas mbrëmë, gjë për të cilën Papa u informua menjëherë e u gjunjëzua në lutje.
Vetëm 17 vjeç kur hyri në Shoqërinë e Jezusit, 25 vjeç meshtar, kardinali Martini ka qenë rektor i Institutit Biblik e, më pas, i Universitetit Papnor Gregorian, para se të emërohej kryeipeshkëv i Milanos, në vitin 1980, detyrë që e kreu deri në vitin 2002.
Ndërmjet veprimtarive të tij më të njohura, kujtojmë nismën e “Shkollës së Fjalës së Zotit” në dioqez, për t’i lidhur më ngushtë laikët me Shkrimin Shenjt, përmes metodës së Lectio divina, si dhe “katedrën e jo besimtarëve”, seri takimesh në ndihmë të njerëzve, që kërkojnë të vërtetën.
Pas një kohe të gjatë, kaluar në Tokën e Shenjtë, i Ndjeri u rikthye në Itali në vitin 2008, për mjekime.
Për figurën e kardinalit Martini, kujtimi i drejtorit të Sallës së Shtypit të Vatikanit, atë Federiko Lombardi:

“Vdekja e kardinalit Carlo Maria Martini është ngjarje, që ngjall emocion të madh, shumë përtej Kryedioqezit, ndonëse mjaft të gjerë, të Milanos, të cilin e qeverisi për 22 vjet me radhë. Është fjala për një ipeshkëv që, me fjalën e tij, me shkrimet e shumta, me nismat inovatore baritore, diti t’ua dëshmojë e t’ua kumtojë frytshëm fenë njerëzve të kohës sonë, duke fituar nderimin e respektin e afërmve e të largtve e duke frymëzuar në ushtrimin e shërbimit, shumë sivëllezër në ipeshkvni, në të katër anët e botës.
Personaliteti i jezuitit Martini u formua përmes studimit të Shkrimit Shenjt. Fjala e Zotit ishte pikënisja dhe themeli i përpjekjeve të tij në çdo aspekt të realitetit e të ndërhyrjeve të tij; Ushtrimet Shpirtërore të Shën Injacit të Lojolës, burim i përshpirtërisë dhe i pedagogjisë së tij shpirtërore; i lidhjeve të vazhdueshme, të drejtpërdrejta e konkrete ndërmjet leximit të Fjalës së Zotit e jetës konkrete, i gjykimit të tij shpirtëror dhe vendimit të marrë gjithnjë në dritën e Ungjillit.
Ishte intutitë guximtare e Gjon Palit II vënia e pasurisë kulturore e shpirtërore të atij, që kishte qenë deri në atë kohë studiues, rektor i Biblikut e pastaj Gregorianës, në shërbim të qeverisjes baritore të njërës nga dioqezat më të mëdha të botës. Stili i qeverisjes së tij qe karakteristik. Në librin e vogël të kohëve të fundit “Ipeshkvi”, Martini shkruan: “Ipeshkvi nuk duhet as ta mendojë se do të mund t’i drejtojë me efikasitet njerëzit, që i janë besuar, me shkresa e dekrete të shumta, me ndalime e gjykime negative. Në vend të tyre, duhet të ngulë këmbë mbi formimin shpirtëror, mbi shijen e hirin e Shkrimit Shenjt, duhet të paraqesë arsyet pozitive të veprimeve tona sipas Ungjillit. Do të fitojë, kështu, shumë më tepër, se do të fitonte me porosi të rrepta për të zbatuar urdhërimet e Tënzot”.
Jemi para një trashëgimie të çmuar, për të cilën duhet reflektuar seriozisht, kur kërkojmë udhët e 'ungjillëzimit të ri”.







All the contents on this site are copyrighted ©.