2012-08-31 16:09:32

Pogromi kundër të krishterëve të Orisës: 10 mijë pa shtëpi


Së paku 10 mijë të krishterë në Orisë të Indisë janë akoma pa shtëpi, katër vjet pas pogromit të integralistëve hinduistë kundër tyre, dënuar nga e gjithë bota e, edhe nga qeveria indiane. Por familjet akoma detyrohen të jetojnë në geto, të mënjanuara nga shoqëria, të bojkotuara ekonomikisht e politikisht, nëse nuk kthehen në hinduizëm. Shteti i ka dëmshpërblyer vetëm pjesërisht, ose aspak.
Këtë pa me sytë e vet, një skuadër e formuar nga gazetarë, aktivistë e shkrimtarë, që vizituan 16 fshatra, duke intervistuar viktimat, duke pyetur dëshmitarët dhe krerët e shoqatave politike e duke konsultuar dokumente e regjistrime filmike. Raporti i hartuar prej tyre u paraqit në Lohiya Academy, para 200 personave, ndër të cilët edhe liderë politikë e fetarë.
Kujtojmë se dhuna e vitit 2008 në Orisë filloi pas vdekjes së kreut të një partie ultranacionaliste hinduiste, kryer nga një grup maoistësh, të cilët e morën përsipër autorësinë e atentatit, por kjo nuk i pengoi hinduistët të vërshonin mbi pakicën e krishterë të Kandhamalit. Pogromi, siç nuk ishte parë prej kohësh, shkaktoi ikjen e 55 mijë të krishterëve, djegjen dhe plaçkitjen e 5.600 shtëpive dhe të 415 fshatrave, 38 viktima sipas qeverisë, por 91 sipas aktivistëve, dy gra të përdhunuara në grup, shumë njerëz me gjymtime për shkak të torturave.
Gati 300 kisha u shkatërruan krejtësisht, përveç kuvendeve, shkollave dhe instituteve të ndryshme të asistencës. Qeveria nuk ka vendosur asnjë dëmshpërblim për Kishën, por edhe ato që ka caktuar për familjet e krishtera nuk janë dhënë plotësisht. Gjithashtu, të krishterët janë vendosur në zona të mbyllura, ku mungojnë kushtet higjeniko-sanitare, ndërsa njerëzit e dënuar për dhunën pa kufi, janë shumë të paktë. Nga 3232 denoncime penale, janë pranuar vetëm 1541, prej të cilave, vetëm 828 janë regjistruar.







All the contents on this site are copyrighted ©.