2012-08-31 16:01:31

Leksionet e Nënë Terezës: “Fjalimi në dorëzimin e Çmimit Nobel”- pjesa IV


Pjesa IV: Të nisim nga shtëpia
Të nisim nga shtëpia. Me këtë ftesë të Nënë Terezës, nga katedra e Oslos, e mbyllëm leksionin e dhjetë, e me të edhe po e hapin të njëmbëdhjetin.
Dashuria nis në shtëpi, e nuk ka rëndësi ajo që bëjmë. Rëndësi ka dashuria në çdo gjë që bëjmë. I përket Zotit, që është i gjithëpushtetshëm, ta gjykojë dashurinë me të cilën shërbejmë. Me të cilën i shërbejmë Atij vetë, në njeriun që vuan. Jo shumë kohë më parë, në Kalkutë, na mungoi sheqeri e nuk e di sesi, po fëmijët e morën vesh. E një fëmijë nja katër vjeç, fëmijë induistësh, duke shkuar në shtëpi, u tha prindërve: “Nuk do të ha sheqer për tri ditë. Do t’ia jap sheqerin tim Nënë Terezës, për fëmijët e saj”. Pas tri ditësh nëna e babai i fëmijës e sollën sheqerin në shtëpinë tonë. Nuk i kisha takuar kurrë e fëmija e tyre mezi e shqiptonte emrin tim, por e dinte mirë ç’kish ardhur të bëjë. Kishte ardhur të dhurojë dashuri. Edhe ju po më dhuroni dashuri. Që kur erdha këtu, u rrethova nga dashuria, nga dashuria e madhe, që përpiqet të kuptojë gjithçka. E m’u duk se po i shikonit me vëmendje të veçantë të gjithë njerëzit e Indisë e të Afrikës. E m’u duk sikur isha në shtëpinë time. Plotësisht në shtëpinë time, këtu, mes jush!
Prandaj erdha t’ju flas. Dëshiroj ta shikoni të varfërin këtu, pikërisht në shtëpinë tuaj. E të filloni ta doni, pikërisht këtu. Të bëheni lajm i mirë për njerëzit tuaj. E t’i thoni fqinjit: “E dini kush jam?”.
Kam jetuar një çast tejet të jashtëzakonshëm në një familje induiste me tetë fëmijë. Një zotëri erdhi në shtëpinë tonë e tha: “Nënë Terezë, njoh një familje me tetë fëmijë, që nuk ka ç’të hajë prej ditësh. Bëj diçka për të!”. Pa e zgjatur, mora ca oriz e u nisa. E i pashë fëmijët, e pashë në sytë e tyre ethet e urisë. Nuk e di nëse keni parë ndonjëherë sy të tillë. Po unë i shikoj tepër shpesh. Pashë edhe të ëmën që e ndau orizin e doli. Kur u kthye, e pyeta: “Ku shkove?”. M’u përgjigj thjesht: edhe ata kanë uri. Po kush ishin ata? Mësova se e kishte fjalën për një familje myslimane. Me të e kishte ndarë kafshatën e gojës. Nuk i solla më oriz atë mbrëmje, për ta shijuar me fund gëzimin, që buronte nga ndarja e ushqimit me të tjerët. E lexova gëzimin në sytë e fëmijëve të kësaj nëne, që s’kishte as një dorë oriz, por kishte kaq shumë dashuri për të dhuruar. Kështu, pra, dashuria nis pikërisht në shtëpi. E dëshiroj që edhe ju të dhuroni dashuri, ashtu si po ma dhuroni mua, gjë për të cilën ju jam shumë mirënjohëse. Ishte një përvojë e jashtëzakonshme, që do ta marr me vete në Indi, ku do të shkoj javën e ardhshme, me 15 besoj, duke mbartur me vete dashurinë tuaj. Me bindjen se nuk më dhuruat teprica, por dashurinë që dhemb. Prandaj falënderoj Zotin që na dha mundësinë të njihemi, të ndjehemi kaq afër. Kështu mund t’i ndihmojmë jo vetëm fëmijët indianë e afrikanë, por të gjithë fëmijët e botës. E me këtë çmim, që e mora si çmim të paqes, do të përpiqem të ndërtoj një shtëpi për ata që nuk kanë shtëpi. Sepse besoj që dashuria nis nga shtëpia e se, po të mund të ndërtojmë një shtëpi për të varfërit, prej saj do të rrezatojë kudo vetëm dashuri. E prej dashurisë, do të përhapet paqja, lajmi i mirë për të varfërit. Për të varfërit e familjes sonë, së pari, të vendit tonë, e edhe të mbarë botës. Por për ta bërë këtë, jetët tona duhet të enden me lutje!







All the contents on this site are copyrighted ©.