2012-08-31 16:04:16

Leksionet e Nënë Terezës: “Fjalimi në dorëzimin e Çmimit Nobel-pjesa V


Pjesa V: Krishti vijon të mundohet përsëri.
Në leksionin dymbëdhejtë, Nënë Tereza kujton me ngashërim se në botë ka ende shumë dhimbje, prej këndej, pohon: “E ndjej se mundimet e Krishtit rijetohen përsëri kudo, e ne i ndajmë me Të këto mundime, këtë dhembje. Në mbarë botën e jo vetëm në vendet e varfëra. E kjo, nga që mendoj se është shumë më vështirë ta zhdukësh varfërinë e botës së pasur perëndimore, se atë të botës së varfër. Kur e marr një njeri nga rruga, të uritur për vdekje, i jap një pjatë oriz, një copë bukë, e kam kënaqur. Ia kam shuar urinë, që e grin. Po njeriun, që është zhytur në heshtje, që ndjehet i padëshiruar, i pa dashur, i trembur, i flakur nga radhët e shoqërisë - si mund ta kënaq? Më duket tepër e vështirë. Motrat tona po punojnë për këtë tip njeriu, që mund ta quajmë i varfëri i perëndimit. Njeri, që ka etje e uri për pakëz dashuri! Atëherë ju ftoj të luteni për ne, që të jemi të afta për t’u bërë ne vetë lajmi i mirë, me bindjen se nuk mund të realizojmë asgjë pa ju, sepse pikërisht ju duhet t’ju kemi përkrah në vendin tuaj.
Duhet t’i njihni të varfërit. Vërtet këtu njerëzia ka të mira materiale, ka gjithçka, por mendoj se po të kërkojë nëpër shtëpi, vështirë se do të gjejë një buzëqeshje të dalë nga zemra. E duhet ta kemi mirë parasysh se buzëqeshja është fillesa e dashurisë. Të takohemi gjithnjë, prandaj, me buzë në gaz, sepse kur takohemi kështu, nuk është e mundur të mos bëjmë diçka të mirë. Lutuni, pra, për motrat tona, për vëllezërit tanë, për bashkëpunëtorët e përhapur në mbarë botën: “Lutuni t’i qëndrojnë përherë besnikë dhuratës së Zotit, ta duan e t’i shërbejnë në të varfërit, së bashku me ju. Atë që kemi bërë, nuk do të mund ta bënim, nëse ju nuk do të na kishit ndihmuar me lutjet tuaja, me dhuratat tuaja, duke dhënë vazhdimisht. Veç nuk dua të më jepni atë që ju tepron. Nuk dua teprica. Dua dashuri, deri në dhembje. Një ditë më parë mora 15 dollarë nga një burrë, që nuk lëviz fare nga krevati prej njëzet vjetësh. E vetmja pjesë e trupit, që mund ta lëvizë, është dora e djathtë. Dhe e vetmja gjë, që e kënaq, është duhani. E pra shi ky burrë më tha: nuk kam tymitur prej një jave, për t’i kursyer këto para, që po t’i dërgoj.
Duhet të ketë qenë një flijim i tmerrshëm për të, por edhe tepër i bukur. Me paratë e tymit të tij të pashijuar, bleva bukë për të uriturit, për gëzimin e të dyja palëve: ai dha, të varfërit morën. E kjo është dhuratë e Zotit për mua e për ju, ta ndajmë dashurinë me të tjerët. E ta bëjmë, si t’ia kishim bërë Jezusit. Ta duam njëri-tjetrin, si na deshi Ai. Ta duam Atë vetë me dashuri të pandarë. Ta duam njëheresh Atë e njëri-tjetrin, sidomos tani, që Krishtlindja është kaq afër. Ta ruajmë gëzimin, që buron nga dashuria e Krishtit në zemrat tona. E ta ndajmë këtë gëzim me të gjtihë ata që takojmë. E ky gëzim vezullues është i vërteti. Nuk kemi arsye të mos jemi të lumtur, sepse Krishti është me ne. Është në zemrat tona. Krishti është në të varfërin, që takojmë; në buzëqeshjen që dhurojmë e që na dhurohet. Të zotohemi, prandaj që asnjë fëmijë të mos jetë i padëshiruar, e që do ta pranojmë me buzë në gaz, posaçërisht atëherë kur është tepër vështirë të buzëqeshësh.
Pak kohë më parë jetova një ngjarje, që nuk do ta harroj kurrë. Na erdhën për vizitë rreth 40 profesorë, nga universitete të ndryshme të SHBA-ve. Erdhën në Kalkutë në shtëpinë tonë. Po flisnin njëri me tjetrin e po thoshin se kishin qenë në shtëpinë tonë ku strehojmë njerëzit në prag të vdekjes. E kemi një shtëpi të tillë në Kalkutë, ku kemi mbledhur më se 360.000 njerëz vetëm nga rrugët e qytetit e, nga ky numër i madh, më se 18.000 vdiqën në paqe me njeriun e me Perëndinë. U nisën për në shtëpinë e Zotit, pasi erdhën në shtëpinë tonë, ku u folëm për dashurinë, për mëshirën.
Si u fola për këtë shtëpi e për këta njerëz, njëri prej profesorëve m’u lut: - Nënë, ju lutem, na thoni diçka, që të mund ta kujtojmë. E u thashë atyre: - Buzëqeshini njëri-tjetrit, kushtojini ca kohë familjeve. Buzëqeshni!
E njëri prej tyre, çuditërisht, më pyeti: “Jeni e martuar?”. Po, ia drodha, dhe shpesh e kam të vështirë t’i buzëqesh Jezusit, sepse nganjëherë kërkon edhe tepër nga unë. Kjo është e vërtetë e prej këndej vjen dashuria, kur Krishti është kërkues, e ne, megjithatë, mund t’i japim Atij me gëzim. Po e them këtu se, po s’ shkova në qiell për ndonjë meritë tjetër, sigurisht që do të shkoj për shkak të publicitetit, sepse më pastroi, më sakrifikoi e më bëri vërtet të gatshme për të shkuar në Qiell. Mendoj se duhet ta jetojmë bukur jetën tonë, sepse Jezusi është me ne, Krishti na do. Nëse do të mendonim vetëm se Jezusi na do e se kemi mundësi t’i duam edhe të tjerët, si na do Ai, jo në gjërat e mëdha, por në të voglat, të bëra me shumë dashuri, atëherë Norvegjia do të bëhej fole dashurie. E sa gjë e bukur do të ishte që, pikërisht këtu, të na dhurohej një qendër për paqen! Që prej këtu të delte gëzimi për jetën e fëmijëve të palindur. Nëse ju bëheni dritë, që digjet në botë për paqen, atëherë vërtet Nobeli për Paqen është dhuratë për popullin norvegjez. Zoti ju bekoftë!







All the contents on this site are copyrighted ©.