2012-08-30 12:30:51

Çelësi i fjalëve të Kishës: i krishteri i mirë!


Cilët janë të krishterët e vërtetë? Ç’duhet bërë për të qenë ndjekës i palodhur i Krishtit? Në këtë periudhë, krishterimi sulmohet nga të gjitha anët e madje, dikush mendon se kjo është e drejtë, për shkak të sjelljes së atyre që i shërbejnë, e cila jo gjithnjë, ka qenë pa njolla. E ata, që vazhdojnë të flasin për Mbretërinë e Hyjit duken si të ardhur nga ndonjë botë tjetër. “Asnjë profet nuk është i mirëseardhur në vendin e vet” (Lk 4,24) thotë Krishti, kur njerëzit e vet e përbuzin në Nazaret.
Sot, ne jemi si turma e sinagogës së Nazaretit. Bëjmë të njëjtën gjë. “Ah priftërinjtë e sotëm! – themi. Nuk janë më shërbëtorë të vërtetë të Zotit”. Flasim ne, që shkojmë në kishë veç për festa dhe e shohim meshën në televizion. Atyre, që po revoltohen në këtë çast, nga këto fjalë, u propozojmë të mendohen: a nuk jemi vallë të krishterë për interes e për zakon?
Ne e pranojmë Zotin, por duam që Ai ta vërë pushtetin e vet në shërbimin tonë. Hyji shihet si ndonjë bankë hiresh, në të cilën mund të marrim të gjitha “paratë”, që na nevojiten. Ai duhet të ketë shkopin magjik, për të realizuar të gjitha dëshirat, që nuk mund t’i realizojmë vetë. Zoti duhet të realizojë ëndërrat tona për një botë më të mirë, pavarësisht se ne nuk i ndyjmë duart në kantierin e shoqërisë. A s’është interes, të presësh prej Zotit të jetë një lloj dyqani hiresh, apo ndonjë magjistar, apo ai, që na siguron nga të gjitha rreziqet. Madje, të jetë edhe ndonjë politikan “providencial”, ose ndonjë ministër gjenial financash… Por Zoti s’është të gjitha këto, Ai është “Ati ynë”, që na do e pret ta duam me gjithë shpirt e pa interes.
Jemi të krishterë edhe për hir të zakonit. Prindërit na kanë pagëzuar, në të ri kemi marrë pjesë në ndonjë lëvizje kishtare, kemi shkuar në kishë për të ndenjur me shoqërinë, por pastaj, nuk dihet pse, kemi humbur rrugën që të çon te ajo. Gjërat e jetës, thuhet zakonisht, mungon koha, fëmijët kërkojnë punë… Dikush vazhdon të mendojë se është i krishterë, edhe pa shkuar në kishë, edhe pa u takuar me Jezu Krishtin. Por është njëlloj si një çift bashkëshortësh, që thonë se duhen fort, por nuk përqafohen kurrë, nuk flasin si më parë e flenë veç e veç.
Kush është pra “i krishterë i mirë”? Jezu Krishti u drejtohet të huajve paganëve, flet me hajdutë e me prostituta e madje edhe me funksionarë të korruptuar deri në palcë, duke i falur. “Do të kalojnë para nesh në Mbretërinë ë Hyjit”, thotë. Për bashkohësit e tij, kjo sjellje është shkandull i vërtetë, por me të drejtë, Jezusi vë në plan të parë fenë në Birin e Hyjit: “Ai që beson, ka jetën e pasosur”(Gjn 6,47). Po shkon edhe më tej. Në skenën e famshme të Gjykimit të Mbramë, në Ungjillin sipas Mateut, Jezusi thotë: “Pata uri e më dhatë të ha, pata etje e më dhatë të pi, isha shtegtar e më përbujtët, isha i zhveshur e më veshët, i sëmurë e erdhët të më shihni, isha në burg e erdhët tek unë”(25,35-36). Këta janë ata, që do të shkojnë në Mbretërinë e Hyjit, ndërsa ata, që bëjnë të kundërtën, do të dënohen përjetë. Por Jezusi na lë të kuptojmë se si të shëlbuarit, ashtu edhe të dënuarit nuk e dinin se po i shërbenin Atij, në vëllezërit. Që këndej, nevoja për të ndihmuar të afërmin, kushdo qoftë.
Mjafton të kesh fe në Jezu Krishtin e të ndihmosh të tjerët, për të qenë “i krishterë i mirë”? A është e nevojshme edhe ta njohim Jezusin e t’ia shpallim atë botës, siç na thotë Kisha Katolike? Përfytyroni një nënë, që e ka humbur birin e saj në luftë. Pas disa kohësh, mësohet se ai është gjallë e pas kërkimesh të gjata, nëna e gjen birin e vet. Përfytyroni skenën e takimit: nëna thellësisht e emocionuar dhe i biri, në gjunjë para saj, e përkëdhel e i thotë: “Ti je nëna ime? Ti je nëna ime?” Ai djalë kishte qenë gjithnjë biri i saj, që nga lindja, sepse ajo nënë i kishte dhënë jetën, por pa e njohur të ëmën, nuk mund t’i kthente dashurinë me të cilën ajo e kishte dashur.
Kështu edhe me Jezusin. Duhet bërë ç’është e mundur për ta njohur e për ta takuar, sepse jeta, dashuria e shëlbimi, që Zoti na dhuron, janë tragjikisht jo të plota, nëse nuk dimë kujt t’i themi “faleminderit”. Krishti u jep gjithçka të gjithëve. Por pret, që me gjestet e me veprimet tona, lirisht, t’i përgjigjemi me të njëjtën mënyrë.







All the contents on this site are copyrighted ©.