2012-08-30 15:08:46

Pakistan: shtyhet gjyqi i vajzës së krishterë Rimsha.


Gjykata e Islamabadit ka vendosur sot ta shtyjë deri të shtunën më 1 shtator procesin ndaj Rimsha Masih, vajzës së krishterë pakistaneze, në burg me akuzën për djegien e disa faqeve të Kuranit. Fronti islamik i akuzës kundërshton rezultatin e raportit të Komisionit mjekësor, cili deklaroi se vajza, që është e mitur, me moshë më të vogël se 14 vjeç dhe me zhvillim mendor sa për një vajzë 8-9 vjeçare, vuan nga problemet mendore e këndej nuk është në gjendje të gjykojë e të kuptojë, ndërsa një mysliman salafit, i lidhur me fondamentalizmin islamik, ka deklaruar se Rimsha duhet të lirohet, në përkim me sharinë. Ky rast na kujton edhe rastin e Asia Bibit, gruas katolike të dënuar me vdekje në vitin 2010 dhe sjell përsëri në qendër të vëmendjes debatin lidhur me ligjin mbi blasfemi në fuqi në Pakistan dhe mbi keqpërdorimet e këtij ligji, kundër të cilit po lëviz Kisha lokale, siç shpjegon drejtori i Komisionit kombëtar për Drejtësi e Paqe të Konferencës ipeshkvnore të Pakistanit, Peter Jaboc.
“Organizatat që janë të Kishës katolike bashkëpunojnë me liderët politikë e organizatat politike, por edhe me studiues të komunitetit mysliman, para së gjithash për të organizuar mbështetjen legale për viktimat, në përpjekje për të zgjidhur tensionin që është krijuar. Jemi duke u përpjekur të kontaktojmë me organizatën që është duke punuar për të arritur deri te një zgjidhje me afat të gjatë për rishikimin e ligjit mbi blasfeminë. Ekziston një pjesë e madhe e opinionit publik që kërkon ndryshimet, rishikimet si dhe mbrojtjen e jetës nga ligji, e kështu t'u jepet fund keqpërdorimeve të vet ligjit”.
Kujtojmë se policia e Pakistanit e arrestoi Rimshën më 16 gusht, nën presionin e qindra radikalëve islamikë, duke e akuzuar se kishte djegur një faqe me fjalë nga Kurani. Mëse 600 familje të zonës, ku banonte Rimsha, në periferi të Islamabadit, janë larguar nga shtëpitë për shkak të kërcënimeve të ekstremistëve.







All the contents on this site are copyrighted ©.