Filloi, në Venedik, edicioni i 69-të i Festivalit të Kinemasë.
Ekspozim i autorësh, perëndim realitetesh, ndërmjet krizës e ideologjive, ankthe lirie
e varfërie, që vijojnë të ngulin kthetrat në zemër të botës, prani fatmirë yjesh amerikane
e zbulime të papritura, nga vendet kinematografikisht emergjente, si Arabia Saudite:
gjithë bota e gjithë humoret paraqiten në Vendik, duke nisur që sot, për të vijuar
11 ditë. Një ngjarje e madhe, kah e cila drejtohen shumë sy artistësh e dashamirësh,
Festivali i 69-të i Kinemasë. Festival, që nuk shikon mbrapa, përveçse kur është
fjala për prestigjin dhe historinë, që e shquajnë, ky që u hap sonte me ceremoninë
tradicionale dhe paraqitjen e jurisë, kryesuar nga një autoritet, si regjisori amerikan
Michael Mann. Krytari i bienales, Paolo Baratta, flet për përmirësimet e nevojshme,
sidomos për përtëritjen e strukturave ekzistuese e thekson se u duhet dhënë fund
planeve faraonike, të pamundura për t’u realizuar. Por e di mirë edhe se konkurenca,
në vite krize, bëhet më e ndezur. Prej këndej, pohon perceptimin e tij dhe skicon
rrugën për vitet e ardhshme:
Përgjigje: - Ndërsa përtërihen
strukturat, konkurohet në planin ndërkombëtar e duhen vënë në dukje edhe arsyet e
kësaj konkurence, njerëzit janë gjithnjë paksa të çkujdesur e mendojnë se ajo që ka
ndodhur më parë, mund të ndodhë gjithnjë. Ndërsa ka rëndësi të jesh besnik ndaj vetvetes
e ndaj botës, që të nderon: të jesh i lirë, të kërkosh të renë, të ndryshmen, atë
që ngjall interes; të shkosh për t’i kërkuar talentet e reja, atje ku janë, ku mund
të gjinden. E ky është edhe shpirti i Venedikut shpirti, që frymëzon edhe këtë festival,
festival, në të cilin do të ketë shumë zbulime të reja.
Pyetje: -
Ju duket i rëndësishëm bashkëpunimi ndërmjet seksioneve të ndryshme: kinema, balet,
muzikë, teatër, arkitekturë - në Bienale?
Përgjigje – Kjo
do të manifestohet edhe një herë në të ashtuquajturën “Bienale college”, që e kemi
nisur. Përkrah manifestimeve të mëdha, me të cilat hapet një dritare për njohjen e
botës, për të ditur sa e ç’art po prodhohet në sektorë të ndryshëm, jemi impenjuar
edhe, e sidomos, për edukimin e talenteve. Artistët e rinj, që duan të merren me veprimtari
artistike, kanë shumë pak mbështetje, e po ashtu edhe ndihmë, që u krijon mundësitë
të përparojnë në këtë rrugë. Ne jemi vendi ideal, ku, duke shtuar një përpjekje të
re, mund t’i ndihmojmë të rinjtë të këmbëngulin. E mund t’u japim edhe kënaqësinë
të shihen nga të gjithë, të takojnë mjeshtra e të vijojnë punën e nisur.