2012-08-30 15:09:55

Ekumenizmi, në qendër të “Ratzinger Schülerkreis”. Kardinali Shënborn: temë me rëndësi të jashtëzakonshme për Papën


Duke filluar nga dita e nesërme, në Kastel Gandolfo, mblidhen pedagogë e teologë të “Ratzinger Schülerkreis”, rrethit të ish-studentëve të Papës Benedikti XVI, formuar kur ai ishte profesor në Universitetin e Regensburgut. Seminari, që zhvillohet me dyer të mbyllura, sivjet ka si temë, ekumenizmin, sidomos marrëdhëniet ndërmjet katolikëve, luteranëve dhe anglikanëve. Pika e referimit do të jetë libri “Të mbledhim frytet”, publikuar në vitin 2009, nga kardinali Valter Kasper, ish-kryetar i Këshillit Papnor për Bashkimin e të Krishterëve. Më hollësisht për këtë takim, të dëgjojmë kardinalin Kristof Shënborn, kryeipeshkëv i Vienës:
Do të jetë ipeshkvi luteran Ulrih Uilkens, ekzegjet i njohur, i cili do të flasë për zhvillimin e ekumenizmit ndërmjet katolikëve dhe luteranëve; pastaj, kemi temën e anglikanëve, për të cilën do të flasë Sharl Morerò, ipeshkvi i ri i Gjenevës, Lozanës dhe Friburgut; do të jetë i pranishëm edhe kardinali Kurt Koh, kryetari aktual i Këshillit për Bashkimin e të Krishterëve… Fakti që Ati i Shenjtë ka zgjedhur këtë tematikë për takimin e sivjetëm, tregon se për të, çështja e ekumenizmit ka rëndësi parësore. E ky është që tani një nga rezultatet thelbësore të këtij seminari. Në kuadrin e 50-vjetorit të Koncilit II të Vatikanit, Papa vë theksin mbi rëndësinë e takimit ndërmjet të krishterëve të ndarë.

Është fjala për një takim tashmë tradicional ky i Atit të Shenjtë Jozef Racinger dhe ish-studentëve të tij, që filloi në vitin 1977, gjatë kohës kur ishte profesor në Universitetin e Regensburgut. Kur Papa Pali VI, më 1977, e emëroi teologun Racinger kryeipeshkëv të Munih-Freising, studentët e tij menduan se takimi i përvitshëm nuk do të mbahej më. Por takimi vijoi. E edhe kur profesori Jozef Racinger u zgjodh në fronin e papnisë, u mendua se këto takime nuk do të mund të organizoheshin më. Po Papa Ratcinger-Benedikti XVI i thirri përsëri ish-studentët e tij. Po përmendim se në disa takime të viteve të kaluara është folur për “Marrëdhëniet me Islamin” (2005); “Krijimin dhe evolucionin”(2006-2007); “Lidhjen ndërmjet Ungjillit e Jezusit historik dhe domethënien shëlbuese të mundimeve” (2008), parë edhe nën dritën e librit të Papës “Jezusi i Nazarenit”. “Misioni, në perspektivë ekumenike” (2009). “Interpretimi i Koncilit II të Vatikanit “(2010).







All the contents on this site are copyrighted ©.