2012-08-30 12:42:01

DBR: një kopje e Krishtit Shëlbues të Rio-de-Zhanéjros, në Paris.


Në sa kanë nisur prej kohe përgatitjet për Ditën Botërore të Rinisë të Rio-de-Zhanéjros, që do të kremtohet më 2013, një kopje e shtatores së Krishtit Shëlbues të Korkovados, që sundon, me krahë hapur, mbi qytetin brazilian, u ekspozua dje, për t’u soditur deri më 31 gusht, në sheshin përballë katedrales së famshme të Shën Marisë së Parisit. Lajmin, sipas agjencisë Sir, e dha kryedioqeza e Parisit, duke saktësuar se ndërmjet dy milionë të rinjve, që do ta ndjekin Benediktin XVI në Rio, do të jenë edhe 1.500 të rinj francezë.
E pikërisht Krishti i Korkovados, që kremtoi 80-vjetorin më 12 tetor 2011, u zgjodh si ambasador i Ditës Botërore të Rinisë 2013.
Kopja, vepër e skuptorit Odilon Lima dhe e zejtarëve të shkollave të sambas në Rio, që u ekspozua dje në Paris, është 3,8 metra e gjatë e 3 metra e gjerë. Kopje të ndryshme të Krishtit të Korkovados do të ekspozohen në mbarë botën, në kuadrin e ekspozitës shtegtare, titulluar “Krishti Shëlbues”.
Shtegtimi i Krishtit nisi, së pari, në qytetet kryesore të Brazilit. Së dyti, vizitoi Vatikanin e, më pas do të vijojë shtegtimin në vende të tjera, ndërmjet të cilave, Kanadaja, Italia e Japonia. Më 16 shtator do të jetë në Toronto (Kanada), më 28 shtator në Tokio (Japoni) e më 10 tetor, në Maputo (Mozambik).
Në Paris shtatorja u bekua nga imzot Eric de Moulins-Beaufort, ipeshkëv-ndihmës i kryedioqezës, në prani të rektorit të Shenjtërores së Krishtit Shëlbues, atë Omar Raposo.
“Krishti me krahë hapur është simboli më i madh i Rios. Me të takohen turistët e shtegtarët e të gjitha kulturave e vendeve, sapo shkelin në këto troje. Krishti vigan duket sikur i fton të vizitojnë këtë qytet, që i pret mysafirët me krahë hapur, sepse i banuar nga njerëz besimtarë e mikpritës”. Kështu u shpreh atë Raposo.
Kujtojmë se kanë kaluar 80 vjet nga përurimi i shtatores së Shëlbuesit mbi majën e malit Korkovado, që sundon gjithë peizazhin mbi gjirin e Rio-de-Zhanéjros. 38 metra i gjatë, monumenti vigan, që u bë simbol i qytetit të Brazilit, u përurua më 12 tetor 1931. Vihej, kështu, në jetë, një propozim i bërë dhjetë vjet më parë nga kryedioqeza e Rio-de-Zhanéjros.
Kujtojmë edhe se mbi majën më të lartë të Korkovados ngrihet një kapelë, në të cilën ruhet kopja e shtatores së Zojës së Aparesidës, Pajtore e Brazilit.
Krishti i Korkovados numërohet ndërmjet shtatë mrekullive të botës moderne, gjë që nuk mund të mos na ngacmojë kureshtjen për t’i njohur gjashtë të tjerat.
Po kujtojmë listën dhe historinë e tyre:
U caktuan pas një sondazhi botëror, realizuar në vitin 2007 nga fondacioni privat “New 7 Wonders Foundation” (Fondacioni i 7 mrekullive të reja të botës”).
Gjithsesi nuk është aspak fjala për mrekulli të reja, në kuptimin e mirëfilltë të fjalës. Të lashta, por që nuk e kanë humbur risinë e tyre në rrjedhë shekujsh. Janë:
“Muri i Madh kinez”;
“Qyteti i lashtë i Petras”, në Jordani;
“Shtatorja e Krishtit Shëlbues”, në Rio-de-Zhanéjro (Brazil);
“Qyteti i humbur i Maçu-Piçu”, në Peru;
“Kompleksi arkeologjik i Chichén Itzà”, në Jukatan të Meksikës;
“Koloseum”, në Romë dhe “Taxh Mahalli”, në Indi.







All the contents on this site are copyrighted ©.