Atë Daniel Gjeçaj ofm në përvjetorin e kalimit në amshim.
Duke shfletuar kalendarin historik të 30 gushtit, përkujtojmë 9 vjetori i vdekjes
së studiuesit françeskan shqiptar, atë Daniel Geçajt. Figurë poliedrike, Atë Danieli
tërë jetën punoi duke iu përmbajtur binomit të njohur që Kleri Katolik Shqiptar ka
pasur gjithmonë, për Fè dhe Atdhè. Në periudhën më të vështirë e të errët të vendlindjes
e të Popullit të vet Shqiptar, nën regjimin komunist e ateist, Atë Daniel Gjeçaj për
vite të tëra qe pikë referimi për diasporën shqiptare dhe emigrantët në Itali e Romë,
për të cilët qe atë shpirtëror e mbështetje vëllazërore. Atë Daniel Gjeçaj për vite
të tëra ishte edhe bashkëpunëtor i Programit Shqip të Radio Vatikanit që në kohën
e themelimit nga dom Zef Shestani, me të cilin bashkëpunoi nga afër e deri në vitet
e fundit të jetës së tij. Janë të shumta botimet dhe ribotimet e veprave letrare
që dolën nga shtypi jashtë atdheut me mbështetjen e Atë Danielit. Ndër to përmendim
“Andrrën e Pretashit” te Atë Anton Harapit, veprën madhore të Atë Gjergj Fishtës“Lahuten
e Malcis”, ribotuar dy herë, ‘Vale mbi Vale’ po e Anton Harapit. Gjithashtu Atë Daniel
Gjeçaj shquhet edhe për vepra origjinale si ‘Gjergj Fishta, jeta dhe vepra’ apo për
përkthime te tilla si ‘Psalmet’ e Biblës e të tjera. Duke kujtuar françeskanin
shqiptar, atë Daniel Gjeçajnë, shfletojmë nga veprat e pabotuara në arkivin e tij,
e zgjodhëm për sot: I Dukagjinasi ..... Lehtë u kjoftë
mbi vorr ledina Butë u kjoshin moti e stina, Ak’lli, bora e serotina: E
der’ t’këndoje n’ mal ndo’i Zanë, E der’ t’ketë n’detë ujë e ranë, Der’
sa t’shndrisin diell e hanë, Ata kurr mos u harrojshin, N’kangë
e valle por u këndojshin. Fishta: Lahuta k. V, 426-433
“Shal-à”
e thirrën në qestí, kur rá në qytet. Gjelosh e quejtën të tjerët në tallje ketë banorin
tipik të maleve orë-çueta, të cilave Lekë Dukagjini u la trashigim Kanunin, u fali
emnin. Si i pari apelativ, si i dyti, në mentalitetin e qytetarit ndryni diçka të
përbuzshëm. E qeshën për hapat këcimtarë të pamasë e të paestetikë rrafshit. I ndejën
larg, kur s’patën nevojën e tij, si i shëndoshti të smuetit me dergjë ngjitëse. Pak
kujt i rá në mend me iu qasë për t’ia shërue varrët, për t’ia lehtësue vuejtjet. I
rralli, që pat diçka në dorë, u mundue t’ia përmirësojë gjendjen, tue ia hjekun shpinet
barrën, që trupin plep ia lakoi porsi ortegu ahishtat. U kënaqën qytetarët-turista,
në verë, para pamjeve plot madhní të bjeshkëve vigane, para luginave të blera, të
thuruna me vrashtësí shkambijsh e koçekësh të zdeshun. E dijtën mirë shkollarët se,
rranxë tyne, i Dukagjinasi lindi e u rrit si halët rrëshinore e brejtë fillakçë, që
në plasa të rrasave të gjalla e në qeta bár-tel, ngatërrojnë rrajët, ushqehen me gur
e naltojnë trupin guximtár, gjithmonë në bejleg e lufta me ortigje e rrufé, me erë
fishklluese e stuhí të përmndershme. S’luejtën, por, vendit, për të bâmë që dimni
ta nxente malsorin të veshun e të mbathun, të mbrojtun me një xham dritësorje a me
një stufë ngrohtëse, të pajisun me një dyqan, me një shkollë mjeshtrie apo me një
magazinë ushqimi. Harruen t’ia xevendësojshin nemose pishtarin me dritë voj-guri dhe
gur-e-unorin me krande shkrepëse. I lypën votën ndër zgjedhje, për t’u rritë vetë,
dhe i premtuen shkolla, rruga, konvikte; por kurrkush s’u kujtue t’ia presë tojen,
që supat ia bâni vija malsorit posi konopi gurin e dhenun graniti në grykën e pusit
freskues. E thirrën në qytet dhe e pritën si kumara ndrikullën, kur u gjetën ngusht,
kur kalaja dridhej prej topave të anmikut, kur shpijat ngujoheshin prej mënisë gjakderdhëse;
por mbrapa s’e lejuen të strukte kryet nën strehën e dyerve të mëdhá, prej frigës
se gurt e dhenun e tullat mirë të pjekuna do t’u fajisshin me “era malsuer”. Në pazár
banorit të malit, i cili ulte në shpinë, çka me djersë gjaku i nxuer me zort natyrës
dorë-rrudhe, ju ngarritën tregtarët, si korbat berrit të germuem, për t’ia grabitë
mallin me gjysë çmimi. Njëqind herë ia shtërnguen dorën e vrashtë, mësuem me dhanë
vetëm besën e burrave, për t’ia shkoqun lakut bagtinë, që ulte në teqe. Në pagesë
kán e kularit, që atij i viente sa ‘i krah burri, ia bân mëzat; dashin e kumbonës,
bryena dredhun, rrunzak; skjapin kime-gjatë, ftujak dhe rrunzat e ftujakët shpinë
voe, kingja e edha të shtimë. Në dyqan, ku veç babë e nanë nuk gjinden, e tallën
kur ua zgidhi qesen rube për me blemun këmisha për fëmijë, që te shpija i mbetën porsi
mishi në bludë; beze për grá e faculeta kreje; kafe e shiqer për festa; dyllë për
natë të qirit; opangë gome e saftjana; fitila ari e argjandi me pak shirita cohe,
për çikë që do të qitëte; fyshekë për të shtime Këshndellash e Pashkësh e për festa
bajraku, rryp lustrafini me hyj e pulla sermi për djalin e parë, që të hijte në çetën
e burrave. Në kranoçin e harxhit i shtînë shap për shiqer, karabojë për kafe, sapun
për djathë, gjithsaherë dukagjinasi i besoi fjalës e jo synit, burrnisë e jo dredhisë
gënjeshtare. E mbajtën të egër ndër doke; por prituen të flijoheshin për tê, për
t’ia zbutë ndjenjat, pa ia bastardhue karakterin iliras; për t’ia rregullue marrëdhaniet
dhe jetën shoqnore, pa ia zhdukun kanunin dhe pa ia pakësue nderën, burrninë e moralin.
U levduen studjuesat shkollarë për squetësinë mendore të rracës virgjin malore; por
fëminë e vorfën të malit s’e përcuellën gadi kurr ndër banka të mësimit e ndër shkolla
të nalta, prej drojes se me kohë do t’u hiqte doret arrat. Të vobegëtit, që në Dukagjin
la kasollën, përsè buêna i muer trollin e tokës, e rá në qytet, i falën me lutje në
shkrim kaçorre teneqesh larg banesash të shehrit; por kurrnjë i madh a i pasun s’tha:
këto janë shpijat e të vorfënve, kjo ndihma për ta.
* * * Katundi mbarë dhe bajraku e njoftën me emën të vet. Shprazën pushkë batare
kur leu, përsè fisit luftár ju shtue një armë, oxhakut një krah, Kanunit një mashkull,
kuvendit të urtisë një plak i ardhshëm. Ushtuen malet me “çka â’ pushka” e bjeshkët
përgjegjën: “ka lé një djalë”. Në ligjim ja ngjitën Kacel a Balë, Cukel a Dakë, Vocërr
a Gjelosh, Can a Bashë, Kokërr a Dodë, Kukel a Cekë, Col a Binak, Çun a Tul, Vogël
a Bub, Perë a Babun, Lul a Zog, Cok a Ujkë, Cur a Lulash, Shytan a Shpend. Ndrikullat
e zemrës e gratë e fshatit ja rrethuen djepin me petulla e mjaltë zogash, me shpatuke
rakije e molla prej arkës. Tue i shpërvjelun mbulojën ngjyre të kaltërt, i uruen me
gojë plot Zotin përkrah, Orën e bardhë fatamadhe për rojë, jetë të gjatë e gëzime.
“Syni i keq mos të pa’t dhe shtrigat mos t’u afrojshin, kapidan ndër shokë të pasha
e bajrak ndër lufta, plak ndër pleqní e kuvende e prís ndër çeta të paça!” - i këndoi
e ama, tue e përkundë. S’njofti mirërritje librash as pedagogë kathedrash. U rrit
si ahi i njomë në ahishte të ré, tue kqyrë përherë nalt, për të mërrijtun te të tjerët.
Lëshoi trup pa neje vesesh as degë brengëçe prirjesh së ulta morale, që shpirtin s’e
lanë me u përspjetë. Thithi rreth votrës e në lojna mocatarësh, në log të kishës e
në mbledhje burrash, ndër festa e ndër darsma, ajrin e kulluet dhe freskinë e kangëve
kreshnike të lahutës zâ-vajtuese. Në gjamë, u nxit prej fjalës magjike të vajtores
sokoleshë, që te kryet e të dekunit endi në vargnim me një art poetik të bindëshëm,
të marrun uhá, pa e dijtë as ajo vetë, veç te Homeri, burrat e fisit, trimnitë, besën,
burrninë, bukën, urtinë, pashinë e të kaluemve në jetën e vërtetë. U nxé kënaqshëm
prej diellit rreze-pastër të shembujve jutbinas të të parëve të vet e të farefisit.
E pvetën endè të vogël se kujt do t’i gitëte në jetë e ai zguedh ma të mirin e të
mirëve, që trungu i gjakut e lisi i tamblit i paraqiti. Pranë zjarmit, që në kulla
as në përdhese malesh nuk shkimbet kurr, si në tempujt e hyjnive klasike, xu me heshtuem
para krip-bardhëve, me u ndigjuem ma të mëdhajve, me nderuem mikun e tërvesën. Ju
shtrue vuejtjeve e motit, punës e blegtorisë. S’ndjeu kurr historinë e Spartanëve
as ligjët e Likurgut, por jetoi si ata, me një ndryshim të vetëm: I-lir përvetësoi
Ilirët e motit. Si barí përdoroi briskun për të dhenë me maje mbi drunin e rrastë
të bushit a të tisit, fyellin për t’i rá, pushkën me gjuejtë shejin e me shitue gjaen
damtore. Provoi idilet e jetës baritore pa e ulë vedin në baltën e vesit, pa u habitë
mbas epsheve, që turbullojnë kjartësinë e synit ngjyrë-qielle, pa e zhigatë ndërgjegjen
e thjeshtë e të pafaje, pa e ligështue karakterin-shkamb. Forcoi drejtpeshimin në
parmendë dhe qindresën në lavër, zhdrivilloi dhe çelnikosi muskujt e krahit në kosë,
provoi fuqinë e trupit të vet të hajshëm e të hjedhtë ndër lojna ligjësh e mbledhjesh,
tue u rrokë me tarabakë moshtarë, tue hjedhë peshën koçek dhe tue pezullue gur katallajsh. U
burrnue djaloshi i malit përpara se mosha ta përcillte ndër burra. Flijoi vullnetin
e vet para vullnetit të nanës e të babës të motnuem edhe kur këta me shkuesí miqsh
e dashmairësh i prunë në konak fatin, që synit të tij s’i pëlqei, por që nën duvakun
e nuses ndrynte doket mashkullore të oxhakut në za prej kah vinte. Tash jeta e
djalit asht jeta e të Dukagjinasit. Shtat-naltë, i hollë, shpatull gjanë, ball-shpërvjelun,
gjak.kulluet si vena në gastare. Synin gacë xhixhilluese nën vetullat e zeza, rrashtën
karakteristike të maleve dinarike, banori, nip i Lekës, paraqet tipin e squet të Veriut
pa motërzime as kryqëzime rracash. I pastër në gjuhë me një gjallësí lumejsh që
rrëzohen shkambijsh, ma i pastër në doke. I kadalshëm në kuvend e i matun në urtí,
i peshuem në gjikime, i prém në vendim, i shpejtë në veprim. Lakonik ndër shprehje,
i pasun në fëtyrëzime e shembëlltyrë të përshtatshme me artin ma të naltin e letrave,
të cilat ai s’i njef. Gojtár në log burrash, ulun për rreth, kur rendi t’i tokojë
me folë dhe të ndreqet në gjuj për të përshtatun kanunin në pleqní të fisit a por
kur janë për t’u marrë vendime me randësí për të marën e të mirën e Bajrakut. Logjik
në arsyetime që s’të lanë me luejtë dhe të shtërngojnë si dana për të pranue të vërtetën. Bujár
dhe fisnik në konak, që deri natën vonë rrin çilë, për të pritun miq e të njoftun,
të panjoftun e deri anmikun udhëtár që i bjen për shteg të oborrit a drumit që kalon
asajtë, të vorfën e lypësa, që erren jashtë, pa dijtë se kujë me ia mësye. Kulla shumpashe
a kasolla përdhese në mal marrin ngjyrë feste kur Zoti i hatron me kambën e mikut
përherë të dishruem. Buka hanë-plote drithi së artë, qitun njatëherë prej cereme
a votre mbuluem me kakí, e qindisun mjeshtrisht me shkrola e me kryq krahë-njajtë,
të skalitun lehtë me gisht a me pirû, krypa e qefi shqiptár, zjarmi breg e prushi
i shpupurishun në oxhak a votër, kuvendi që kurr s’mërzitë, përligjiet e mëfaljet
me një njerëzí e delikatesë ma se pariziane a vjeneze të së kaluemes, s’mungojnë kurr
në truellin e të Dukagjinasit bukë-mirë, që shpinë e ka të Zotit e të mikut. Edhe
atëherë kur në votër s’shtjen xhezen, përsè kafja e shiqeri s’gjinden te ai, as te
fqijtë, edhe atëbotë kur sofrën trikambëshe të shtrueme për rrashit s’e zbukurojnë
petullat e mjalta për meze e mushkënitë, kryet e berrit e shpatulla me eshke të mbytuna
në vjam posi guri në gëlqere të shueme, edhe kur bluda e mazës ngjyrë ari e djathi
i ziem fije gjatë s’ndodhen për hae, malsori s’topitet: oxhakun s’e koritë vorfnija.
Curreku i djathit me ibrik të rakisë, kodra mollash e ftojsh e thalba lejthijash prej
arkës, tlyen të shkrimë në fultere e vegshi i pucatun rrastë me mish të thatë prej
trinet, me bujarinë e zemrës e gazin ndër rob të shpisë plotësojnë çdo mungesë. Besnik
në fjalë e premtime të dhanuna, të cilat vetëm deka i pezullon, dheu i zí i zhbanë.
Për fjalë, që del kah del shpirti, djeg kullën fortesë, shkretnon mal e vërrí. Asht
burrë e jo ká zgjedhet: lidhet për fjalet e jo për bryenash. Nuk njef parime ditunore
politiko-shoqnore, por din të zbatojë me përpikëní ligjet e natyrës njerëzore, drejtësinë
që s’njef pajambajtas e atê çka botës sot i mungon: nderimin dhe çmimin e anasjelltë,
lealitetin e vendosmëninë. S’din i Dukagjinasi dredhí, përsè s’don të gënjejë; s’mërrín
të paraqitet çka s’asht, përsè s’pranon të jetë fletë që e luen era, as pupël që bán
fryma. Rrethanat e vështira të jetës, natyra e vrashtë e malit, lufta që s’din
pushim për të gjalluem, porsa me shpirt, i farkëtoi një karakter burri ma të fortë
e ma të qindrueshëm se çelikun e ndezun dhe të ujatisun mirë mbi kudhën e farkatarit
legjendár, të Tushës. I brishtë e shpesh herë i këcyeshëm, por kurr i lakueshëm. Trim
dhe i pafrigueshëm kudo të jetë puna me ruejtë dy gisht nderë që Zoti i Madh na i
fali në lule të ballit a por kudo u nevojit me lá ballin e vrugnuem. U edukue që në
fëminí me e çmue jetën vetëm nën prizmin e nderës, pa të cilën njeriu asht i dekun.
Para erzit vetjak e familjar, kanuni i mësoi vetëm dy rrugë: gjakun a faljen, por
jo ligështinë. Mjerisht, të lumët pushka i thanë ku duhet dhe kur pushka i shkoi mbarë;
nderove veten si burrat e “faqen e bardhë e paç djalë mbas djalit” i uruen katundi
e i çuen bajrakët kur i Dukagjinasi, zemërcoptuem, suell mbarë djepin e anmikut të
përmbysun në truell, kur puthi, tue e lagë me lot, të cilat vështirë i dalin burrit
si atij, Kryqin shejt të Meshtarit. Gjaksin e muer ngrykë burrnisht dhe e vëllaznoi
me gjakun e gishtit ase e nxuni kumbar me flokë të fëmisë të pafaj. Desht fisin
e atdhenë kurdo natën a ditën u qit kushtrimi. La qetë në kulár, shatin në arë, kosën
në livadh, korrën në lamë, berret në mal, bukën në tërvesë, fëmijët në djep e graninë
ndër rangë. Me sa pat mashkuj të aftë, rroku armët për ku e thirri zani. S’shikjoi
se saraji i vezirit ishte plot me ushtarë roje, s’iu tremb syni prej rrugave të qytetit
labirint, që vlon me njerëz posi thndeglat në vjeshtë, s’iu dridh zemra para topave
të ushtrive ndër grykat e Thermopylave dukagjinase, s’e muer kurr pushka shpinet kahdo
e qiti puna, që prej Moresë së tretun e Stambollës së Mbretit e deri në Zetën e shkjaut,
në kalanë e Shpuzës a fortesën e Medunit. Vezirin dredhacak e la pa djalë, pashën
krenár pa urdí, gjeneralat kapicë-knjaza i bâni të kalojnë si berret në shtrungë nën
armët e kryqëzueme a por i ftofi keqas në Gur të Kuq, në Qafë Kolç të lkuqun prej
gjakut. Jetoi gjithmonë i lirë dhe e desht lirinë si dritën e synit, si zogu i
verës ajrin e pyllin e pakufí. S’pranoi, në të kaluemen, ligjë rromake as azjatike,
s’lau të dheta as s’dha ushtarë, kur këta s’kërkoheshin për të mirën e vendit. Themeloi
ma i pari në Shqipní, Djelmëninë dhe kësajë i lëshoi në dorë mbikqyrjen e vendimeve
të Bajraktarit e të kambëve të fisit, që mos të theheshin, në dam të vendit, prej
përkëdheljeve as arit të huejit as prej shtymejve të ma të fortit. S’ju shtrue,
tash së voni, despotizmit të vetëve, as ndikimeve të huejit shfrytëzues. Para turrit
të tij u dridhën harqet veneciane rranxë kalasë së Dukagjinit të Madh, u trondit Tirana
e kuqe përballë luanit të shituem, i cili për gjith shpellë a birë mali shkjeu me
dhambë klysht bastadha të kulshedrës siberiane.
* * * Nuk ka komb as historí, popull as gojëdhana e as kulturë pa lavruesa, shtet
pa heroj. Historia bâhet, zakonet ruhen, kultura shtohet, shteti forcohet e rritet.
Këtu dallohen të mëdhajt. Njerëzve, që me vepra merituen ketë emën, kombet u kushtuen
elterë në shej mirënjohje, u ngrehën pomendore. Mbetën jashtë të panjoftunt: kreshnikët,
të cilët pa zhurmë, në hije, pa fjalë të mëdhá e kumbuese, kryen punë të mëdhá. Kurrkush
nuk i përmendi, përsè nuk ua dijti emnin. Eshtënt e tyne simbolikë i mblodhën në një
vend, të cilin e pagëzuen: “Monumenti i ushtarit të panjoftun”. Nuk skalitën rrasë
as datë: derdhën e qitën lule, vuerën përherë e vjerrin kunora rreth tij. Për të
Dukagjinast e banorët e malit ky elter mungoi. E pra s’mungoi historija ndër ta, s’u
zhdukën zakonet iliro-trake as shejet e një kulture së vjetër, sa mosha jetike e banorëve
në breg të Adries; e s’mbetën kurr pa heroj. Frati iu kujtue kësajë gollje. U vû
ai vetë ta plotësojë si mujti e si diejti ma mirë e ma. I vorfën, si malsori, të cilit
s’ju dá kurr e për të cilin shkrini jetën, Françeskani hetoi se në misjonin e tij
i mungojshin mjetet. I xevendësoi këto me vetmohim, me dashtëní të painteresë, me
zemërgjanësí burrash. S’pat mermér as daltë për të ngrehun pomendore, s’pat bronx
as ár për të prarue germa. Përdoroi letër e pendë për të përjetësue bijt e vet të
harruem. “Lahuta e Malsis” me “Kanunin e Lekës” e doket iliro-trake, rrapsoditë e
Jutbinës me “Përrallat Kombëtare”, të marruna prej gojës së popullit në tirqë, urtia
e burrënia, përshkruem aq përshtatshëm në “Ândrra e Prêtashit”, gjuha e Palajt me
studimet e Marlekajt i naltuen malsorit të panjoftun monumentin kombëtár, të cilin
motet as stuhitë, luftat as mënija s’do të mërrijnë kurr me e rrëxue. Të përvujtët
të bijt e të Vobegëtit të Asizit, s’thadruen kurrnjë fjalë kushtuese në ballin e veprës
së vet: shkruen me germa të papashme, por të lexueshme prej gjithkujë: “Deri sa Kukelat
e Gjeloshat të jetojnë, Marash Ucat e Dedë Gjo’ Lulat të këndohen me lahutë, deri
sa Tringat të bâjnë fëmijë, Shqipnia ka për të gjalluem si Komb.