2012-08-29 13:47:40

Leksionet e Nënë Terezës: “Fjalimi në dorëzimin e Çmimit Nobel”- pjesa II


Pjesa II: Leksion për paqen
Në leksionin e tetë u ndalëm para një porte, që hapet para Nënë Terezës, e cila e vijon të flasë nga tribuna e Oslos, duke përshkruar një shtëpi pleqsh në botën e pasur:
“Shkova atje e pashë se kishin gjithçka, gjëra të bukura, por të gjithë i kishin sytë të mbërthyer tek porta. E nuk pashë asnjë fytyrë të qeshur. Iu drejtova një motre e i thashë: - Si kështu? Si është e mundur që njerëz, të cilët i kanë gjitha të mirat, s’bëjnë tjetër, veçse shikojnë portën? E nuk shoh asnjë fytyrë të qeshur! Jam mësuar t’i shikoj njerëzit tanë të qeshur; madje edhe ata që janë duke dhënë shpirt, buzëqeshin lehtas. Vdesin me buzë në gaz.
E ajo ma ktheu: - Kështu i ke ditë për ditë, presin e shpresojnë se do të vijë për t’i parë ndonjë prej bijve a bijave. E ndjejnë veten të plagosur, sepse të harruar, e, shikoni, pikërisht këtu duhet të trokasë dashuria. Ashtu si troket në shtëpitë tona varfëria, kur harrojmë të duhemi. Ndoshta në familjen tonë kemi ndokënd që ndjehet i vetmuar, i sëmurë, i shqetësuar, e këto janë ditë të vështira për të gjithë. A jemi aty? A jemi për t’i ndihmuar? A është aty nëna, për të dëgjuar fjalën e pathënë të të birit? Çuditem kur shoh, në perëndim, shumë djem e vajza të droguara dhe e vras mendjen për të gjetur psenë, pse ndodh kjo? E përgjigjja është: sepse nuk kanë asnjeri në familje që t’i dëgjojë. Babai e nëna janë gjithnjë të zënë, aq sa të mos kenë kohë deri për fëmijët e vet. Prindërit e rinj janë në ndonjë zyrë, kur fëmija u bredh rrugëve, gati për të rënë në ndonjë grackë. E ne jemi duke folur për paqen! Pikërisht këto janë gjërat, që e rrënojnë paqen, por unë nuk heq dorë nga mendimi se sot për sot armiku më i rrezikshëm i paqes është aborti, sepse luftë e drejtpërdrejtë, vrasje e drejtpërdrejtë, mbytje e fëmijës me dorën e vetë s’ëmës.
E lexojmë në Shkrimin Shenjt. Zoti e thotë tepër qartë: “Edhe sikur nëna ta harronte foshnjën, unë nuk do të të harroj! Të kam skalitur në pëllëmbë të dorës!”. Jemi të skalitur në pëllëmbën e dorës së Tij, jemi pranë Tij! E edhe foshnja e palindur është e skalitur në pëllëmbën e dorës së Zotit. E ajo që më trondit më shumë, është fillimi i kësaj fraze, janë fjalët: “Edhe sikur nëna të harronte...”. Më duket gjë e pamundur, por megjithatë, edhe nëna mund të harrojë, na kujton Zoti, në sa unë nuk do të harroj kurrë. Sot për sot, arma më e rrezikshme kundër paqes, është aborti. Nëse ne jemi këtu, jemi sepse prindërit tanë na deshën. Nuk do të ishim, nëse nuk do të na kishin dashur. Shumkush interesohet për fëmijët e Indisë e të Afrikës, ku vdesin me mijëra nga mungesa e ushqimit. Por në vende të tjera miliona fëmijë mbyten nga vetë prindërit e tyre. E nëse një nënë mbyt fëmijën e vet, pse u dashka të çuditemi, kur njerëzit ia marrin shpirtin njëri-tjetrit?!
Prandaj bëj thirrje, në Indi e kudo: “Na i jepni ne fëmijët, nëse nuk i doni, në këtë vit, që u është kushtuar. Çfarë kemi bërë për fëmijët? Në fillim të vitit kam thënë, kudo që kam folur: të punojmë këtë vit, që çdo fëmijë, i lindur e i palindur, të duhet. E sot, që përfundon viti, pyes: ‘A e kemi dashur çdo fëmijë të lindur a të palindur?”. Do t’ju kujtoj diçka prekëse. Po luftojmë kundër abortit përmes bijësimeve, duke shpëtuar kështu mijëra jetë. U kemi bërë thirrje të gjitha klinikave, spitaleve, stacioneve të policisë: ju lutemi, mos i mbysni fëmijët, i marrim ne. Në çdo orë të ditës e të natës, është dikush, që ka nevojë për ndihmë. Kemi shumë vajza-nëna: thojuni të vijnë tek ne, ne do të kujdesemi për fëmijën e tyre, do t’i gjejmë strehë. Kemi kërkesa të panumërta nga ana e familjeve pa fëmijë, e për ne ky është hir i Zotit. Po bëjmë edhe një gjë tjetër, shumë të bukur, po u mësojmë lypësve tanë, të gërbulurve tanë, banorëve të barakave, njerëzve tanë të sokaqeve, metodat e planifikimit familjar.
E vetëm në Kalkutë, në gjashtë vjet, e theksoj, vetëm në Kalkutë, kemi pasur 61273 fëmijë më pak nga familjet, që do t’i kishin nxjerrë në dritë, sepse u mësuan të praktikojnë këtë metodë natyrore të përkorjes, të vetëkontrollit, me dashuri reciproke. U mësojmë atyre metodën e temperaturës, që është shumë e bukur, krejt e thjeshtë, e njerëzit tanë të varfër e kuptojnë fare mirë. A e di ç’më kanë thënë? Familja jonë është e shëndoshë, e bashkuar e mund të kemi fëmijë sa herë të duam! E qartë, pra, këta njerëz rrugësh, këta lypës, bëjnë shumë më tepër se mund të bëni ju e gjithë të tjerët, që mund t’i njohin metodat e mjetet, pa e shkatërruar jetën, të cilën Zoti e krijoi në ne. Të varfërit janë njerëz të mëdhenj. Mund të na japin shumë mësime të bukura. Një ditë një prej tyre erdhi të më falënderojë e më tha: “Ju që keni bërë kushtin e pastrisë, jeni njerëzit më të aftë për të na mësuar planifikimin familjar”. Sepse nuk është tjetër, veçse vetëkontroll për dashuri reciproke. E mendoj se kemi thënë një frazë shumë të bukur. E këta janë njerëz, që ndoshta nuk kanë asgjë për të ngrënë, ndoshta-ndoshta nuk kanë as strehë, ku të struken. Gjithsesi, janë njerëz vërtet të mëdhenj!







All the contents on this site are copyrighted ©.