2012-08-29 16:43:26

Fillojnë Lojërat Paraolimpike: Londër 1948 – Londër 2012


Lëvizja paraolimpike kthehet aty ku ka filluar, pasi për vite me radhë ka bërë hapa gjigante përpara. Filluan sot në Londër e do të vazhdojnë deri më 9 shtator, Lojërat Paraolimpike. 4200 atletë, të ardhur nga 166 vende do të vihen në garë, ashtu si sportistët e tjerë, të ashtuquajturit “normalë”, një muaj më parë. Vërtet, është Olimpiada e personave me të meta fizike, që nuk pranojnë të konsiderohen ndryshe nga të tjerët, sepse forca e shpirtit i ka bërë të fitojnë mbi problemet e tyre e të zbresin në stadium, si atletë të mirëfilltë.
Pak histori. Terapia sportive për zgjidhjen e problemeve fizike lindi pikërisht në Angli gjatë Luftës II Botërore. Në vitin 1944, në Institutin “Stoke Mandeville”, pranë Londrës, doktor Ludvig Gutman filloi një veprimtari pionieristike me të mbijetuarit, që ishin dëmtuar rëndë në shtyllën kurrizore. Pak vjet më vonë, më 28 korrik 1948, ndërsa në kryeqytetin britanik mbahej ceremonia e hapjes së Olimpiadës, fillonin edhe Lojërat e para të “Stoke Mandeville”. U bënë vjetore dhe morën karakter ndërkombëtar, me pjesëmarrjen e Holandës, në vitin 1952.
Për herë të parë, ato u zhvilluan së bashku me Olimpiadën, në edicionin e Romës, në vitin 1960. Në kryeqytetin italian, jetonte një pionier tjetër i terapisë me anë të sportit, doktor Antonio Malio. Më pas, kjo u bë traditë e vendet e ndryshme filluan të njohin juridikisht Federatat Paraolimpike. Nga një edicion në tjetrin, Paraolimpiadat u bën një spektakël i vërtetë, jo vetëm për ata, që merrnin pjesë në gara, por edhe për ata, që i shikonin. E në botën sportive, që kërkon pa pushim modele pozitive, habia e fillimit ia lë vendin shpejt ndjenjës më të sinqertë të admirimit.








All the contents on this site are copyrighted ©.