2012-08-29 16:57:06

30-vjetori i Këshillit Papnor të Kulturës.


Sonte, në sa ne transmetojmë, Rai Storia i kushton një emision të posaçëm Këshillit Papnor të Kulturës, në 30 vjetorin e themelimit. Për historinë e këtij dikasteri të rëndësishëm të Selisë së Shenjtë, flasin kryetari i sotëm, kardinali Xhanfranko Ravazi dhe paraardhësi i tij, kardinali Paul Poupard.

Kujtojmë se Këshilli Papnor i Kulturës u themelua me Kushtetutën Apostolike ‘Pastor bonus”, më 28 maj 1982, nga Papa Gjon Pali II, për të favorizuar lidhjet e Selisë së Shenjtë me botën e kulturës, duke nxitur dialogun ndërmjet kulturave të ndryshme të kohës sonë. Një nga synimet kryesore të themelimit ishte e është që qytetërimi t’ia hapë zemrën Ungjillit. E jo më pak, që kultivuesit e shkencës, të letërsisë e të arteve ta ndjejnë veten pranë Kishës, e cila i njeh si njerëz në shërbim të së vërtetës, të së mirës e, sidomos, të asaj Bukurie e cila, sipas thënies së Dostojevskit, që përsëritet shpesh, shpresojmë se do ta shpëtojë botën.
Kryetari i parë i dikasterit ishte kardinali Gabriel-Marie Garrone (1982-1988), pasuar nga kardinali Paul Joseph Jean Poupard (1988- 2007). Vendin e tij e zuri kryetari aktual, kardinali Xhanfranko Ravazi, ish-prefekt i Bibliotekës Ambroziane të Milanos, emëruar nga Papa Benedikti XVI (nga viti 2007).
Shumë e pasur, historia e këtij Këshilli Papnor, ndonëse krejt i ri në moshë. Kohët e fundit, veç takimeve me artistët e mbarë botës, kujtohet edhe për organizimin e Oborrit të jo besimtarëve, që u mbajt edhe në Tiranë.Pikërisht për këtë histori po flet kardinali-kryetar, Ravazi.







All the contents on this site are copyrighted ©.