2012-08-28 11:14:55

Mediat e krishtera të Libanit shpresojnë në vizitën e Papës


Edhe dy javë e, Papa Benedikti XVI do të shkojë në Liban, nga 14 deri më 16 shtator. Udhëtimi, 15 vjet pas atij të të Lumit Gjon Pali II, pritet me shpresë në të gjithë Lindjen e Mesme. Shqetësimi e dëshira e njerëzve paraqitet gjerëisht në mediat lokale, sidomos në ato të krishtera. Pyetëm gazetaren e radios së krishterë libaneze “Voix de la Charité” (Zëri i Dashurisë), Simonë Mubarak:
Ne, mediat e krishtera, transmetojmë programe për jetën e Papës, për mësimet e tij, për udhëtimet e sidomos, shpjegojmë qëllimin e kësaj vizite. Urojmë që ai të jetë i qartë. Ne besimtarët e kemi kuptuar rëndësinë e kësaj vizite: fakti që Papa dëshiron të vijë në një çast kaq të vështirë e të rrezikshëm, fakti që ka zgjedhur tokën tonë për të dorëzuar Nxitjen Apostolike, është shenjë e vërtetë e Provanisë Hyjnore. Për ne është thirrje dhe këshillë. Thirrje për të jetuar me shpresë e me fe, pa pasur frikë dhe, këshillë për misionin tonë. Prania jonë në Lindjen e Mesme është misioni ynë për të qenë dëshmitarë të Krishtit. Papa na këshillon të jetojmë së bashku, duke respektuar njëri-tjetrin, duke qenë protagonistë të lirisë e të paqes së vërtetë. E gjithë bota shpreson që kjo vizitë të na sjellë paqen e shpresën. Duhet thënë se njerëzit në Liban, në Lindjen e Mesme, në vendet pranë nesh, janë të lodhur e të dëshpëruar. Prandaj, ky shtegtim i Papës është një rreze drite e kemi shpresë se bota e Kisha do ta kuptojnë më mirë dhimbjen tonë, gjithçka po jetojmë në këtë moment.
Cili është roli i mediave të krishtera në Liban për dialogun ndërfetar?
Mediat e krishtera përhapin një mesazh ungjillor e dihet se ai është mesazh paqeje. Të gjitha mediat e krishtera punojnë për dialogun islamo-kristian. Në programet tona marrin pjesë shumë myslimanë, bëjmë emisione të përbashkëta për të gjetur pikat e bashkimit. Mendoj se është e nevojshme që të kemi rolin e paqtuesit.







All the contents on this site are copyrighted ©.