2012-08-28 11:19:09

Leksionet e Nënë Terezës: “Fjalimi në dorëzimin e Çmimit Nobel” - pjesa I


Pjesa I: Të duam deri në dhembje.
Duke ndjekur leksionet e Nënë Terezës, sot ndalemi te pjesa 1 e fjalimit të saj mbajtur me rastin e marrjes së Çmimit Nobel, e kështu arrijmë në një mjedis fare të jashtëzakonshëm për Murgeshën imcake, që bridhte gjithë ditën në sokaqet e botës së të varfërve, duke mbledhur njerëz gjysmë të gjallë e gjysmë të vdekur, për t’u dhënë kënaqësinë të jepnin shpirt në prehër të saj, e të motrave të saj. Që dinte më shumë të lutej, sesa të mbante fjalime nga tribunat. Ndonëse edhe ndër to nuk i mungonte fjala, që i buronte nga një gurrë pak e njohur për njerëzit e tribunave të kësaj bote!
Jemi në Oslo; data 10 dhjetor 1979: një shqiptare e përvuajtur, për herë të parë, mban Leksionin më të jashtëzakonshëm, në një nga tribunat më të larta të njerëzimit.
E kemi fjalën për leksionin, që dha, në sa merrte në dorëzim Çmimin Nobel. Nënë Tereza foli në një mënyrë krejtësisht të padëgjuar në atë sallë, që ka parë e ka dëgjuar mendjet më të ndritura të njerëzimit. E mësonte botën të dojë, deri në dhembje!
“Me që jemi mbledhur të gjithë bashkë, mendoj se, për të falënderuar Zotin e Çmimin Nobel për Paqen, do të ishte vërtet e bukur të luteshim me lutjen e Shën Françeskut të Asizit, që më mahnit gjithnjë shumë – ne e themi këtë lutje çdo ditë pas Kungimit, sepse tepër e përshtatshme për secilën nga ne. Më bën të mendoj se katër-pesëqind vjet më parë, kur Shën Françesku e krijoi këtë lutje, njerëzit duhet të kalonin po ato vështirësi, që kemi sot, me që na përshtatet kaq shumë.
Mendoj se disa nga ju e kanë me vete, prandaj, të lutemi së bashku. Ta falënderojmë Zotin për mundësinë që kemi, gjithë së bashku, sot, për këtë dhuratë të paqes, që na kujton se jemi krijuar për ta jetuar këtë paqe, se Jezusi u bë njeri, për t’ia sjellë pikërisht këtë lajm të mirë të varfërve. Ai, edhe pse Zot, u bë njeri në gjithçka, veç mëkatit, dhe e shpalli botërisht se kishte ardhur për ta sjellë këtë lajm të mirë. Lajmi ishte paqja për të mbarë njerëzit vullnetmirë, ishte paqja e zemrës, që e dëshirojmë të gjithë. Zoti e deshi botën aq, sa të jepte Birin e vetëm për t’ua bërë njerëzve këtë dhuratë. E si mund të themi se bëri keq, pse e deshi botën aq, sa të jepte Birin e vet? E ia dha Virgjërës Mari. E ajo, ç’bëri pastaj? Sapo e ndjeu gjallë, shpejtoi ta jepte lajmin e, si hyri në shtëpinë e së kushërirës, foshnja - ende e palindur, në kraharorin e Elizabetës, u drodh nga gëzimi. Ferishtja e palindur qe lajmëtari i parë i paqes!
Njohu Princin e Paqes, njohu Krishtin, ardhur për të sjellë lajmin e mirë, për mua, për ty. E sikur të mos i mjaftonte që u bë njeri, deshi edhe të vdiste mbi kryq, për të treguar sa e madhe ishte dashuria e Tij për njeriun, për mua, për ty, për të gërbulurin e për të uriturin, që sillet lakuriq rrugëve jo vetëm të Kalkutës, por edhe të Afrikës, të Nju Jorkut, të Londrës, të Oslos, e nguli këmbë ta donim njëri-tjetrin, ashtu si na kishte dashur Ai vetë. Lexohet qartë në Ungjill: “Duajeni njëri-tjetrin, ashtu si ju desha unë, si ju dua. Ju dua, si më deshi Ati”. E Ati e deshi aq fort, sa ta dhuronte dhe më fort. E edhe ne duhet ta duam njëri-tjetrin, deri në dhembje. Nuk mjafton të themi: “Zotin e dua, por jo të afërmin!”. Shën Gjoni të kujton se gënjen kur thua: “Zotin e dua, por jo të afërmin”. E si mund ta dashke Zotin, që nuk e sheh, kur nuk e do të afërmin, që e sheh, e prek, që jeton me të e pranë tij? Kështu ka shumë rëndësi të kuptojmë se dashuria, për të qenë e vërtetë, duhet të jetë e tillë deri në dhembje!
I dhembi Jezusit, kur na deshi. I dhembi fort. E për të qenë i sigurt se do ta kujtonim dashurinë e tij të madhe, u bë Buka e jetës, që të shuante urinë tonë për dashuri. Urinë tonë për Zotin, sepse u krijuam për këtë dashuri. U krijuam sipas shëmbëlltyrës së tij. U krijuam për të dashur e për t’u dashur, e Ai u bë njeri, që ne të mund të donim, siç na deshi Ai vetë. Është Ai i urituri, i zhveshuri, i pastrehu, i sëmuri, i burgosuri, i vetmuari, i padashuri, e vijon të na kujtojë: “Ma keni bërë mua!”. Ka uri për dashurinë tonë, e kjo është uri për të varfrit tanë. Është ajo uri, që ju e unë duhet ta gjejmë, sepse mund ta kemi edhe në strehën tonë! Nuk e harroj kurrë mundësinë që pata për të vizituar një shtëpi, ku strehoheshin një mori pleqsh, të gjithë prindër me bij e me bija, të gjithë të flakur në atë institut dhe... të harruar!







All the contents on this site are copyrighted ©.