2012-08-27 13:36:30

Tmerr në Siri: mëse 300 kufoma në një varr të përbashkët pranë Damaskut


Akoma dhunë në Siri, ku gjatë 24 orëve të fundit, bilanci i viktimave flet për të paktën 440 të vdekur. Dita e djeshme mund të konsiderohet më e përgjakshmja e konfliktit, pas zbulimit të një varri të përbashkët në Daraja, në periferinë e Damaskut, ku u gjetën kufomat e mëse 300 vetëve, shumica e të cilëve gra e fëmijë. Duket se personat janë vrarë gjatë një raprezaljeje shtëpi më shtëpi. Regjimi akuzon terroristët. Sot, opozita “mori hak” për këtë masakër, duke hedhur poshtë një helikopter e duke vazhduar luftimet në kryeqytet. Paradite, u gjetën edhe 14 kufoma të tjera. Nga ana e tij, presidenti sirian Bashar Al Asad deklaroi dje, pas bisedimeve me të dërguarin iranian, se do të bëjë ç’është e mundur për t’iu kundërvënë atij, që e quajti “komplot” të forcave të huaja. Teherani ka organizuar një mbledhje për Sirinë, më 30 e 31 gusht, ku do të marrin pjesë vende, që nuk janë aleatë të Perëndimit, por edhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-Mun, pavarësisht nga kundërshtimet e SHBA-ve dhe të Izraelit.
Ndërkaq, rritja e vazhdueshme e përmasave të konfliktit e ka rënduar emergjencën e refugjatëve në rajon. Sipas vlerësimeve të fundit të OKB-së, rreth 200 mijë vetë janë larguar nga Siria për në vendet fqinjë. Shumë shkojnë në Jordani, nga ku na flet drejtori i Karitasit të vendit, Uael Sulejman:
Numri i sirianëve në Jordani po rritet jashtëzakonisht. Gjatë tri ditëve të fundit kanë hyrë 2500 vetë, sepse situata në Siri po keqësohet. Flasim për gati 180 mijë sirianë, që kanë ardhur në Jordani nga fillimi i konfliktit. Në kampin e Zaatarit, për të cilin kujdeset Karitasi, kemi 14 mijë vetë. Po përpiqemi t’i ndihmojmë sa mundemi këta njerëz. Para një jave, hapëm dy shkolla për fëmijët sirianë, të cilët mund të fillojnë së paku një kurs gjashtëmujor, pasi kanë lënë përgjysëm shkollën për të ardhur në Jordani.
Cilat janë vështirësitë që hasni? Për çfarë keni më shumë nevojë?
Në këtë gjendje emergjence, sirianët kanë nevojë për gjithçka. Ikin nga vendi i tyre, mbërrijnë në Jordani duke ecur në këmbë e duke përshkuar së paku 20, 30 kilometra. Kanë nevojë për gjithçka, për ushqim, për ujë, për strehim, sepse edhe kampet nuk janë të përgatitura për një numër kaq të madh njerëzish. Ne përpiqemi të gjejmë fonde edhe për veprimtaritë shëndetësore, për hapjen e qendrave mjekësore… duhet të falenderojmë qeveritë e Marokut, të Francës e të Italisë, që na kanë dërguar tre spitale fushore. Akoma po shpërndajmë pako me ushqime për familjet.
Çfarë tregojnë njerëzit, që arrijnë në kamp?
Nuk dua ta teproj, por çdo familje na thotë se ka humbur të paktën një person, se kanë pasur shumë probleme edhe kur kanë arritur në kufirin me Jordaninë, për shkak të bombardimeve. Kam folur me shumë të rinj, që e kanë humbur shpresën. Nuk e prisnin që vendi të katandiste në këtë gjendje. I kërkojnë gjithë botës t’i ndihmojë, sepse duan të kthehen në Siri një ditë, nuk duan të jenë gjithnjë refugjatë. Askush nuk dëshiron të përsërisë historinë e palestinezëve në Jordani.







All the contents on this site are copyrighted ©.