2012-08-27 17:04:19

Rritet tensioni në Liban, por Papa ka ndërmend të shkojë


Shpresa e Kishës maronite libaneze, e eksponentëve të ndryshëm të kishave lokale, e krerëve të krishterë e myslimanë të moderuar, që e duan dialogun, është që Papa të shkojë në Liban, sipas parashikimit, nga 14 deri më 16 shtator. Nga ana tjetër, ashpërsimi i krizës siriane dhe ndikimi i saj në vendin e kedrave, shkakton vështirësi të njëpasnjëshme në realizimin e këtij shtegtimi apostolik.
Gjatë orëve të fundit, patriku maronit libanez, Bekara Raji, autoriteti më i lartë kishtar i vendit, duke komentuar ndeshjen me armë ndërmjet përkrahësve dhe kundërshtarëve të presidentit sirian al Asad në Tarabulluz, tha se kjo spirale dhune e lufte është e papranueshme. Tarabulluzi, vazhdoi imzot Raji, nuk mund të bëhet një fushë beteje për shkak të ndarjeve, që varen nga kriza siriane. Ai nuk është qytet i ekstremizmit fetar.
Edhe eksponentët myslimanë, në favor të vizitës së Papës, po bëjnë të gjitha përpjekjet për realizimin e saj. Për momentin, udhëtimi do të bëhet, siç ka deklaruar zëdhënësi i Selisë së Shenjtë, atë Federiko Lombardi, por natyrisht, Vatikani e ndjek gjendjen hap pas hapi. Qëndrimi i Selisë së Shenjtë konfirmohet edhe nga kryetari i Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar, kardinali Zhan Lui Turan, i cili, duke shprehur një mendim për “pranverën arabe”, deklaroi se ajo do të japë rezultate të mira pas disa kohësh, për shkak se historia shkon drejt shoqërive më demokratike, por nuk do të kemi përmirësime në afate të shkurtra.
Ndër shtegtimet apostolike të papëve, ka një precedent. Në vitin 1994, për shkak të luftës në Bosnjë-Hercegovinë, Papa Gjon Pali II anulloi udhëtimin e tij në Sarajevë. Kësaj radhe, zëra si ai i jezuitit Paolo Dall’Oglio, njohës i thellë i gjendjes në vendet arabe, flasin për rreziqe të mëdha për sigurinë e Atit të Shenjtë. Nga ana tjetër, nëse Hezbollah, e ashtuquajtura “partia e Zotit” në Liban, nuk arrin të kontrollojë grupet e veta të armatosura, kuadri i përgjithshëm bëhet delikat. Megjithatë, diplomacia vatikanase vazhdon të punojë për ta çuar Papën në vendin e kedrave.







All the contents on this site are copyrighted ©.