2012-08-27 18:34:38

Entuziazmi për fluturimin jashtëzakonisht të guximshëm: Pali VI, zbritja në hënë e takimi me Armstrong-un


Vdekja e Neil Armstrongut, austronautit që në korrik 1969 ishte njeriu i parë që shkeli mbi trojet e pashkelura të Hënës, i kujtoi përsëri njerëzimit dalldinë e pashoqe që pati pushtuar zemrën e Planetit, kur ndiqte pa frymë, fatin e njerëzve të Apollo 11. Njerëz, të cilëve Papa i asokohshëm, Pali VI, u dha disa herë bekimin, duke i vlerësuar lart e me admirim të madh.
Dy ditë që e mahnitën Papën: 20 korrik, pritja; 21 korrik, bëma. Në zanafillë është, siç do ta quante tri ditë më pas, “tronditja e risisë dhe e mahnitjes” nga e cila edhe Pali VI u pushtua, ashtu si mbarë njerëzimi, sepse askush nuk mund të shpëtonte nga mrekullimi. Në lutjen e Engjëllit të Tënzot të mesditës, të dielën, më 20 korrik 1969, Papa Montini foli për mbrëmjen, që pritej aq shumë, kur tre astronautët amerikanë duhej të shkelnin mbi trojet e Hënës:
“Sot është ditë e madhe, ditë historike për njerëzimin, në se sonte dy njerëz do të vënë këmbën mbi Hënë, si urojmë të ndodhë lumturisht, ne e mbarë bota në ankth, në entuziazëm e në lutje. Do të bënim mirë të meditonim për këtë ngjarje të jashtëzakonshme ... (Engjëlli i Tënzot, 20 korrik 1969).
“Bëjmë mirë të meditojmë...”. Edhe pse në pritje, si të gjithë, Pali VI ruan kthjelltësinë e mendimit e edhe pakëz distancë, që hapin shtegun e arsyes, në mes të ekzaltimit kolektiv, që s’di të bëjë tjetër, veçse të brohorasë për heronjtë e Hënës. Pastaj, ngjarja, për të cilën u shkrua e u fol pambarimisht, pamjet e së cilës mbetën për muaj e muaj në ekranet e televizioneve. Ishte nata e 21 korrikut, kur Papa e ndiqte uljen në Hënë përmes Observatorit të Vatikanit, në Kastel Gandolfo. Atje, në sa këmba e parë njerëzore shkelte mbi trojet e Hënës, Pali VI falënderonte qiellin, të cilin e ndjenë aq pranë tre njerëzit fluturues. E, së bashku me ta e me mbarë njerëzimin, Giovanni Batista Montini, shprehte, pa pengëza, gjithë entuziazmin e tij:
“Gloria a Dio!
E nderim për ju, njerëz, që kryet veprën e madhe në hapësirë! Nderim njerëzve përgjegjës, studiues, ideatorë, organizatorë, operatorë. Nderim të gjithë atyre, që e bënë të mundur fluturimin tejet të guximshëm! Ju të gjithëve, që u impenjuat në këtë vepër!
Nderim ju, që, të ulur ndërmjet aparateve tuaja të mrekullueshme, qeverisni; ju, që i tregoni botës veprën e orën në të cilën zgjeron në thellësitë qiellore, sundimin e urtë e të guximshëm të njeriut! Nderim, përshëndetje e bekim! (Mesazh i Palit VI).
Dy ditë më pas, të mërkurën, më 23 korrik, Papa Montini kryesonte audiencën e përgjithshme. Kot sa ta kujtojmë argumentin: është, natyrisht, zbarkimi mbi Hënë, gjë provon edhe një herë deri në ç’masë kjo ngjarje e kishte pushtuar imagjinatën publike. Por tani, ndërsa astronautët amerikanë përgatiten për zbritjen, është çasti të mendohen hollësirat e asaj që ndodhi. Në katekizëm, Pali VI shpjegon se feja e shkenca nuk i kundërvihen njëra-tjetrës, përkundrazi, kush studion, kush kërkon, kush mendon, nuk mund ta mënjanojë gjithëpraninë objektive te Hyjit, të Krishtit, që mbetet fillimi e mbarimi i kozmosit e i Hënës. Për Papën, është shumë e rëndësishme të kujtosh se forca e pandjeshme e Shpirtit frymon edhe mbi ditët, në të cilat të gjithë himnizojnë teknikën:
“Në dehjen e kësaj dite profetike, ngadhënjim i vërtetë i mjeteve të prodhuara nga njeriu për të sunduar kozmosin, nuk duhet të harrojmë nevojën e detyrën që ka njeriu për të sunduar vetveten” (Engjëlli i Tënzot, 20 korrik 1969).Fluturimi tejet i guximshëm jetohet nën Kupolën e Shën Pjetrit tre muaj më pas, kur Pali VI i shtrëngon dorën Neil Armstrong dhe shokëve të tij, Edwin Aldrin e Michael Collins. Është audienca e 16 tetorit 1969.







All the contents on this site are copyrighted ©.