2012-08-24 19:10:55

përshëndet


Në përfundim të audiencës së përgjithshme të ditës së mërkurë, në festën e Zojës Mbretëreshë, së cilës ia kushtoi katekizmin, Papa Benedikti XVI përshëndeti motrat kalde “Bija të Zojës së Papërlyer”, që impenjohen në shërbim të popullsive të Irakut. Rregulltaret katolike ndihmojnë jo vetëm bashkësinë e krishterë, por edhe myslimanët, në një situatë të vështirë për të gjithë. Për Irakun u fol edhe gjatë Takimit të Lëvizjes “Bashkim e Çlirim” në Rimini të Italisë, ku dha dëshminë e vet edhe profesor Mehdati, pedagog universiteti në Bagdad. E pyetëm në ç’kushte jetojnë të krishterët në Irak:......RealAudioMP3
Pikë së pari, dua të them se të krishterët jetojnë në Irak që nga shekulli I. Gjatë 50 vjetëve të fundit, kanë qenë të krishterët ata, që e kanë ndërtuar Irakun. Të krishterët ishin mjekë, mësues, infermierë. Tani jemi gjithnjë e më pak. Gjatë 30 vjetëve të fundit jemi pakësuar jashtëzakonisht: kemi kaluar nga 20 në 5% të popullsisë irakiane. Sigurisht, jeta e të krishterëve nuk është e thjeshtë, por ndryshon nga qyteti në qytet e nga një lagje në tjetrën. Duhet thënë se problemi ynë i vërtetë është prania e njerëzve, që bëjnë ç’është e mundur për të krijuar probleme: ka njerëz, që duan ta shkatërrojnë vendin dhe banorët e tij.
Ç’qëndrim mban bashkësia ndërkombëtare? Të krishterët e ndjejnë veten të braktisur nga bota?
Të them të vërtetën, po. Ndjehen të braktisur. Unë personalisht pres nga Perëndimi të mendojë për të krishterët: jo vetëm për të krishterët e Lindjes së Mesme, por edhe për të krishterët e vetë Perëndimit, të Evropës e të Amerikës, sepse ka forca, që po punojnë kundër tyre. E kërkoj ndihmë edhe për t’u bërë ballë të gjitha forcave të vendeve arabe, që e dobësojnë praninë e të krishterëve. Nuk duhet t’i lejojmë, sepse objektivi i këtij pushteti është të godasë të krishterët e Lindjes së Mesme. Duhe të kemi guxim e t’i kundërshtojmë këto forca.
Ç’marrëdhënie keni me myslimanët? A e garanton shteti lirinë fetare?
40 vjet më parë, marrëdhëniet ndërmjet të krishterëve e myslimanëve ishin më të mira se sot. Problemi është qeveria, që nuk jep siguri e nuk mund të garantojë asgjë, sepse është tepër e dobët. Pastaj, ka shumë aspekte që qeveria nuk i mban parasysh, gjëra të tjera, që nuk impenjohet t’i bëjë, e megjithëse i njeh mirë disa situata të vështira, nuk ndërhyn.
Cila është gjendja sot në Irak?
Që nga viti 2003 (kur u hoqën sanksionet) e deri më sot, shohim rezultatin e sa e sa luftrave e të 30 vjetëve të embargos: Iraku është një vend vërtet i lodhur. Tani, gjendja ekonomike është përmirësuar, por jeta shoqërore keqësohet, sepse nuk ka siguri, nuk ka qetësi. Prandaj, megjithëse është përmirësuar gjendja ekonomike, pa siguri, populli nuk mund të jetojë.







All the contents on this site are copyrighted ©.