Papa në Liban: Imzot Masri: vizitë e rëndësishme, që inkurajon të krishterët të bashkëjetojnë
me myslimanët.
Megjithë atmosferën e tensionit në rritje, Libani vijon të përgatitet për vizitën
e Papës, që do të jetë në këtë vend të trazuar nga 14 deri më 16 shtator. Për shpresat
e bashkësisë së krishterë libaneze, të dëgjojmë imzotin George Masri, ekonom
i përgjithshëm i Patriarkanës siro-katolike në Liban:
Përgjigje: - Presim
shumë nga vizita e Atit të Shenjtë, sepse është ngjarje, që ngjall shpresë për mbarë
Kishën, posaçërisht për ne, siro-katolikët, që jemi pakicë dhe e dëshmojmë fenë tonë
me gjak. Jemi Kishë martirësh, por njëkohësisht edhe pakicë, që jeton me shpresë e
besim në Jezu Krishtin.
Pyetje: - Ç’ndikim mund të ketë vizita e Papës
mbi dialogun islamo-kristian në një zonë, ku të krishterët janë pakicë?
Përgjigje:
- Është shumë e rëndësishme, vizita e Papës në Lindjen e Mesme, posaçërisht në një
vend të vogël, si Libani. Ati i Shenjtë na jep shpresë, e edhe guxim për të jetuar
me fqinjët tanë myslimanë, për t’i prirë dialogut të jetës së përditshme, sepse dialogu
dogmatik nuk është aspak i lehtë; gjithsesi po bashkëjetojmë me popullsinë myslimane.
Shpresojmë shumë në vizitën e Atit të Shenjtë e edhe po përgatitemi, të krishterë
e myslimanë, për këtë ngjarje kaq të rëndësishme. Shpresojmë se dialogu ndërmjet nesh
e vëllezërve myslimanë do të mbetet dialog i bashkëjetesës së vërtetë.
Pyetje:
- Si mund të na i përshkruani zhvillimet e fundit në Liban, pasojë e tensioneve
politike? Ç’ ndikim mund të kenë mbi vizitën e Atit të Shenjtë?
Përgjigje:
- Për fat të keq, po i jetojmë këto ngjarje, por sigurisht nuk e cënojnë vizitën
e Atit të Shenjtë, sepse kjo vizitë i jep shpresë shumicës së popullsisë libaneze
dhe gjithë të krishterëve të Lindjes së Mesme: ne shpresojmë që pranvera arabe të
jetë vërtet pranverë. Dialogu i mirëfilltë, që ne duhet të bëjmë me vëllezërit tanë
myslimanë, është ai që lidhet me barazinë e të gjithë qytetarëve mbi bazën e nënshtetësisë
e jo të përkatësisë fetare: jemi të gjithë Bij të Zotit, myslimanë e të krishterë.
Shpresojmë se edhe perëndimi do ta ndihmojë këtë zonë, që të ndërtojë demokracinë
e vërtetë. Besimi mysliman parashikon një regjim teokratik, jo demokratik; në se dëshrojmë
të kemi dialog të vërtetë me myslimanët, duhet ta bëjmë këtë mbi bazën e vlerave qytetare
e jo mbi kritere fetare.