2012-08-24 19:10:29

Papa Gjon Pali I, në 34-vjetorin e zgjedhjes në fronin e Shën Pjetrit


Me 26 gusht përkujtohet 34-vjetori i zgjedhjes në fronin e Shën Pjetrit të Papës Gjon Pali I, Albino Luçani. Papnia e tij është një nga më të shkurtrat e historisë së Kishës Katolike, pasi zgjati vetëm 33 ditë, pas atij 26 gushti të vitit 1978, kur në Sheshin e Shën Pjetrit jehoi “Habemus Papam”.
Në kuadrin e kremtimeve për 100-vjetorin e lindjes, kardinali Enio Antonieli, ish-kryetar i Këshillit Papnor për Familjen kremton një meshë përkujtimore në fshatin ku lindi, në Forno di Canale, në veri të Italisë. Ja një jetëshkrim i shkurtër i këtij pape, pas të cilit erdhi i Lumi Gjon Pali II, që nuk hezitoi të merrte të njëjtin emër me Papën Luciani, i frymëzuar nga vepra e paraardhësit, pavarësisht se e shkurtër.
Albino Luçani u lind më 17 tetor 1912 në Forno di Canale të Belunos dhe u pagëzua po atë ditë nga mamia Maria Fioko pasi “në rrezik jete”. Me shëndet të dobët që nga lindja, luftoi për jetën dhe më 19 tetor, riti i Pagëzimit u përsërit nga një meshtar i famullisë. Në vitin 1923 hyri në Seminarin e Vogël të Feltres dhe u shugurua meshtar në kishën e Shën Pjetrit në Beluno, më 7 korrik 1935. Shërbeu si famullitar në vende të ndryshme të Belunos dhe u bë edhe zv.drejtor i Seminarit. Në vitin 1947, përfundoi studimet e teologjisë në Universitetin Papnor Gregorian e më pas, u emërua Provikar i Përgjithshëm i dioqezës së Belunos, për t’u bërë në vitin 1954, Vikar i saj. Më 1958, Papa Gjoni XXIII e shuguroi ipeshkëv të Vitorio Veneto. Mori pjesë në punimet e Koncilit II të Vatikanit e në vitin 1969 u emërua Patrik i Venedikut nga Papa Pali VI, i cili e vlerësonte jashtëzakonisht, aq sa më 1973 e krijoi kardinal. Më 26 gusht 1978 u zgjodh papë me emrin e Gjon Palit I. Vidq në natën ndërmjet 28 e 29 shtatorit e më 4 tetor u varros në Kriptën e Vatikanit. Më 20 nëntor 2003 filloi të shqyrtohet çështja për lumnimin e tij.
Papa Luçani kujtohet nga të gjithë për buzëqeshjen dhe për mënyrën e thjeshtë, me të cilën u drejtohej njerëzve. Pavarësisht nga teoritë komplotiste për vdekjen e tij, në mendjet e njerëzve do të mbetet përgjithnjë, ashtu siç e quanin atëherë, “papa i buzëqeshjes”, ose “buzëqeshja e Zotit”.







All the contents on this site are copyrighted ©.