2012-08-24 17:04:03

Libani, teatër dhune e viktimash. OKB-ja flet për ndërhyrje ndërkombëtare


“Ndeshjet e këtyre ditëve në Liban vënë në dukje sa e brishtë është gjendja në vendin, i cili ndjen zhvillimet dramatike të situatës në Siri”: me këto fjalë, gjatë mbledhjes së Këshillit të Sigurimit, zv.sekretari për Punët politike në OKB përvijoi nevojën e ndërhyrjes ndërkombëtare. Ndeshjet me armë kanë filluar që të hënën e kaluar në Tarabulluz, në veri të vendit, ku milicët sunitë luftojnë kundër rivalëve të tyre alauitë, anëtarë të Partisë Arabe Demokratike, konsideruar mjete të regjimit sirian. Folëm për mundësinë e ndërhyrjes, me drejtorin e revistës “Lindja Moderne”, italianin Klaudio Lo Jakono:
Natyrisht, është e mundur një ndërhyrje nën udhëheqjen e OKB-së, e cila ndodhet që tani në zona të ndryshme të Libanit. Ka shumë zëra, që prej kohësh mbështesin ndërhyrjen. Izraeli për shembull. Ndërsa, krejt vendet kundër Perëndimit, si Rusia dhe aleatët e saj, kërkojnë të qëndrohet jashtë këtij skenari lufte të mundshme, ndër më të ndërlikuarit, që ekzistojnë.
Siria është në kufi me Libanin e situata e saj ndikon mbi Bejrutin. Por cilat janë tiparet e çështjes, brenda Libanit? Pse luftohet?
Libani vuan akoma nga probleme të pazgjidhura krejtësisht, të cilat në vitet ’70, çuan në një luftë civile dramatike, filluar në dukje si ndeshje fetare, që në të vërtetë fshihnin probleme të mëdha ekonomike, pabarazi, dëshirë për ndryshime politike. Që nga viti 2005, kur Siria u largua nga territori libanez, gjendja mund të përmirësohej e për një farë kohe, edhe u përmirësua, gjithnjë, duke pasur parasysh se ka libanezë si hezbollahët, fort të lidhur me Iranin dhe me Sirinë. Natyrisht, nga çasti që Siria filloi të përjetojë tragjedinë, për të cilën jemi dëshmitarë, gjërat u ndërlikuan. Kohët e fundit, sirianët, që janë larguar nga atdheu, për t’u strehuar në territorin libanez, arrijnë në 35-36 mijë vetë. Kuptohet se flasim për një ndryshim të rëndësishëm demografik, në një vend shumë të vogël, me ekuilibër të brendshëm tepër të veçantë. Përreth Sirisë luhet një lojë e ndërlikuar, pasi ç’ndodh në Siri ndikon fuqimisht në vende si Arabia Saudite, Katari e edhe Irani, që po e ngre zërin tani… Është situatë, pak a shumë si ajo e Libanit, nga e cila libanezët akoma nuk kanë dalë krejtësisht. Ekziston rreziku që ndeshjeve t’u jepet një sfond fetar, i cili shërben thjesht si maskë e etjes për pushtet politik e ekonomik, e dëshirës për të qenë të parët në rajon. Problemet lindin brenda vendit: nuk është Siria, që shkakton viktima në Liban, por janë grupet brenda tij. Në vend, ekziston një dhunë politike e vazhdueshme, e cila tërhiqet zvarrë që prej 30-40 vjetësh. Libani nuk është aspak homogjen nga pikpamja kulturore, por strukturat e pushtetit janë po ato, që nga viti 1943, për hir të Paktit Kombëtar. Sipas tij, Presidenti i Republikës duhet të jetë maronit, kryetari i parlamentit, shiit, ndërsa kreu i qeverisë, sunit… Këto struktura i qëndrojnë kohës, derisa nuk ndërhyjnë vendet fqinjë, që mund ta ndryshojnë ekuilibrin. Vendet e Gjirit kanë gisht në ngjarjet e Lindjes së Mesme, sepse japin shumë para për qëllimet e tyre, vërtet tepër.







All the contents on this site are copyrighted ©.