2012-08-24 19:13:21

Leksionet e Nënë Terezës: “Fusha e parë e veprimtarisë është familja”.


Arritëm tek leksioni i gjashtë, që marrim në shkollën e Nënë Terezës. Në sa mësuam ç’duhet bërë për të qenë misionarë shekullarë të bamirësisë, Nënë Tereza na kujton se fusha e parë në të cilën duhet të punojmë, të duam e të shërbejmë, është familja. Fusha e dytë, familja. E treta, përsëri familja. Pastaj vijnë të varfërit e nën shkallës, pastaj ata të pallatit, të famullisë, të lagjes, të zonës, e pastaj edhe të varfërit e misionareve të bamirësisë, së fundi, gjithë të varfërit e botës.
Shkrimi Shenjt thotë: “Dashuria nis në shtëpinë tënde”, e Nënë Tereza vijon të na mësojë: “Dashuria nis në familje. Në se nuk i duam njerëzit, me të cilët jetojmë njëzet e katër orë, si mund t’i duam ata, që i takojmë rastësisht?”.
Prej këndej, ata që dëshirojnë të shërbejnë si misionarë shekullarë të bamirësisë e që për këtë bëjnë kushtin e katërt, t’u shërbejnë falas e me gjithë zemër të varfërve më të varfër, duhet ta nisin këtë mision duke ia çuar dashurinë e Zotit familjarëve, të afërmve, kolegëve, nxënësve, që kanë tepër nevojë për këtë dashuri.
Të varfërit më të varfër janë shpesh ata që kemi pranë, që vuajnë nga sëmundjet shpirtëore të shekullit, që luftojnë, dyshojnë, rebelohen.
Nënë Tereza na mëson: “Sëmundja më e rëndë e kohës sonë nuk është gërbula, por flakja nga radhët e shoqërisë, përjashtimi nga gjiri i saj. Kohët moderne janë të sëmura nga një mori gërbulash. E më e keqja, është ta përbuzësh njeriun, që ke pranë, ta bësh të vuajë, t’i ngresh kurthe, ta qëllosh prapa shpine, ta flakësh e ta harrosh. Për të kënaqur egoizmin tënd. Duke harruar se e keqja lind të keqen, dhuna dhunën e flakja flakjen.
Gërbula më e keqe është t’ia marrësh frymën njeriut, që ke pranë; ta vësh kohën në shërbim të dëshirave kalimtare e të mos kesh kurrë kohë për Jezusin e braktisur, ndoshta-ndoshta në njeriun e familjes a të punës, në atë që ke pranë, që ka nevojë për ty.
Duke u ulur në bankat e shkollës së Nënë Terezës, mund ta kuptosh më mirë përgjigjen që e Lumja shqiptare i dha dikujt, kur e pyeti në se misionaret e bamirësisë propozonin ndonjë kumt të posaçëm fetar, përmes punës së tyre:
“Dashuria nuk ka tjetër kumt, përveç vetvetes. Ne përpiqemi ta jetojmë konkretisht dashurinë e Krishtit në çdo veprimtari, ditë për ditë. Nuk predikojmë me fjalë, por me vepra. Kjo është dëshmia jonë ungjillore”.







All the contents on this site are copyrighted ©.