2012-08-23 10:57:07

Për Vitin e Fesë, Meshë në aeroportin e Miamit


Në kuadrin e Vitit të Fesë, që do të fillojë më 11 tetor, kryedioqeza e Miamit, në SHBA-të, ka parashikuar një nismë për t’u dhënë mundësi të gjithë turistëve dhe personelit të avionëve, që kalojnë në aeroportin ndërkombëtar të vendit të ëndërruar nga shumë njerëz, anembanë botës, të marrin pjesë në meshë. Siç shkruhet në gazetën e Vatikanit “L’Osservatore Romano”, në mëngjesin e çdo të shtune, në orën 7.00, besimtarët mund të shkojnë në kapelë për të marrë pjesë në kremtimin e Eukaristisë. Në një letër, kryeipeshkvi Thomas Gerard Venski vë në dukje se aeroporti, ku kalojnë miliona udhëtarë, është si një qytet i madh. E ndihmon të bëhet bashkësi pikërisht prania e një kishe dhe e meshtarëve. Kryeipeshkvi përmend fjalët e Papës Benedikti XVI për kapelanët dhe veprimtarët e baritorisë së aviacionit civil më 11 qershorin e kaluar, audiencë, në të cilën Ati i Shenjtë theksoi rëndësinë e kapelave në aeroporte dhe nevojën, që kush kalon e ndalet në to, të trajtohet gjithnjë me mirësi e dashuri.







All the contents on this site are copyrighted ©.