2012-08-23 14:21:34

Papa, Forumit të Veprimit Katolik në Rumani: laikët janë pjesë të jetës dhe të veprimtarisë së Kishës


Kisha ka nevojë për laikë të pjekur, që të marrin përsipër përgjegjësinë së bashku me Kishën, për ta çuar deri në fund misionin e saj universal. Ata nuk mund të konsiderohen bashkëpunëtorë të thjeshtë të klerit. Këto janë fjalët e Papës në Mesazhin për pjesëmarrësit e Forumit ndërkombëtar të Veprimit Katolik, që po mbahet në Iashi të Rumanisë.
Benedikti XVI vë në dukje se ndarja ndërmjet laikëve dhe klerit është shtuar në shekuj, por në fillimet e krishterimit, ky problem as që ekzistonte: barinjtë e Kishës dhe laikët ishin “një zemër e një shpirt i vetëm”. Laikët, vazhdon Ati i Shenjtë, duhet ta jetojnë si protagonistë misionin e Kishës. Edhe tema e sivjetme e Takimit, që do të vazhdojë deri të shtunën, është “Ta ndjeni tuajin impenjimin për të vepruar në misionin e Kishës”. Papa i fton ta bëjnë këtë me anë të lutjes, të studimit, me pjesëmarrjen në jetën kishtare, duke hedhur një vështrim të kujdesshëm e pozitiv mbi botën, duke kërkuar vazhdimisht shenjat e kohrave. “Mos u lodhni së përsosuri gjithnjë e më shumë, me formim serioz e të përditshëm, aspektet e thirrjes suaj të veçantë si besimtarë laikë, për të qenë dëshmitarë të guximshëm e të besueshëm në të gjitha fushat e shoqërisë”.
Laikët, thekson Benedikti XVI, mund t’i ndihmojnë barinjtë e Kishës të gjykojnë më drejt si gjërat e shpirtit, ashtu edhe gjërat e botës. Për këtë, ata duhet të përdorin gjuhë e mënyra të kuptueshme për kohën e sotme, duke përballuar sfidat e ungjillëzimit të ri, gjithnjë në bashkëpunim me famullinë e dioqezën. Merrni guximin për të bërë propozime, edhe të vështira e kërkuese, e përfundon Papa mesazhin për Veprimin Katolik, sepse kështu ecim së bashku në rrugën e shenjtërimit të jetës, drejt së ardhmes plot shpresë të njerëzimit.







All the contents on this site are copyrighted ©.