2012-08-23 14:10:33

Ngushëllimet e Papës për vdekjen e kardinalit Shan, dëshmitar i Krishtit në Azi.


Benedikti XVI ka shpreh ngushëllimet e thella për vdekjen e kardinalit jezuit kinez Paul Shan Kuo-hsi, i cili ndërroi jetë dje në një spital të Tajvanit. Kardinali kryeipeshkëv në pension i Kaohsiungut, që do t’i kishte mbushur 89 vjeç më 3 dhjetor të ardhshëm, ishte i sëmurë prej kohe nga kanceri.
Në një telegram dërguar ipeshkvit aktual të Kaohsiungut, imzot Peter Liu Cheng-chung, Papa shpreh mirënjohjen ndaj Zotit për misionin e kardinalit Shan zhvilluar për shumë vite me përkushtim të veçantë në shërbim të Kishës duke dëshmuar Krishtin, dhe merr pjesë në dhimbjen e atyre që qajnë për humbjen e këtij prelati, duke përfshi edhe sivëllezërit e tij jezuitë, e ia beson “shpirtin e tij meshtar përdëllimit të pakufishëm të Zotit”.
Kardinali Shan, shumë i dashur nga besimtarët e vet, tërë jetën i pat kushtuar pajtimit të Kishës në Kinë. Tejet i përzemërt qe falënderimi i tij ndaj Papës Benediktit XVI për Letrën papnore drejtuar katolikëve kinezë në vitin 2007, me ftesën për të falur e tejkaluar mosmarrëveshjen dhe ndarjet ndërmjet besimtarëve mbetur besnik gjatë persekutimeve dhe besimtarëve që kanë ra në ligështi. Kardinali vërente një gjallëri të madhe në pakicën e krishterë në Azi, aspak e frikësuar pse jetonte si korrka e senapit në mesin e aq shumë feve tjera dhe në një kontekst karakterizuar nga materializimi e ateizmi. Shpesh herë citonte Gjon Palin II i cili në Mijëvjeçarin e Tretë shihte një pranverë të re të krishterimit.
Kardinali Shan qe shumë i angazhuar edhe në fushën e ungjillëzimit e të dialogut ndërfetar, me një vëmendje të veçantë ndaj formimit të meshtarëve e të besimtarëve laikë mirë të përgatitur. I madh qe edhe aktiviteti i tij shoqëror me shumë nisma në favor të të varfërve, të sëmurëve, të moshuarve, grave të shfrytëzuara, të të burgosurve. Në vitet e fundit të jetë i ka kërkuar publikisht qeverisë së Tajvanit reduktimin e hendekut ndërmjet të pasurve e të varfërve, si dhe heqjen e dënimit me vdekje.







All the contents on this site are copyrighted ©.