2012-08-23 10:56:42

Leksionet e Nënë Terezës: “Revolucion shpirtëror”.


Sapo kryhet darka, nis leksioni i tretë: lajmë pjatat e i vëmë në rregull, që gjithçka të jetë gati për të nesërmen. Jemi të lodhur e të këputur, por të rrëmbyer nga një gëzim misterioz e të pushtuar nga një paqe, që nuk e kishim provuar kurrë. “Come and see”. Tani fillojmë të kuptojmë ç’kërkon të thotë Nënë Tereza me këto fjalë. Ëmbëlsia, që buron nga mësimet e saj është aq e madhe, sa ne nuk mund të bëjmë më pa të. E kjo nuk e ndryshon shumë jetën fizike. Është jeta shpirtërore ajo, që pëson menjëherë një revolucion të vërtetë.
E do të tronditeshim thellë, po ta humbisnim ç’ fituam nga dy leksionet e para të Nënë Terezës. Kuptojmë se kjo ëmbëlsi mund të ruhet, vetëm duke u bërë misionarë shekullarë të bamirësisë. Nis, kështu, leksioni i tretë, përgjigje e pyetjes: “Ç’do të thotë të bësh kthesë në shpirt, për kthesën e botës?”.
Përgjigjet vetë Nënë Tereza: “Do të thotë ta lësh Jezusin të të marrë për dore, pa të kërkuar fare leje”.
Nuk është kërkesë për ta ndërruar rrënjësisht jetën e zakonshme. Shndërrimi është shpirtëror. Madje nuk është shndërrim, por revolucion! Misionarët shekullarë vijojnë të bëjnë punën e tyre. Janë nëpunës, mësues, studentë, mjekë, juristë, shkrimtarë, shtëpijake. E jetojnë plotësisht jetën familjare e, megjithatë gjejnë kohë për të marrë pjesë, brenda mundësive, edhe në jetën e Misionarëve të Bamirësisë, duke u lidhur me një nga shtëpitë e motrave ose të vëllezërve e duke punuar krah për krah me ta në ndihmë të të varfërve më të varfër: të endacakëve, të sëmurëve, të braktisurve, të pastrehëve, të vetmuarve.
Nënë Tereza na kujton: “Në se nganjëherë të varfërit vdesin nga uria, kjo nuk do të thotë se i ka harruar Zoti, por se ne nuk ishim mjet dashurie në duart e tij, për t’i ushqyer e për t’i veshur, sepse nuk e njohëm Krishtin, kur erdhi përsëri mes nesh, me pamjen e njeriut të uritur, të zhveshur, njeriut të vetmuar, të fëmijës së braktisur, në kërkim të një strehe.
Zoti merr çdo ditë pamjen e njeriut të uritur, të zhveshur, të sëmurë, të pastrehë, të etur, e jo vetëm për bukë, por edhe, e kryesisht, për dashuri, për kujdes, për vëmendje; njeriut që nuk ka nevojë vetëm për t’u veshur e për t’u mbathur, por edhe, e kryesisht, për të pasur pranë ndokënd që e quan, pa hipokrizi, ‘i dashuri im’.
Kur Krishti tha: “Pata uri e më dhatë të ha”, nuk mendonte vetëm për mungesën e bukës, por më shumë për mungesën e dashurisë. Kujtonte urinë e përjetshme të njeriut për një përkëdhelje, për një fjalë të mirë, për një urim, për një byzëqeshje.
Edhe Krishti i vetmuar e provoi këtë uri. Çdo njeri që ndodhet në një gjendje të tillë, i përngjet Krishtit në vetmi; e kjo është pjesa më e hidhur e jetës, uria e vërtetë”.Prej këndej buron Rregulla e misionarëve shekullarë të bamirësisë.
Në se ndokush dëshiron të kuptojë diçka më shumë për jetën dhe veprimtarinë e tyre, mund ta lexojë këtë Rregull.







All the contents on this site are copyrighted ©.