2012-08-23 15:48:11

Imzot Tomazi në Takimin e Riminit: rritet intoleranca kundër të krishterëve, edhe në Perëndim


Etja në rritje e popujve për drejtësi e demokraci: ky ishte argumenti, që trajtoi sot, në Takimin e Lëvizjes “Bashkim e Çlirim” në Rimini, Vëzhguesi i përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë zyrës së OKB-së në Gjenevë, imzot Silvano Maria Tomazi. Prelati foli për dhunën kundër të krishterëve, duke theksuar se ajo vërehet edhe në Perëndim, ku rrënjët e kulturës janë pikërisht të krishtera. E ftuam të komentojë më gjerësisht, në mikrofonin tonë:
Fatkeqësisht, intoleranca fetare është në rritje: nganjëherë është shteti, që kufizon lirinë e besimtarëve, nganjëherë është shoqëria – në bashkëpunim me sistemin juridik, ose me autoritetet politike – që e persekuton bashkësinë e besimtarëve, si të krishterë, ashtu edhe të ndonjë pakice tjetër fetare. Kemi të bëjmë me një fenomen shumë të përhapur. Ka studime sociologjike të dokumentuara, ku tregohet qartë se të krishterët janë grupi fetar më i persekutuar në botën e sotme, grupi, të cilit i kufizohen më tepër të drejtat, për çfarëdo lloj arsyeje. Nganjëherë arrihet edhe në ekstrem, për shembull, në Nigeri, ku shpërthejnë bomba në kishë, ditën e dielë, duke përfituar nga fakti që njerëzit shkojnë në meshë, për t’u lutur e për të kremtuar kultin e tyre. Në raste të tjera, bashkësitë e krishtera detyrohen të ikin, si në Irak e siç po ndodh tani në Siri, ku persekutohen, ose dënohen të krishterët, sepse shihen si aleatë të Perëndimit, ose si njerëz, që kanë mbështetur regjimin. Por, në fund të fundit, arsyeja është feja e ndryshme. Prandaj, sot, jemi në një situatë, jo vetëm në Lindjen e Mesme e në Afrikë, por edhe në pjesë të tjera të botës, si në Indi, ku grupe fanatikësh sulmojnë të krishterët. Përveç dëmit kundër personave, këto akte sjellin shthurjen e indit shoqëror.
Si është gjendja në Perëndim, ku natyrisht sulmi kundër të krishterëve nuk merr përmasa kaq të dhunshme, por ka tipare të tjera?
Në kulturën perëndimore, strategjia është të thuash e të mendosh se feja pengon lirinë individuale. Por, harrohet fakti se nga ana e këtyre shteteve, ose grupeve kulturore e shoqërore, të cilat duan ta eliminojnë rolin publik të fesë, dhunohen të gjitha të drejtat e besimtarëve. Pra, kemi një gjendje diametralisht të kundërt me pohimet, që bëhen: nuk është grupi fetar ai, që pengon zbatimin e të drejtave, por është qëndrimi publik ai, që kufizon të drejtat e besimtarëve. Është një strategji tepër e hollë, por shumë e frytshme, sepse në fund të fundit, nuk jep mundësi që vlerat e krishtera të kenë rol e ndikim në vendimet publike.







All the contents on this site are copyrighted ©.