Dita Ndërkombëtare kundër trafikut të qenieve njerëzore
Sot kremtohet Dita në kujtim të trafikut të Skllevërve dhe zhdukjen e tij. Në natën
ndërmjet 22 dhe 23 gushtit 1791, një kryengritje e skllevërve të Santo Domingos
shënonte fillimin e procesit që do të sillte më vonë zhdukjen e skllavërisë. Për të
kujtuar këtë plagë të tmerrshme dhe për të luftuar format moderne të shfrytëzimit
të njeriut, UNESCO kremton sot Ditën botërore të përkujtimit të tregtisë së skllevërve
dhe të zhdukjes së skllavërisë. Të shumta janë nismat në të gjithë botën në përkujtim
të kësaj plage njerëzore dhe në favor të luftës së ndalimit, madje të zhdukjes së
tregtisë së skllevërve. Po me krijimin e rrugëve të reja të emigracionit, mjerisht
skllavëria vazhdon të jetë e pranishme në shoqërinë e sotme, duke marrë forma nga
më të ndryshmet, që nga shfrytëzimi seksual tek ai i krahut të punës. Prandaj ende
sot vijon trafiku i qenieve njerëzore apo shfrytëzimi seksual e ai në fushën e punës
të miliona viktimave në botë, posaçërisht të grave e fëmijëve. E nuk kemi të bëjmë
vetëm me trafikun e njerëzve me qëllim shfrytëzimin seksual, por edhe me shfrytëzimin
në sektorë të ndryshëm të punës, si në ndërtim, në bujqësi, në përdorimin e njerëzve
si lypës, ku kryesisht gjejmë fëmijë, por edhe persona me aftësi të kufizuara. Arrihet
deri tek transplantimi i organeve dhe tek adoptimet ndërkombëtare të paligjshme. Me
fenomenin e globalizimit, që e bën të lehtë transportin dhe zhvendosjen e njerëzve,
edhe ky krim i urryer dhe trafiku i personave kanë marrë përmasa ndërkombëtare. Agjencitë
ndërkombëtare të krimit e kanë kuptuar se si mund ta shfrytëzojnë globalizimin dhe
lehtësinë, që ai jep në komunikime dhe transport. Rrugët e trafiqeve dihen e njihen
edhe agjencitë, që nxisin këtë tregti të turpshme. Mungon ende legjislacioni i përshtatshëm,
si për parandalimin, ashtu edhe për luftën kundër këtyre krimeve, legjislacion, që
duhet t’i përgjigjet karakterit ndërkombëtar të fenomenit. Mendoj se në këtë fushë
ka akoma shumë për të bërë. Prandaj sot duhen strategji në nivel kombëtar e një program
dhe koordinim i veçantë në luftimin kundër trafikut. Është e rëndësishme ta njohim
problemin, në formën që ai ka marrë sot, për ta luftuar si duhet që të mos ngadhënjen
e keqja.