2012-08-22 15:14:12

Papa: Maria është Mbretëreshë, ashtu si Jezusi, “Mbret që u shërben shërbëtorëve të vet”.


Është kulmi i përvujtërisë, që e bën Marinë Mbretëreshë para syve të Zotit e të Kishës. Papa Benedikti XVI e shpjegoi këtë sot paradite, në audiencën e përgjithshme, kryesuar në Kastel Gandolfo, në praninë e rreth 2500 besimtarëve. Papa Ratcinger foli për festën e sotme liturgjike, kushtuar se Lumes Mari Virgjër Mbretëreshë, duke i ftuar besimtarët t’i drejtohen Asaj në çdo rrethanë të jetës.
Të jesh mbret, sepse je shërbëtor. Paradoksi i Krishtit-mbret, që lan këmbët e miqve të vet e mbret që mbërthehet mbi kryq, vlen njëlloj edhe për Nënën e Tij, “shërbëtoren e Zotit”. Në audiencën e shkurtër të përgjithshme, mbajtur në oborrin e Pallatit Apostolik të Kastel Gandolfos, Benedikti XVI shpjegoi, përballë turmës, që e rrethonte, arsyen historike e shpirtërore të njërit nga titujt e shumtë, me të cilët Kisha e nderon Zojën e Bekuar, titullin “Mretëreshë”. Reflektimi i Papës ishte përgjigje dhënë pyetjes: “Çfarë mbretëreshe është Maria?”. Ja edhe shpjegimi:
Ekziston një ide popullore, e rëndomtë, për mbretin e mbretëreshën: njerëz me pushtet, me pasuri. Po ky nuk është tipi i pushtetit mbretëror të Jezusit e Marisë. Pushteti mbretëror i Krishtit ndërthuret me përvujtërinë, me shërbimin, me dashurinë: mbi të gjitha, është pushtet për të shërbyer, për të ndihmuar, për të dashur. Prej këndej, pushteti mbretëror i Krishtit nuk ka të bëjë fare me atë të njerëzve të fuqishëm të tokës. Krishti është mbret, që u shërben shërbëtorëve të Tij; këtë e dëshmoi gjatë gjithë jetës. Kështu, edhe Maria”.
Ishte Piu XII që, në vitin 1954, e fiksoi në kalendar datën kushtuar Zojës Mbretëreshë, festa e së cilës, kujtoi Benedikti XVI, ndonëse e caktuar vonë, është me zanafillë të lashtë. Ashtu edhe devocioni.
Në fillim kremtohej më 31 maj, por më pas Koncili II i Vatikanit e zhvendosi tetë ditë pas Festës së Të Ngjiturit të Zojës në Qiell, për të nënvizuar më mirë, vërejti Papa, lidhjen e ngushtë ndërmjet pushtetit mbretëror të Marisë dhe lumnimit të saj me korp e me shpirt, pranë të Birit:
Kjo është rrënja e festës së sotme: Maria është Mbretëreshë, sepse ishte gjithnjë, në mënyrë të pashembullt, përkrah të Birit, si në shtegtimin tokësor, ashtu edhe në lumninë e Qiellit. Shërbëtori i Zotit, Pali VI, në Nxitjen Apostolike Marialis Cultus, kujtonte: “Virgjëra Mari lidhet në gjithçka me Krishtin e në gjithçka varet prej Tij: për Të Hyji Atë, që në amshim, e zgjodhi Nënë gjithëshenjte dhe e stolisi me dhuratat e Shpirtit Shenjt, si askënd tjetër”.
Pyetja e dytë, që bëri Papa, ishte, si të themi, më praktike: “Si e ushtron Maria këtë pushtet mbretëror shërbimi e dashurie?”. Ashtu si do ta ushtronte çdo nënë, duke na ruajtur e duke na ndihmuar ne, bijtë e Saj:
Në çaste të ndritshme a të errëta të jetës sonë, ne i drejtohemi Marisë, duke ia besuar vetveten ndërmjetësimit të Saj të përhershëm, që të na nxjerrë nga Biri hirin e mëshirën, për të cilën kemi aq shumë nevojë në shtegtimin tonë nëpër udhët e botës. Virgjëra Mari, si Nëna jonë pranë Birit Jezus në lumninë e Qiellit, është gjithnjë me ne, në çdo çast të ditëve tona, të jetës sonë”.
Benedikti XVI kujtoi, më pas, Rruzaren dhe litanitë, me të cilat përfundon e me të cilat, prej shekujsh, Patriarkët e Apostujt, Shenjtorët e familjet iu drejtuan Marisë, në lutje.
Audienca përfundoi me një sërë pëshëndetjesh, në gjashtë gjuhë, drejtuar grupeve të pranishme në Oborrin e Pallatit Apostolik.







All the contents on this site are copyrighted ©.